Topalli: ”Ftesa në NATO shënon nisjen e një etape të re”
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cilësoi ftesën për të hyrë në NATO si pikënisjen e një etape të re për Shqipërinë. Gjatë seancës së djeshme, kryetarja Topalli ka ndjekur nga Kuvendi zhvillimet në Bukuresht. “Mirënjohje për të gjithë ata miq në mbarë botën që na kanë qëndruar pranë, në mënyrë të veçantë për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush. Falënderim për të gjithë djemtë që na bëjnë krenarë përkrah forcave aleate kundër terrorizmit. Nderim dhe mirënjohje për të gjithë patriotët, që në breza e kohë të ndryshme kanë mbrojtur kombin shqiptar dhe lirinë e tij. Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është ngjarje e jashtëzakonshme që kërkon nga të gjithë ne një përgjigje të jashtëzakonshme, një angazhim e seriozitet të jashtëzakonshëm. Unë jam e bindur se, duke punuar së bashku, asgjë nuk mund ta ndalë ecjen tonë përpara në të tjera ngjarje të mëdha, që do ta bëjnë Shqipërinë një vend të sigurt e të begatë për ne, për fëmijët tanë e për brezat që do të vijnë”, - tha Topalli.
4 Prill 2008