Topi, liderëve të NATO-s: ”Populli shqiptar tashmë shkëputet nga e kaluara“
Tryeza e rrumbullakët e NATO-s i ofron të parit fjalën Presidentit shqiptar. Presidenti Bamir Topi jep garanci për reforma të thella në vend
Erald Kapri
Ftesa e marrë dje për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO përbën një pikë kulmore në përpjekjet dhjetëravjeçare të vendit tonë për anëtarësim në aleancën më të madhe ushtarake të botës. Ky moment, ndonëse ka mbyllur një kapitull përpjekjesh e sfidash, ka ngritur nga ana tjetër siparin e një seri përgjegjësish akoma më të mëdha të shtetit shqiptar në drejtim të plotësimit të kushteve për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota në këtë Aleancë. Këtë e bëri të qartë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në fjalën e tij të mbajtur përpara liderëve të NATO-s menjëherë sapo vendet anëtare bënë publike ftesën në unanimitet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kreu i shtetit shqiptar dha garancitë përpara liderëve të NATO-s se Shqipëria do të ecë me vendosmëri në rrugën e reformave, siç janë reformat e rëndësishme politike dhe ekonomike, reformat në sistemin e Drejtësisë, në sistemin zgjedhor, në sistemin e sigurisë, në Forcat e Armatosura, në modernizimin e institucioneve, reformat për çrrënjosjen e korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar. Presidenti Topi vlerësoi se marrja e ftesës nga Shqipëria për në NATO është kontribut i të gjitha forcave politike, pozitës dhe opozitës, i të gjitha qeverive të mbas vitit 1992, “por sidomos i vetë popullit shqiptar”.
Vlerësimi
Presidenti Topi, në fjalën e tij ka përcjellë mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë të popullit shqiptar për vendimin që mori dje Aleanca e Vendeve të Atlantikut të Veriut. “Vendi im nënshkruan aktin më të rëndësishëm në historinë e tij; sot populli shqiptar shkëputet përfundimisht nga e kaluara e Jaltës dhe Potsdamit; Shqipëria denjësisht dëshmon se liria dhe demokracia kthehen në virtyte edhe në vendin ku jo më shumë se dy dekada më parë, diktatura më e egër në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore e kishte kthyer në institucion dhunën ndaj lirisë dhe të drejtës”, - tha Presidenti Topi. Presidenti shqiptar vazhdoi më tej duke thënë se më në fund për shqiptarët u realizuar një ëndërr, e cila lindi natyrshëm qysh në ditët e para të çlirimit të shoqërisë shqiptare nga komunizmi, por që u realizua në Bukuresht. Presidenti shqiptar falënderoi në emër të popullit të gjitha vendet e NATO-s, të cilat pranuan në mënyrë unanime dhënien e ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të rëndësishme ushtarake të botës.
Kosova
Gjatë fjalës së tij, Presidenti i Shqipërisë nuk harroi edhe pjesën tjetër të kombit shqiptar në Kosovë. Ai u shpreh se Shqipëria, si një vend i NATO-s, do të eksportojë siguri dhe integrim në shtetin më të ri të botës. Presidenti nuk harroi të cilësojë edhe rolin paqedashës së Shqipërisë me të gjitha vendet e rajonit. “E konsideroj vendimin që Aleanca mori sot për Shqipërinë si një vlerësim dhe besim ndaj të gjithë angazhimit të deritanishëm, serioz dhe shumëplanësh të vendit tim dhe si një angazhim madhor që ne kemi si ndaj vendeve të Aleancës, ashtu dhe ndaj popullit shqiptar. Shqipëria, nëpërmjet politikës së saj euroatlantike rajonale, do të mbështesë integrimin e Republikës së Kosovës në hapësirat e sigurisë dhe të zhvillimit, si dhe do të jetë e gatshme të ofrojë kontributet e saj individuale brenda politikave të NATO-s dhe të Bashkimit Europian për integrimin e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë”, - tha Presidenti shqiptar para liderëve të NATO-s.
4 Prill 2008