BSH-ja: Shqiptarët kanë marrë mbi 329.2 miliardë lekë kredi
Ervin Koçi
Banka e Shqipërisë përsëri ka vënë në dijeni sektorin privat bankar në lidhje me rreziqet që rrezikojnë nga kreditorët e këqij dhe nga niveli i lartë i kreditimit në ekonomi. Nisur dhe nga të dhënat e kohëve të fundit, ku një pjesë e shtetasve shqiptarë që janë emigrantë, kanë mungesa korrektësie në likuidimin e interesave të kredive të ndryshme, BSH-ja u tërheq vëmendjen institucioneve bankare që të bëjnë kujdes me këtë pjesë, duke përdorur dhe hedhur më shumë të dhëna në regjistrin e kredive. Që nga 1 janari i këtij viti, kur u vu në funksionim regjistri i kredive e deri tani rezultojnë 231 229 kredi të regjistruara, ku përfshihen të dhëna për kredimarrësit, personat e lidhur dhe kolateralet e vëna si garanci për kthimin e kredisë. Deri tani në gjykatë mësohet se nga bankat private janë ngritur mbi 400 padi për persona të cilët kanë kryer shkelje në lidhje me procesin e likuidimit të kredive. Sipas BSH-së, regjistri i kredive është një mekanizëm që vendos në një nivel më të drejtë treguesin rrezik-fitim që merr përsipër sektori bankar gjatë kreditimit të shpejtë, pra për të shpërndarë më mirë në kohë rrezikun e moskthimit të kredisë dhe për të zgjeruar mbrojtjen e nevojshme financiare për sektorin bankar. Aktualisht në këtë regjistër janë të regjistruar si kredimarrës 221 186 persona fizikë dhe 10 043 persona juridikë, ndërkohë që shuma totale e kredisë llogaritet në 329 206 104 790 lekë.
Siguria
BSH-ja ka vendosur të forcojë rolin e saj në drejtim të kontrollit të kredive, duke krijuar një njësi të specializuar, e cila do të fokusohet në trajtimin e çështjeve të stabilitetit financiar dhe krijimin e raportit të kredimarrësit. Sipas BSH-së, raporti për kredimarrësin i krijon mundësinë bankave të njihen me historikun e shlyerjes së kredive të një kredimarrësi, duke i ndihmuar ato të marrin vendime më të mira në lidhje me kredidhënien. Nëpërmjet raportit për kredimarrësin, banka njihet me ekspozimin e aplikantit në sektorin bankar dhe është në gjendje të vlerësojë sasinë e detyrimeve të tij financiare, garancitë dhe besueshmërinë e tij. Nga të dhënat e BSH-së, rezulton se kredia për bizneset është rritur me mbi 50 për qind, duke arritur në një nivel prej 16 për qind të PBB-së. Sipas këtij raporti, kredia për individët, ndonëse zë një pjesë më të vogël të portofolit të përgjithshëm, ka vazhduar të rritet me rreth 70 për qind në terma vjetorë.
Regjistri
Përdoruesit e raportit për kredimarrësin janë të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja, që janë të licencuara nga BSH-ë për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, të drejtën e përftimit të raportit të kredimarrësit e gëzon edhe vetë kredimarrësi. Raporti për kredimarrësin përmban të dhëna të përgjithshme mbi kredimarrësin-datën e regjistrimit të tij të parë në Regjistrin e Kredive, adresën, numrin e telefonit, informacion financiar, përfshi të dhënat në lidhje me kredinë/të e akorduara kredimarrësit, të dhënat financiare të kredimarrësit në bankën/at e tjera, llojin e kredisë dhe të gjitha detajet e nevojshme mbi kredinë. Aktualisht, bankat kanë hedhur në regjistër portofolin aktiv të kredive si dhe ngarkojnë çdo ditë të dhëna për kreditë e reja.
3 Prill 2008