Tatimet e doganat 43 milionë dollarë dëme

Tatimet dhe doganat vazhdojnë të regjistrojnë dëme në shifra të konsiderueshme në buxhet. Kontrollet e kryera nga KLSH në organet e tatim-taksave dhe doganave kanë zbuluar se shkeljet e kryera i kanë sjellë buxhetit të shtetit për vitin 2007 një dëm ekonomik në vlerën e 43 milionë dollarëve. Abuzimet me dëme financiare të organeve të fiskut shkojnë sa dyfishi i faturës financiare që qeveria duhet të paguajë për rindërtimin e zonës së Gërdecit. Këto dëme kanë ardhur si rezultat i moszbatimit të legjislacionit fiskal. Konkretisht, mosllogaritja e detyrimeve tatimore apo llogaritja më pak e tyre i ka sjellë buxhetit të shtetit një efekt negativ në vlerën e 778 174 mijë lekëve të reja. Gjithashtu, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë evidentuar shkelje nga organet tatimore edhe nga mosllogaritjet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe penalitetet që u janë vendosur subjekteve për mospagimin e tyre. Dëmet nga këto shkelje llogariten në vlerën e 16 716 mijë lekëve të reja. Ndërkohë që kontrollet e KLSH-së kanë zbuluar se në degët tatimore të vendit, tatimorët vazhdojnë t’i falin padrejtësisht biznesit detyrimet tatimore që ai ka për të paguar, si dhe gjobat që vendosen nga administrata tatimore. Konkretisht, në degën e biznesit VIP i janë falur këtij biznesi padrejtësisht detyrime tatimore dhe gjoba në vlerën e 43 474 mijë lekëve të reja. Po ashtu, nga moskontrolli i vetëdeklarimeve të subjekteve për importet e kryera sipas kërkesave të ligjit për TVSH-në, ka krijuar një efekt negativ në të ardhurat në shumën e 79 789 mijë lekëve të reja. Shkelje kanë rezultuar edhe në moszbatimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe kjo lidhur me moszbatimin e penaliteteve për mosrespektimin të afatit ligjor për paraqitjen e deklaratës tatimore dhe të bilancit kontabël nga subjektet. Kjo i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën e 17 080 mijë lekëve. Shkelje të këtij lloji janë konstatuar në të gjitha degët e tatim-taksave në vend. Konkretisht, Dega e Tatim-Taksave në qytetin e Durrësit nga abuzimet ka shënuar një dëm në vlerën e 262 618 mijë lekëve të reja. Edhe në këtë degë abuzimet vijnë nga mosllogaritja e detyrimeve tatimore dhe kontributit të sigurimeve shoqërore. Për sa u përket dëmeve në sistemin doganor, ato janë shkaktuar nga pranimi i faturave me vlera më të vogla se vlera reale e mallrave të importuar. Pra, e thënë ndryshe, doganierët kanë zhdoganuar mallrat e importit jo duke u nisur nga çmimi real i tyre sipas vendit të origjinës. Por kjo i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën e 760 milionë lekëve. Vetëm në doganën e Durrësit janë zbuluar detyrime të papaguara në vlerën e 121 milionë lekëve, pas verifikimit të faturave apo nga moszbatimi i çmimeve të referencës. Detyrime të papaguara në vlerën e 110 milionë lekëve nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë zbuluar dhe në Degën Doganore të Elbasanit. Edhe këtu doganierët kanë bërë favorizime në mospagimin e çmimeve të referencës apo dhe të detyrimeve të tjera doganore.