NATO, ndryshime të reja në tekste

TIRANË - Dita e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO tashmë do të jetë edhe në librat e historisë së arsimit bazë dhe të mesëm. Kjo është ajo që ka deklaruar dje ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo. Sipas tij, kjo ditë historike për vendin tonë është edhe një sukses që duhet kujtuar nëpërmjet evenimenteve festive që do të organizohen në vazhdimësi. “Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka si qëllim përshtatjen e programeve në librat e historisë, në arsimin bazë dhe të mesëm, në mënyrë që nxënësit të cilët mësojnë historinë bashkëkohore të vendit tonë, të njihen edhe me ftesën e Bukureshtit që përbën një zhvillim të madh për Shqipërinë dhe rajonin”, - deklaroi Pollo gjatë fjalës së tij. Ai e cilësoi si një sukses së të gjithë shqiptarëve, marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Për këtë, sipas Pollos, Ministria e Arsimit ka vendosur që të organizojë dhe të nxisë një serë aktivitetesh me temë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe rrugën të cilën ka përshkuar Shqipëria drejt anëtarësimit në NATO. Këto aktivitete do të organizohen në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe me Fakultetet e Historisë dhe Shkencave Humane në të gjitha universitetet e vendit. Në vazhdim të fjalës së tij, Ministri Pollo e konsideroi ftesën zyrtare për në NATO një moment përqendrimi tek Aleanca e Atlantikut, tek vlerat dhe parimet themelore të saj, motivet që çuan në themelimin e saj, si dhe sfidat e NATO-s në shekullin e 21-të. Ministri Pollo deklaroi gjithashtu se Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur që muaji prill të shpallet muaji i NATO-s. Në këtë kuadër grupet e debatit në shkollat e mesme do të ndërmarrin iniciativën e organizimit të debateve me temë veprimtarinë e NATO-s, që do të kulmojnë me një debat kombëtar në prani edhe të OJF-ve dhe përfaqësuesve të medieve në Shqipëri. MASH ka hartuar edhe një draft aktivitetesh me temë, “Shqipëria, pjesë e familjes së NATO-s”. Ky draft përmban një sërë aktivitetesh që do të zhvillohen në arsimin parauniversitar.
Temat që do të jenë në qendër të këtyre aktiviteteve:
1- Historiku i krijimit të Organizatës së NATO-s
2- Vendet që morën iniciativën për krijimin e NATO-s
3- Kushtet historike në të cilën u krijua NATO
4- Roli dhe detyrat e NATO-s
5- Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO
6- Aspekti humanitar I NATO-s. NATO në mbrojtje së të drejtave të popullit shqiptar në Kosovë
7- Fushatë informimi, ndërgjegjësimi dhe njohjeje për NATO-n në bashkëpunim me IAL
8- Pasqyrimi në tekstet shkollore të realitetit të ri të Shqipërisë pas ftesës së marrë nga NATO