E Diel, 1 Nëntor 2026

Peticioni i intelektualëve antigrevë: Arrin 212 numri i firmëtarëve



TIRANË - Arrin në 212 numri i intelektualëve shqiptarë që kanë dalë kundër grevës së urisë që po organizon opozita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në tekstin e këtij peticioni i është kërkuar kreut të PS-së që të mos pengojë integrimin e Shqipërisë drejt Europës. Në listën e emrave janë përfshirë edhe rektorë e profesorë të universiteteve, si: Dhori Kule, Liman Varoshi, Artan Haxhi, Shezai Rrokaj, Skënder Kacupi dhe emra të tjerë nga bota akademike. Ata i bëjnë thirrje kreut të PS-së “që të mos pengojë ëndrrën e shqiptarëve për të lëvizur të lirë dhe për t’iu bashkuar familjes europiane”. Intelektualët shprehen se e shohin grevën e urisë si një mënyrë izolimi që u kundërvihet aspiratave të shqiptarëve. Ditën e premte, 41 personalitete të artit dhe kulturës i dërguan një letër të hapur kreut të opozitës, Rama, ku i shprehën mosaprovimin e tyre ndaj grevës së urisë. Grupi nismëtar përbëhej nga emra të tillë, si: Fatos Kongoli, Avni Mula, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Irini Qirjako, Dhimitër Orgocka, Mirush Kabashi etj., duke vijuar me emrat e rinj që u shtuan ditën e martë me personalitete në fushën e mjekësisë dhe të arsimit shqiptar. Një pjesë e tyre ushtrojnë detyra drejtuese në institucionet akademike, arsimore apo shëndetësore në vendin tonë.

Komiteti i Helsinkit: Ka rrugë dhe mjete për zgjidhjen e krizës

TIRANË - Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) shprehu dje shqetësimin për situatën e rënduar politike në vend, duke ftuar pozitën dhe opozitën që të nisin sa më parë dialogun për zgjidhjen e saj. Në një deklaratë për mediat thuhet se “KSHH, si një nga organizatat që prej 20 vjetësh kontribuon për mbrojtjen dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, është e bindur se ende nuk janë shterur rrugët dhe mjetet për zgjidhjen e ngërçit politik, për t’i hapur rrugën funksionimit normal të institucioneve kryesore të shtetit”. Duke shprehur bindjen se vetëm dialogu konstruktiv dhe jo gjuha e urrejtjes do të japë rezultate konkrete, KSHH i fton palët ta nisin atë sa më parë. Në këtë frymë, KSHH sugjeron "zgjidhjen e shpejtë të mosmarrëveshjes politike midis pozitës dhe opozitës, duke theksuar se kjo kërkon vullnet politik reciprok, dialog konstruktiv, transparencë, mirëkuptim dhe ndalim të akuzave të ndërsjella, të cilat vetëm e rëndojnë situatën".
Në reagimin zyrtar, kjo organizatë përshëndeti përpjekjet e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të BE-së, e cila rekomandoi ngritjen e komisionit parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

12 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›