E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dogjani lë grevën, arrin në 23 numri i pacientëve grevistë

Brokaj: “Kryeministri Berisha të mos pengojë kontrollin e mjekëve ndaj grevistëve”

Eneida Jaçaj

Ashtu siç ishte parashikuar edhe nga mjekët, gjendja shëndetësore e grevistëve në ditën e 11-të është përkeqësuar së tepërmi. Numri i grevistëve që janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e shpejtë ka arritur në 23, ku vetëm dje 4 grevistë kanë lënë grevën për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Pranë çadrave është vendosur një libër i bardhë, ku intelektualë mund të hedhin firmën e tyre në mbështetje të grevës së deputetëve socialistë dhe mbështetësve.
Rastet
Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Kukësit, Asllan Dogjani, ka lënë dje grevën rreth orës 12:20 për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Deputeti është larguar me autoambulancë nga kampi për t’iu nënshtruar kontrollit mjekësor në QSUT. Dogjani pati probleme me tensionin dhe probleme kardiake. Një tjetër grevist ka lënë kampin e grevës së opozitës në orët e para të mëngjesit të së martës. Astrit Agjami, nga Kukësi, është transportuar me autoambulancë drejt spitalit rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm. Mësohet se grevisti ka pasur probleme me tensionin dhe stomakun.
Grevisti Artmir Ahmetaj, 22 vjeç, është transportuar në orën 11:30 të ditës së djeshme me barelë për në autoambulancë. I riu ka pasur probleme me stomakun. Ndërsa grevisti Fatmir Kalemaj, mbi 50 vjeç, nga qyteti i Patosit, është detyruar ta lërë grevën rreth orës 02:30 për shkak të komplikimeve që pati me tensionin nga mungesa e ushqimit.
Mjeku
Mjeku kardiolog, Sabit Brokaj, i cili kujdeset për gjendjen shëndetësore të grevistëve, i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha që të mos i pengojë mjekët në kontrollin ndaj grevistëve. Brokaj komentoi edhe gjendjen shëndetësore të deputetit Asllan Dogjani. Ai tha se deputeti kishte luhatje tensioni dhe shqetësime të tjera. “Ekipi mjekësor punon me vetëmohim dhe po zbaton betimin e Hipokratit”, - tha Brokaj, duke kujtuar dhe të drejtën tjetër ndërkombëtare, se “pacienti ka të drejtën e tij të zgjedhë mjek këdo dhe detyra e tyre ishte t’i shërbejnë kujtdo pacienti”. Brokaj tha se po i këshillon disa grevistë të ndërpresin grevën, por nuk dha emra konkretë.

Rama: “Opozita është gati për çdo zgjidhje që është në funksion të interesit publik”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje pas vizitës në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës se opozita është gati për çdo zgjidhje që është në funksion të interesit publik. “Kjo është një politikë që nuk buron nga rruga e luftës për pushtet, por nga rruga e aspiratave që nuk mund të falen, shiten apo blihen. Aspirata pa të cilat nuk mund ta ndërtojmë dot Shqipërinë europiane. Ne jemi të palëkundur e të pathyeshëm, jemi në çdo orë të gatshëm t’i hapim rrugën zgjidhjes në funksion të interesit publik”, - theksoi Rama. Kryesocialisti u shpreh se u përulet me mirënjohje grevistëve që janë shprehje e shpirtit opozitar të pathyeshëm e që habit shumëkënd. “Kjo është edhe dëshmia e një thirrjeje të jashtëzakonshme, e një frike të patolerueshme për shkak të një pushteti që nuk buron nga vota e popullit. Nga ana tjetër, unë u jam mirënjohës të gjithë këtyre njerëzve që i bën disa cinikë, nga ata që quhen cinikë fashistë që nxijnë faqe gazetash duke ironizuar e anatemuar për një grevë urie që është shprehje e virtytshme e një politike të njerëzve për njerëzit dhe me njerëzit”, - tha Rama.

Në ditën e 11-të lënë grevën:

Asllan Dogjani, probleme kardiake

Astrit Agjami, probleme me stomakun dhe tensionin

Artmir Ahmeaj, probleme me stomakun

Fatmir Kalemaj, probleme me tensionin

Këshilla
Mjeku Sabit Brokaj ka bërë thirrje se personat që vuajnë nga diabeti duhet të lënë grevën. Por deputeti Blendi Klosi, një prej grevistëve që vuan nga diabeti, ka refuzuar të largohet nga greva dhe ka shprehur dëshirën për të çuar përpara kauzën e opozitës. Sipas mjekëve, për personat që vuajnë nga diabeti greva është dyfish më rrezikshme, pasi ata mund të bien në koma të tipave të ndryshëm. Mjeku endokrinolog, Feçor Agaçi, ka deklaruar se gjendja e personave që vuajnë nga kjo sëmundje do të rëndohet më shumë dhe do të vijë një moment që ata do të bien në koma hipoglicemike nga ulja e madhe e sheqerit dhe gjendja do të jetë shumë e rëndë dhe shumë alarmante.
Sipas mjekut Agaçi, grevistët mund t’i mbijetojnë grevës së urisë vetëm duke konsumuar ujë deri në 30 ditë. Sipas endokrinologut, me kalimin e ditëve fillojnë të shkatërrohen organet dhe të shfaqen simptoma nga më të ndryshmet dhe në fund shkatërrohet edhe sistemi nervor.

12 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›