E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajla Pernaska i bën thirrje Ramës të nxjerrë gratë nga greva



Deputetja e PD-së, Lajla Pernaska, i ka bërë thirrje dje kreut të PS-së, Edi Rama, që të nxjerrë nga greva gratë. “Si qytetare e Tiranës, si mbrojtëse e të drejtave të grave dhe jo vetëm si deputete, të drejtohem ty zoti Rama. Z. Rama, të jesh në krye të një force politike nuk do të thotë të luash me fatet e vendit tënd, me jetën e nënave dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Z. Rama, të ndihesh i humbur ti si individ, apo si politikan qoftë, nuk do të thotë se është e humbur gjithë shoqëria. Edhe ju vetë e dini mirë, zoti Rama, se kriza juaj nuk është krizë e shqiptarëve, që drama juaj personale nuk është dramë e Shqipërisë.
Në emër të profesionit tejet fisnik të mjekut, ju bëj thirrje, zoti Rama, të mos luani me shëndetin e njerëzve, burra e gra qofshin, por lejoni shërbimin shëndetësor të jetë pranë tyre. Në emër të nënave, mos cenoni dinjitetin e femrave të partisë që sot drejtoni, por merrni qoftë dhe për një moment kurajën të provoni ju vetë grevën në vend të tyre”, - është shprehur Pernaska.

Luçiano Boçi: “Nuk mund të merret pushteti me dhunë”

Deputeti i Partisë demokratike, Luçiano Boçi, u është drejtuar dje deputetëve të PS-së duke iu bërë të ditur atyre se nuk mund ta marrin pushtetin me dhunë, por vetëm nëpërmjet forcës së votës. “Bllokmenët e vjetër e të rinj, si Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruçi, Ilir Xhelil Gjoni etj., si baballarët e tyre, duan vetëm pushtet. Duan me çdo kusht pushtet. Bllokmenët e rinj e kërkojnë pushtetin në tavolinë. Bllokmenët e rinj kërkojnë pushtet me çdo mjet, bile edhe me çadra në bulevard. Bllokmenët e rinj duan pushtet me çdo kusht, përveçse me votë. Zoti Rama, në demokraci pushteti fitohet me votë, as me armë, siç bllokmenët e kanë traditë, as me mënyrën e re të grevës së urisë. Njoftojmë zotin Rama se zgjedhjet bëhen një herë në katër vjet. Dhe vetëm vota vendos”, - është shprehur deputeti i PD-së, Boçi.

12 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›