E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretari i Shtetit, Xhons: “Kriza politike, e dëmshme për integrimin në BE”



Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington zhvilloi dje një konferencë mbi Ballkanin dhe sfidat e tij në rrugën e integrimit europian. Pjesëmarrësit në konferencë theksuan përparimin e bërë deri tani nga vendet e rajonit, por vunë në pah gjithashtu edhe sfidat me të cilat përballen ato, mes tyre edhe Shqipëria e Kosova.
Duke folur për mosmarrëveshjet e fundit politike në Shqipëri, zv.ndihmëssekretari i Shtetit për çështjet e Europës dhe Euro-Azisë, Stuart Xhons, tha se ato janë të dëmshme për integrimin europian të vendit. “Tani po shohim mosmarrëveshje serioze politike në Shqipëri. Greva e urisë, bojkoti, mendoj se janë shumë të dëmshme për perspektivën e Shqipërisë në integrimin europian. Por faji nuk mund t’i vihet askujt përveç se vetë shqiptarëve”,- është shprehur Xhons.
Ndërsa Janush Bugajski, drejtor i Projektit për Demokracitë e Reja Europiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, tha se gjendja në Shqipëri është serioze kur bëhet fjalë për polarizim dhe kur Parlamenti nuk arrin të funksionojë. “Ky është një ngërç që nuk lejon miratimin e ligjeve të rëndësishme, reformave të rëndësishme dhe t’i tregojë Bashkimit Europian se vendi është i bashkuar të paktën përsa u përket parimeve bazë”, - u shpreh Bugajski. Sipas tij, protestat janë të paparashikueshme dhe nuk dihet rezultati i tyre. Ajo që mund të jetë më e rrezikshme, thotë ai, është paralizimi i mundësisë për qeverisje. “Zgjidhja duhet të vijë nga shqiptarët, por mund të ndërmjetësohet nga jashtë. Dhe këtu mendoj se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv”, - është shprehur Bugajski.

12 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›