Berisha: Përulem para grave, së pari para bashkëshortes

Aktiviteti i organizuar në Pallatin e Kongreseve me rastin e 8 Marsit
Kryeministri përshëndet gratë dhe vajzat shqiptare për 8 Marsin.
Pengesa më e madhe është muri i patriarkisë
Kryeministri Sali Berisha, me rastin e 8 Marsit ka uruar dje të gjitha gratë dhe nënat shqiptare. Në një aktivitet të organizuar në Pallatin e Kongreseve nga kryetarja e Parlamentit me temë Gruaja në 100 vjet pavarësi, kreu i qeverisë shprehu nderimin dhe përuljen e thellë për të gjitha nënat dhe gratë shqiptare. Berisha ka vlerësuar lart figurën e gruas dhe nënës, duke e cilësuar atë si arkitekten e identitetit tonë kombëtar. Shpreh privilegjin e veçantë të përulem me nderimin tim më të madh, së pari para bashkëshortes sime, para të gjitha atyre vajzave dhe grave me të cilat bashkëpunova dhe bashkëpunoj në punën time. Nëna është burimi i jetës. Për ne shqiptarët, një komb ndër më të lashtët në planet, nëna është arkitektja e identitetit tonë kombëtar. Çfarëdo që pësuam në dheun tonë, mënxyra dhe pushtime shekullore, ne lindëm shqiptarë dhe vdiqëm shqiptarë, falë moralit të grave dhe nënave shqiptare. Ndaj, edhe sot në këtë 100-vjetor, nderimi më i madh u përket grave dhe nënave shqiptare, deklaroi Berisha. Kreu i ekzekutivit theksoi se në 100 vjet përpjekje të jashtëzakonshme mbinjerëzore për liri dhe dinjitet, nënat kanë qenë faktor vendimtar i ndryshimeve në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që jetojnë shqiptarë.
Barazia gjinore
Kryeministri shprehu një mirënjohje të veçantë për të gjitha ato nëna dhe gra, vajza dhe motra, të cilat në vitet 90 me guximin e tyre, me virtytet e tyre, ishin të parat që u vërsulën për të përmbysur diktaturën më shpërfytyruese që Europa kishte njohur në tërë historinë e saj. Shefi i maxhorancës u kërkoi dje grave dhe vajzave, nënave dhe motrave, të mos ndalojnë në përpjekjen e tyre për të realizuar barazinë gjinore. Për ta realizuar këtë, ne kemi jo pak pengesa dhe vështirësi, dhe pengesa më e madhe është muri i patriarkisë, është muri i ngritur, në mijëra e mijëra vite, është muri i çimentuar me doktrina nga më të gabuarat, është mur, që sot në çdo vend të lirë, dhe aq më shumë në Shqipëri, përbën dhe dhunuesin kryesor të lirive dhe drejtave të grave e vajzave tona. Unë ju bëj thirrje ju, mos e prisni dhuratë rrëzimin e tij nga djemtë, bashkëshortët apo meshkujt e tjerë të familjes suaj. Në radhë të parë ju duhet të vendosni të angazhoheni në një betejë të madhe, në një beteje historike, për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave tuaja. Është ky mur, që gjeneron dhunë ndaj jush, është ky mur që gjeneron diskriminim ndaj jush, është ky mur që mban shoqërinë tonë të pabarabartë, theksoi Kryeministri.
Nënë Tereza
Për Kryeministrin Berisha, nënat dhe gratë shqiptare kanë si muzë frymëzimi Nënë Terezën, e cila më humanizmin e saj ngriti lart vlerat njerëzore. Asnjë vajzë, as edhe një grua në rajon, në Europë, apo në botë, nuk ka burimin e frymëzimit që kanë gratë dhe vajzat shqiptare te Gonxhe Bojaxhi. Kjo grua shtatvogël, por me një zemër dhe shpirt të madh sa mbarë njerëzimi, meriton me forcën e virtytit të shpirtit tuaj, titullin më suprem të të gjitha kohërave Nënë Tereza e mbarë njerëzimit. Le tju frymëzojë pra ju, të dashura nëna dhe motra, vajza dhe gra, forca e jashtëzakonshme e shpirtit të Gonxhe Bojaxhi, për ta bërë shoqërinë shqiptare më të drejtë, më të ndershme, më të barabartë, më humane, më të njerëzishme, më të sigurt, deklaroi kreu i qeverisë.
Buqeta me lule
Për 8 Marsin, Ditën e Gruas, kryetarja e Kuvendit mori dje urimet më të përzemërta nga ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, i cili i dhuroi zonjës Jozefina Topalli dhe një tufë me lule, në simbolikë të kësaj feste. Topalli falënderoi ambasadorin Volfarth për mendimin e veçantë në këtë ditë të shënuar, ku protagoniste të festës janë të gjitha zonjat, nënat dhe vajzat shqiptare.Topalli: Gruaja di të ngrihet
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli organizoi dje me rastin e Ditës së 8 Marsit në Pallatin e Kongreseve aktivitetin Gruaja në 100 vjet pavarësi. Topalli ka kërkuar prej grave që të angazhohen së bashku për të mundësuar mrekullinë e lirisë dhe barazisë gjinore. Gruaja nuk kishte të drejta, nuk votonte, nuk zgjidhej, nuk drejtonte. Por, përtej turpit të historisë, gruaja ngrihet. Duke lënë mbrapa pasigurinë e frikën. Ajo ngrihet. Duke kapërcyer dhimbjen e nënqeshjen. Gruaja ngrihet. Duke refuzuar vetminë, ajo ngrihet. Duke sjellë dhuratën e dashurisë. Ajo ngrihet. Gruaja ngrihet. Ajo ngrihet. Ishit ju, ato që u ngritët dy dekada më parë, në emër të lirisë, si barrikada më fisnike kundër regjimit. Jemi ne, ato që vazhdojmë të ndërtojmë këtë mrekulli të lirisë. Që përfaqësohet denjësisht këtu nga Kryeministri Berisha. Ne gratë kemi mënyrën tonë, kemi botën tonë, kemi besimin tonë. Duke ju uruar edhe një herë Ditën e 8 Marsit, dua ta mbyll këtë përshëndetje, duke i dedikuar çdo gruaje dy vargje të poetes amerikane, Maia Angelov: Në diellin e buzëqeshjes së saj, në hirin e stilit të saj, ajo është gruaja. Mrekullisht gruaja, theksoi Topalli.
Ilir Meta
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim festiv me rastin e 8 Marsit në Berat, me gra anëtare dhe simpatizante të LSI-së në këtë qytet. I pyetur nga gazetarët për një rikthim të mundshëm në kabinetin qeveritar, Ilir Meta theksoi se çlirimi nga akuzat i ka dhënë atij një energji të paparë. Jam shumë i kënaqur që jo vetëm jam çliruar nga akuza të bazuara mbi shpifje dhe trillime, por edhe që jam krejtësisht i lirë për tu angazhuar me energji të papara për suksesin e zgjedhjeve të vitit 2013. Por, përpara se të shkojmë atje, kemi angazhime më të mëdha që kanë të bëjnë me përshpejtimin e proceseve integruese të vendit dhe unë do të kontribuoj maksimalisht edhe në Komisionin Parlamentar të Integrimit Europian, pohoi Meta.
FATION BINJAKU

