E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Pikat e dobëta, shëndetësia dhe pronat

Në fund të mandatit katërvjeçar, kreu i qeverisë, Sali Berisha, nga studio e "Ora News" ka folur për arritjet e qeverisë së tij dhe tregoi pikat e dobëta të kësaj qeverisjeje, që janë shëndetësia dhe pronat. "Arritjet hapin një vizion të madh zhvillimi, hapin epoka të tjera, ndryshojnë praktika frenuese dhe e bëjnë vendin të sigurt", u shpreh Berisha.

Lidhur me pronat, Kryeministri shtoi se procesi eci me ritme të ngadalta, por më të shpejta se ai i tetë viteve të PS-së në pushtet. "Çështja e pronës, në tërësinë e vet, do të marrë zgjidhje gjatë mandatit të dytë", tha ai. Kryeministri foli edhe për politikën fiskale, rritjen e rrogave dhe pagave dhe uljen e taksave, duke i paraqitur ato sipas grafikëve përkatës dhe duke bërë një krahasim me vitin 2005 dhe 2009. Për infrastrukturën e rrugëve, shefi i qeverisë theksoi se, deri në fund të qershori, do të kenë përfunduar 5930 kilometra rrugë, të shtruara gjatë mandatit 4-vjeçar të PD-së. "Varfëria më e madhe katër vjet më parë kanë qenë projektet dhe ne kur erdhëm në pushtet nuk gjetëm asnjë projekt në sirtarët e tyre. Buxheti atëherë ka qenë i vogël për këto rrugë", u shpreh Berisha, duke shtuar se projektet e PD-së për ndërtimin e rrugëve nuk janë elektorale. "Revolucioni fiskal i Shqipërisë të konsiderohej flamuj nga bankat botërore. Ndikimet e kësaj politike te të ardhurat janë se prodhimi i brendshëm për frymë pësoi rritje drejt dyfishimit në katër vite", u shpreh ai.

Sipas shefit të qeverisë, reforma në shëndetësi është më e vështira për aspektet ekonomike financiare. "Një infermiere merrte 150 mijë lekë, ndërsa sot merr dy herë më shumë. Baza e reformës është infermierja, pasi ajo është edhe menaxherja dhe ne do shkëputemi nga menaxhimi i mjekëve dhe ata do kenë gradën shkencore, menaxhimi i pavijoneve është në dorë të infermierëve", tha ai, duke shtuar se ky ka qenë motivi që u rritën pagat. Kryeministri nuk e ka mohuar korrupsionin në shëndetësi, por nuk i ka dhënë një strategji për ta shmangur këtë fenomen në bluzat e bardha. "Ndonëse jemi në vit elektoral, ne nuk ngulmuam të bëjmë reformën në shëndetësi, e cila do të kishte ecur më shpejt po të mos kishim gjetur atë nivel aq të papranueshëm të trajtimit të personelit, por tashmë është hedhur tabani i saj", theksoi shefi i ekzekutivit. Kryeministri Berisha nuk ka lënë pa përmendur as kreun e PS-së, Edi Rama, duke i bërë një ftesë të hapur për debat përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. "A mund të ketë garë pa rivalë. Le të vijë ballë për ballë me mua. Unë pranoj që nesër", u shpreh Berisha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›