E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rama 2", Kuvendi miraton raportin hetimor

Me 74 votat pro të mazhorancës dhe 2 abstenime, Kuvendi miratoi dje raportin e komisionit hetimor parlamentar "Rama 2". Ligjvënësit e djathtë i kërkuan Prokurorisë së Përgjithshme hetimin e kryetarit të bashkisë, Edi Rama, për dhënien e disa lejeve të ndërtimit në dy mbledhjet e fundit të KRRT-së. Ashtu siç kishte paralajmëruar opozita, nuk ka marrë pjesë në seancën e fundit parlamentare, por kjo mungesë nuk e ka penguar PD-në dhe aleatët e saj të jenë prezentë në sallë dhe të miratojnë disa vendime dhe projektligje të mbetura pezull nga seancat e shkuara. Kryetari i komisionit hetimor, Ferdinand Xhaferri, lexoi në Kuvend raportin e përbërë nga 37 faqe, i cili ishte ndarë në tre blloqe. I pari kishte të bënte me kushtetutshmërinë e këtij komisioni, duke hedhur poshtë pretendimet e kryetarit të bashkisë, pika e dytë kishte lidhje me objektin e hetimit dhe e treta me konkluzionet përfundimtare të cilat sipas Xhaferrit vërtetojnë shkeljet që ka bërë Rama si kryetar bashkie në dhënien e lejeve të ndërtimit. Po dje, Kuvendi miratoi me 73 vota dy dekretet e Presidentit, njëri për shkarkimin nga detyra të ish- ministrit të Punës, Anastas Duro, dhe tjetri për emërimin e ministrit të ri të Punës, Viktor Gumi. Në seancën e fundit, Kuvendi miratoi edhe vendimin për shpërndarjen e fondeve publike për subjektet zgjedhore në zgjedhjet parlamentare që është 68 milionë lekë. Por sërish, me gjithë lutjet drejtuar opozitës ka mbetur për sesionin e ardhshëm projektligji për Gjykatën Administrative. Nismë që mazhoranca nuk e miratonte dot e vetme pasi i duheshin 84 vota, të cilat ajo pa opozitën nuk i arrinte. Për mosmiratimin e këtij projektligji, Kryeministri Sali Berisha kritikoi ashpër opozitën, që sipas tij, bojkotoi seancën. Sipas Berishës, përgjegjës për këtë situatë është kryetari i PS-së, Edi Rama, që ka zgjedhur të veprojë kështu për shkak të interesave të tij personale. "Krijimi i Gjykatës Administrative është vendimi më i mirëpritur nga biznesi shqiptar. Ky ligj hartohet me ekspertizën më të mirë ndërkombëtare. Opozita bojkoton dhe refuzon votat e saj, sepse urdhërohet faktikisht nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, të cilit ky ligj nuk i lejon më ta trajtojë bashkinë si oborrin e tij personal", nënvizoi Berisha nga salla e Parlamentit. Kryeministri theksoi më tej se Rama e kundërshton këtë ligj, pasi i pengon atij favorizimin e firmave të ndërtimit në dhënien e lejeve. Më tej, Berisha theksoi se "ky ligj nuk i lejon më Ramës që nga qindra firma ndërtimi në Tiranë, të preferohen vetëm katër prej tyre. Ky ligj nuk i lejon kryetarit të bashkisë që dhjetëra studio projektimi e qindra arkitektë të shkolluar në vend dhe jashtë, të rrafshohen dhe injorohen për kryeqytetin dhe vetëm dy studio të marrin 50 leje ndërtimi".

Kryeministri deklaroi më tej se shpreson që disa nga partitë e tjera opozitare të ndryshojnë qëndrim dhe të mblidhen në një tjetër seancë për të kaluar ligjin. "Duke shprehur keqardhjen që nuk e votojmë dot sot, mendojmë se pavarësisht fushatës, pala tjetër ose LSI dhe ndonjë nga forcat e tjera që vendos të bashkojë forcat me ne, të mblidhemi në një seancë dhe ta miratojmë këtë ligj në respekt të biznesit", u shpreh Berisha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›