E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Ramës: Dorëhiqu dhe kandido përballë meje

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, për herë të parë i kërkon kryetarit të PS-së, Edi Rama, të lërë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe të bëhet pjesë e garës së zgjedhjeve të 28 qershorit.

"I bëj thirrje zotit Rama: Hajde këtu në Krujë, ngrije kokën lart, ki guxim dhe shihe drejt e në sy Skënderbeun, sepse dashtë Zoti të jep pak forcë të japësh dorëheqjen nga kryetar i bashkisë dhe të dalësh në shesh të mejdanit për të treguar se fundi yt politik është data 28 qershor", tha Kryeministri Berisha. Vetëm tri ditë përpara se partitë politike të dorëzojnë në KQZ listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, kryetari i PD-së ka ftuar kreun e opozitës të bëhet pjesë e këtyre listave, për të qenë përballë tij në garën e nxehtë të Tiranës, nga ku priten të dalin 32 deputetë. "Dil në shesh të burrave dhe mos u fshih pas karriges së bashkisë. Dil, edhe një herë të them, sepse ata që të ndjekin ty, ata socialistë të ndershëm, duan të të shohin ty të garosh për Kryeministër dhe jo të fshihesh pas fustaneve të bashkisë, pas karrigeve të bashkisë", u shpreh Berisha. Duke ftuar liderin e PS-së në duel për Qarkun e Tiranës, shefi i mazhorancës thekson se "pavarësisht nga ato që ke shpifur dhe trilluar, dil, hajde këtu dhe uroj që të të japin pak trimëri, por e sigurt është disfata e thellë, humbja më e madhe që ka njohur ndonjëherë ndokush në zgjedhjet në Shqipëri". Në vazhdim të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Berisha u ndal në qytetin e Krujës, ku inauguroi përfundimin e punimeve të rrugës Krujë-Abazaj, investim me vlerë 38 milionë lekë, si dhe sistemin e ndriçimit të të gjithë rrjetit rrugor të qytetit, investim me vlerë rreth 25 milionë lekë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha inauguroi dhe fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit dhe rikonstruksionin e rrugës para bashkisë së qytetit, investim me vlerë 41 milionë lekë. "Në tetë vitet e qeverisë socialiste, në Bashkinë e Krujës janë investuar 180 milionë lekë, ndërsa gjatë këtyre katër viteve nga Partia Demokratike janë investuar 1 miliard e 550 milionë lekë", tha Berisha. "Në Krujë është kështjella e përjetshme e lirisë së tyre, është qyteti i heroit tonë kombëtar. Unë vij më krenar se kurrë, sepse që nga viti 1468 e deri më 4 prill 2009, Shqipëria dhe shqiptarët në udhëtimin e tyre të mundimshëm përgjithnjë do të prihen nga princi i tyre i pavdekshëm, Skënderbeu", tha Berisha. Kryeministri theksoi gjithashtu se gjatë katër vjetëve që shkuan, Shqipëria u bë pjesë anëtare e NATO-s me të drejta të plota.

"Ne bëmë realitet vizionin e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, rikthyem Shqipërinë në gjirin e familjes së kombeve që u përkasim, bëmë që lufta e Skënderbeut të ndriçojë më shumë se kurrë në historinë tonë kombëtare; Shqipëria në NATO, Shqipëria në Perëndim, Shqipëria në mes të kombeve të qytetëruara të qytetërimit perëndimor", tha ai. Kryeministri Berisha shtoi se "Shqipëria në NATO është vepra jonë më e madhe, është trashëgimia absolute dhe më e shkëlqyer për ne, për fëmijët tanë dhe për brezat që vijnë; është krenaria jonë më e madhe; është siguria më e madhe e lirive tona".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›