Gjinushi: Shqiptarët janë të zhgënjyer, PD-ja i mashtroi
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, zhvilloi dje një takim paraelektoral në zonën e Shijakut. Gjatë kësaj ndalese, Gjinushi theksoi se Partia Demokratike, nga parti e premtimeve të mëdha, është kthyer në parti e mashtrimeve dhe dështimeve të mëdha. PD-ja, tha Gjinushi, premtoi rritje ekonomike 2-shifrore dhe po e mbyll mandatin me një rritje 0,1%. "Premtoi dyfishim të pagave e pensioneve, dhe dyfishoi çmimet e ryshfetet", u shpreh ai. Prandaj, nënvizoi kreu i PSD-së, "ne fitoren e quajmë të sigurt, sepse shumica e popullsisë është totalisht e zhgënjyer nga këto 4 vjet qeverisje". Janë të zhgënjyer pensionistët, shtoi ai, të cilëve ju tha se do të 2-fishoheshin pensionet dhe ato nuk janë rritur as 20 mijë lekë të vjetra, por dhe kjo rritje është e pakrahasueshme me rritjen e çmimeve. "Pagat së fundmi, siç e keni parë, po rriten duke marrë kredi, pra dhe kjo rritje është borxh", u shpreh Gjinushi. Programi ynë qeverisës, tha ai, do të jetë në favor të pensionistëve, të ish-ushtarakëve, minatorëve, të të papunëve, të personave me aftësi të kufizuar. Përparësitë e PSD-së mbeten arsimi, punësimi, shteti ligjor.