E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Pinjollët e PS-së kanë rikthyer kulturën e Bllokut”



Kryeministri Sali Berisha nga Fushë-Kruja ka akuzuar Partinë Socialiste se ka rikthyer kulturën e Bllokut. Sipas tij, me ardhjen në krye të Partisë Socialiste të pinjollëve të Bllokut, në Shqipëri bëhet një propagandë moniste, të cilën etërit do t’ua kishin lakmi. “Sipas saj, në Shqipëri dielli ka ndaluar, sipas saj, ekonomia shqiptare është e rrënuar, sipas saj, vendi po zhytet gjithnjë e më shumë në varfëri, sipas saj, Shqipëria ka rritur borxhin me 800%, paçka se e ka ulur atë nga 70 në 59%”, - u shpreh Berisha në drejtim të Partisë Socialiste, duke shtuar se “sipas kësaj propagande të mirëfilltë kulture Blloku, nuk po ndërtohen rrugë të reja, nuk po ndërtohen shkolla të reja, nuk po ndërtohen ujësjellës të rinj, paçka se po përfundohen me qindra e qindra projekte në mbarë Shqipërinë. Sipas kësaj kulture, shqiptarët janë për t’u mashtruar, shqiptarëve mund t’u servirin çdo gënjeshtër, çdo trillim, çdo mashtrim. Sipas kësaj kulture e keqja jote është e mira e tjetrit”.
Duke i akuzuar socialistët, kryeministri u shpreh se kultura e Bllokut, antikultura e Bllokut, është shprehje e dështimit total të lidershipit të Partisë Socialiste. “Antikultura e Bllokut është dëshmi e faktit se ata, në 20 vite kanë mbetur njëlloj si etërit e tyre. Antikultura e Bllokut është një antikulturë fund e krye kundër integrimit të Shqipërisë në BE”, - u shpreh Berisha. Duke iu drejtuar banorëve të Fushë-Krujës, kryeministri shtoi: “Në emër të kësaj antikulture përpiqet të shkelmohet vota juaj. Në emër të kësaj antikulture përpiqen të dhunojnë votën tuaj, vullnetin tuaj. Në emër të kësaj antikulture u përpoqën të bllokojnë rrugët e vendit, u bllokua bulevardi i vendit. Në emër të kësaj antikulture shpifet dhe trillohet çdo ditë, por unë kam bindjen më të thellë se hijet e së shkuarës s’do të munden të pengojnë kurë dritën e së sotmes dhe së ardhmes sonë”.

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›