E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, si do të vlerësohen ndërmarrjet shtetërore që do të privatizohen

Qeveria miraton kriteret për vlerësimin monetar të ndërmarrjeve

Eljona Ballhysa
Qeveria miratoi dje vendimin për mënyrën e vlerësimit monetar të ndërmarrjeve shtetërore që do të privatizohen. Në bazë të këtij vendimi, të gjitha ndërmarrjet apo objektet e veçuara, mjetet kryesore dhe mjetet e xhiros së ndërmarrjeve, të shoqërive tregtare dhe institucioneve, me kapital tërësisht shtetëror, për të cilat është dhënë miratimi i ministrit përgjegjës për privatizimin për fillimin e procedurave të privatizimit apo të transformimit në shoqëri tregtare, fillimisht do të realizohet vlerësimi monetar i tyre. Vendimi parashikon bashkëpunim midis ministrive dhe pushtetit vendor për identifikimin e këtyre objekteve dhe më pas për llogaritjen e vlerës. Qeveria ka parashikuar që vlerësimi të bëhet në bazë të çmimeve të tregut, si për vlerën e objektit, ashtu dhe për vlerën e truallit mbi të cilin ndodhet objekti. Më parë do të konsultohen me agjencinë e pronave për të parë nëse trualli në të cilin ndodhet objekti ka pronarë të ligjshëm që më pas të merren masa për kompensimin.
Procedura
Vendimi parashikon që i gjithë procesi për identifikimin dhe vlerësimin e ndërmarrjeve shtetërore nis pasi ministri përgjegjës për privatizimin nxjerr urdhrin e miratimit për privatizim. Për të realizuar këtë proces, ministria përgjegjëse për privatizimin e pronës shtetërore ngre një komision të përbërë nga tre anëtarë, i cili verifikon faktikisht objektin. Nëse pas këtij verifikimi rezulton se objekti është i braktisur dhe nuk përdoret nga institucioni që e ka në administrim apo në pronësi, atëherë ministri përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore jep miratimin për privatizim të këtyre objekteve. Nëse institucionet qendrore dhe organet e njësive të qeverisjes vendore shprehen për mosprivatizimin e pasurive të ndërmarrjeve apo të institucioneve që i kanë në varësi administrative, ato duhet ta argumentojnë qartë këtë fakt.
Vlerësimi i pasurisë
Edhe procedurat për vlerësimin e pasurisë shtetërore fillojnë me daljen e urdhrit të ministrit përgjegjës për privatizimin. Vlerësimi i objekteve bëhet nga komisioni i vlerësimit, në përputhje me vlerën reale të tregut. Komisioni i vlerësimit mban përgjegjësi ligjore për vlerësimin e kryer dhe për dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tij. Këto objekte mund të privatizohen ose në bazë të vendimit të djeshëm të qeverisë mund të përfshihet në fondin e kompensimit të ish-pronarëve. Komisioni i vlerësimit inspekton dhe verifikon gjendjen reale të objektit dhe më pas ekspertët vlerësues të këtij komisioni përgatitin dokumentacionin përkatës për objektin dhe për truallin mbi të cilin ndodhet objekti. Më pas vendoset njoftim në mjediset e organit të qeverisjes vendore, për efekt të ish-pronarëve të truallit, nëse ka.
Komisioni i vlerësimit, pas marrjes së gen-planit të përgatitur nga ekspertët, i drejton institucionit të prefektit, në territorin e të cilit ndodhet objekti, kërkesën për konfirmimin e këtij gen-plani. Institucioni i prefektit konfirmon gen-planin e objektit, duke nënshkruar dhe vulosur, dhe i përcjell degës së shoqërive publike dokumentacionin, të nënshkruar dhe të vulosur nga ana e saj. Pas marrjes së gen-planit, të konfirmuar nga prefektura përkatëse, dega e shoqërive publike i kërkon zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme hartën treguese të objektit që do të privatizohet. Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pas marrjes, nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të hartës treguese me të dhënat përkatëse të objektit, i kërkon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave konfirmimin nëse trualli ku ndodhet objekti ka pronarë të ligjshëm, si dhe çmimin përkatës të truallit ku ndodhet objekti, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e çmimeve. Në rastet kur ky çmim nuk ekziston në hartën e çmimeve, atëherë ekspertët vlerësues përcaktojnë çmimin e shitjes së truallit të objektit që do të privatizohet. Afati i plotësimit të dokumentacionit të vlerësimit për ndërtesat dhe ndërtimet, linjat e prodhimit dhe të shërbimit duhet të jetë jo më shumë se 50 ditë nga data e daljes së urdhrit për ngritjen e komisionit të vlerësimit nga titullari, ndërsa për makineritë, pajisjet, mjetet e transportit etj., afati duhet të jetë jo më shumë se 20 ditë nga data e daljes së këtij urdhri.
Debitë
Në këtë vendim është parashikuar se detyrimet debitore dhe kreditore të ndërmarrjeve shtetërore që privatizohen mbyllen në çastin e ndryshimit të pronësisë. Drejtori i ndërmarrjes shtetërore mban përgjegjësi për rritjen e debi-kredive nga data e shpalljes së ndryshimit të pronës shtetërore. Kur bëhet privatizimi i gjithë ndërmarrjes shtetërore, detyrimet debitore dhe kreditore i kalojnë shtetit. Institucioni qendror ose organet e pushtetit vendor ngarkojnë një punonjës të sistemit financiar a një profesionist të lirë, me një kontrate të posaçme për ndjekjen e arkëtimit. Këta kanë të drejtën e shpërblimit nga 5 deri në 10 për qind të shumave të arkëtuara, por jo më shumë se 12 dymbëdhjetë paga bazë të përgjegjësit të financës në këshillin e qarkut ose këshillin bashkiak. Ky shpërblim reduktohet deri në zero nëse nuk zbatohet kontrata. Kjo kontratë duhet të jetë e vlefshme deri në tre muaj dhe pas kësaj veprohet në bazë të ligjit “Për falimentimin”. Kur bëhet privatizimi i pjesshëm i ndërmarrjes shtetërore, detyrimet debitore dhe kreditore të ndërmarrjes i kalojnë për ndjekje administratës për pjesën që mbetet shtetërore.

Komisioni i vlerësimit dhe paga e ekspertëve

Në vendimin e qeverisë është parashikuar që komisioni i vlerësimit të pronës shtetërore kryesohet nga kryetari i degës së shoqërive publike në prefekturën ku ndodhet objekti. Ky komision ka në përbërje ekspertin vlerësues të licencuar, si dhe përfaqësuesin e ndërmarrjes apo të institucionit në administrim të të cilit ndodhet objekti.
Sipas nevojave të procesit të vlerësimit të objektit, nëse është e nevojshme, ministri përgjegjës për privatizimin urdhëron që në komisionin e vlerësimit të marrë pjesë edhe eksperti kontabël apo ekspertë të tjerë të fushës përkatëse. Ekspertët vlerësues në përbërje të komisionit të vlerësimit të pronës shtetërore përzgjidhen nga ministri përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore. Shpenzimet për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit, ku përfshihet pagesa e ekspertëve, bëhen nga ministria përgjegjëse për privatizimin, përveç rasteve kur ministri përgjegjës për privatizimin e pronës shtetërore urdhëron pagesën nga institucione të tjera. Kjo pagesë do të jetë 2 për qind e vlerës së objektit apo të grup - objekteve të vlerësuara, por jo më pak se 60 000 lekë dhe jo më shumë se 300 000 lekë. Pas nxjerrjes së miratimit të privatizimit, ky institucion ngre komisionin e vlerësimit, për vlerësimin e pasurisë. Ky komision kryesohet nga përfaqësuesi përkatës i strukturës administrative dhe në përbërje ka 3 anëtarë, nga të cilët njëri duhet të jetë ekspert vlerësues i fushës përkatëse. Shpenzimet për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit në rastin e mësipërm, mbulohen nga institucioni ose ndërmarrja, në administrim të të cilit ndodhet pasuria. Ngritja e komisionit të vlerësimit për objektet ndërtimore, të cilat kanë qenë në administrim të një subjekti që nuk ekziston më, bëhet sipas urdhrit të ministrit përgjegjës për ekonominë. Komisioni i vlerësimit, në këtë rast, kryesohet nga kryetari i degës së shoqërive publike në prefekturën ku ndodhet objekti dhe përbëhet nga ekspertë vlerësues, të licencuar, sipas nevojave të procesit të vlerësimit.

10 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›