E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Plotësimi i pyetësorit, harta për BE

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, Komiteti Ndërministror i Integrimit mori sot në shqyrtim 8 kapituj të tjerë të Pyetësorit të KE-së, që në total përbëhet nga 35 kapituj.

Kryeministri informoi se kapitujt që shqyrtohen sot trajtojnë politikat e konkurrencës, shërbimet financiare, bujqësinë dhe zhvillimin rural, politikat e sigurisë ushqimore dhe veterinarisë, statistikat, shkencën dhe kërkimin shkencor, arsimin dhe kulturën, politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Duke vlerësuar rëndësinë e tyre, Kryeministri Berisha u shpreh se "në total, këta 8 kapituj përmbajnë rreth 367 pyetje, në përgjigje të së cilave kanë punuar 350 punonjës". Kreu i Qeverisë vlerësoi angazhimin serioz dhe punën intensive që po bëhet për Pyetësorin, por kërkoi që përgjigjet e pyetjeve të jenë më përmbledhëse. "Në rast se përgjigjet do të jenë më sintetizuese atëherë të tjerët do ta lexojnë me kënaqësi Pyetësorin. Statistikat dëshmojnë se nuk janë triologjitë kryeveprat më të lexuara, ndonëse ato janë shkruar nga korifejtë më të mëdhenj të letrave botërore", tha Kryeministri Berisha.

Në përfundim ai vlerësoi se "dorëzimi i Pyetësorit është një proces jashtëzakonisht i dobishëm, sepse mbart në vetvete jo vetëm detyrimin e një bilanci, por edhe të një vizioni".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›