E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Plotësimi, kusht kryesor për marrjen e statusit kandidat

Miratohen 7 kapitujt e parë të Pyetësorit të KE. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu informon rreth kapitujve të përfunduar të Pyetësorit prej 2284 pyetjesh

Plotësimi i Pyetësorit të Bashkimit Evropian ka qenë axhenda e djeshme e mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit. Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Integrimin janë miratuar 7 kapitujt e parë të pyetësorit të Komisionit Europian.
Komiteti Ndërministror i Integrimit ka kaluar një për një të gjitha përgjigjet e dhëna nga administrata shqiptare përpara se të përkthehen dhe t’i dërgohen Brukselit.
“Këto dy muaj punë, u shpreh kryeministri, kanë qenë dy muaj punë të frytshme, intensive, në të cilën nuk besoj të jetë punuar kurrë ndonjëherë mbi një dokument, ashtu siç është punuar në përgjigjet e këtij pyetësori, të cilën e ri them, përbën një lloj provimi për të gjithë ministritë, agjencitë, qeverinë dhe vendin në tërësi”.
Kryeministri Berisha deklaroi para anëtarëve të kabinetit qeveritar se përgatitja e dokumentit të Pyetësorit është tepër i rëndësishëm për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Berisha e konsideroi plotësimin e këtij dokumenti si një fazë me rëndësi që duhet konkluduar në kuadrin e procesit të integrimit me të drejta të plota të vendit tonë në strukturat e Bashkimit Evropian.
“Ky është një takim shumë i veçantë i Komitetit Ndërministror të Integrimit, pasi sot ne mblidhemi për të shqyrtuar përgjigjet e pyetjeve të 7 prej 35 kapitujve që përbëjnë pyetësorin, që Komisioni Europian i ka dorëzuar qeverisë shqiptare dhe në të cilin janë angazhuar mbi 400 ekspertë të të gjitha fushave, si dhe dhjetëra specialistë të huaj të vendeve mike, që kanë kaluar këtë proces me sukses. Përgatitja e pyetësorit është provim për të gjitha ministritë dhe për qeverinë shqiptare”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë, Berisha tha ndër të tjera se Shqipëria duhet të jetë shumë e kujdesshme në përkthimin e përgjigjeve të pyetësorit të Bashkimit Evropian.
“Pas kësaj mbledhjeje dhe miratimit të këtyre kapitujve, puna nuk përfundon këtu. Përkundrazi, mbeten dy momente shumë të rëndësishme, përkthimi i tyre në anglisht dhe kontrolli i përkthimit, në përgjegjësinë e plotë, sepse që anglishtja e Tiranës të përputhet plotësisht me anglishten e Brukselit, duhet të jemi të vetëdijshëm që duhet një punë jashtëzakonisht e kujdesshme. Dhuntia gjuhësore e shqiptarëve është e njohur, ndaj le të shkëlqejë ajo në këtë rast, në mënyrë që të ketë një përputhje sa më të madhe në këtë gjuhë ndërkombëtare. Kjo sepse gjetja e termave të përshtatshëm ka rëndësi të jashtëzakonshme. Ekziston një fjalor i termave të pyetësorit. Ndoshta do të jetë e domosdoshme që në variantin shqip, me kursiv të shënoni termat dhe t’i krahasoni me durim me të gjitha termat korresponduese në anglisht, sepse ndonjëherë, për hir të së vërtetës, mospërdorimi i tyre ndërron qartësisht kuptimin, ashtu siç ndodh edhe në gjuhën shqipe. Ndaj ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në çështjen e përkthimit”, tha kryeministri.
Sipas të dhënave, qeveria duhet t’u përgjigjet 2284 pyetjeve të Brukselit, në mënyrë që më vonë të vlerësohet nëse Shqipëria është gati ose jo, të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Pjesa dërrmuese e pyetjeve të Pyetësorit ka marrë tashmë formën zyrtare të përfundimit ndërsa po punohet për pjesën e mbetur.
Një fakt të tillë e konfirmoi edhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, gjatë informacioneve që ajo dha në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Integrimin.
Bregu deklaroi se për kapitullin e punësimit janë zhvilluar shumë takime, ndërsa institucionet që kanë kontribuar janë Instituti i Sigurimeve shoqërore, Ministria e Punës etj.
“është prokuruar ndër të tjera edhe kapitulli i Prokurimit Publik, për të cilin kanë kontribuar dy institucione, ai i Agjencisë së Prokurimit Publik dhe ministrisë së Ekonomisë”, tha Bregu.
Ajo theksoi se është përfunduar edhe kapitulli i bujqësisë. Sipas saj, po vazhdon puna e institucioneve për plotësimin sa më korrekt të Pyetësorit dhe se e gjithë administrata shtetërore është e impenjuar në përfundimin sa më parë dhe në mënyrë të kompletuar të këtij procesi.
Për realizimin e pyetësorit të KE, deri tani janë angazhuar 1200 punonjës të administratës. Në përfundim, ministrja Bregu kërkoi nga anëtarët e KNI-së ruajtjen e ritmit të punës dhe respektimin e kalendarit kohor në përgatitjen e kapitujve të pyetësorit.

7 nga 35 kapitujt që përmban pyetësori, të shqyrtuara nga KNI

Kapitulli 1, Lëvizja e lirë e punëtorëve;
Kapitulli 5, Prokurimi publik;
Kapitulli 13, Peshkimi;
Kapitulli 14, Politikat e transportit;
Kapitulli 17, Politikat ekonomike dhe monetare;
Kapitulli 21, Politikat e transportit transeuropian;
Kapitulli 29, Doganat.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›