“Opozita të mos pengojë funksionimin e institucioneve demokratike”

SHBA kundër bojkotit të PS-së
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen kundër bojkotit institucional të opozitës dhe apelojnë për gjetjen e menjëhershme të një rruge të ndërmjetme për kapërcimin e ngërçit politik. Këtë qëndrim SHBA-të e kanë shprehur përmes nënsekretarit të shtetit, Xhejkob Lju, i cili nënvizoi se vendosja e dialogut ndërmjet palëve politike është një faktor i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike dhe rritjen e stabilitetit politik në Shqipëri.
Nënsekretari amerikan i shtetit, Xhejkob Lju, deklaroi nga Zagrebi gjatë një takimi me Presidentin Topi, ku po marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri kroat, se “inicimi i dialogut duhet t’i shërbejë Shqipërisë dhe institucionalizimit demokratik të saj”.
Nga ana e tij kreu i shtetit u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës. Gjithashtu, dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se mbledhja e tryezës është një hap konkret dhe pozitiv që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive. Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të njohin dimensione të reja në të ardhmen.
“Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë, si në rrugën e transformimeve të brendshme demokratike e në konsolidimin e demokracisë shqiptare, ashtu edhe për angazhimin e vazhdueshëm e kontributin e madh në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO”, është shprehur Topi.
Nënsekretari i shtetit, Xhejkob Lju, vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon dhe stabilitetin që ka gjetur Ballkani pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.