Berisha: Garantimi i shumicës për hetimin, një koncesion që s’na kërkohet në asnjë rekomandim ndërkombëtar
Kryeministri përshëndet qendrimet e fundit të ndërkombëtarëve, duke i garantuar opozitës shumicën në komisionin e pritshëm hetimor, pavarësisht se kjo kërkesë nuk përmendet në asnjërin prej raporteve apo rekomandimeve të komunitetit ndërkombëtar.
Berisha në “Opinion”: “Kompromisi, vetëm për zgjedhjet, jo këmbime pushtetesh”
Kryeministri i deklaron opozitës dhe përfaqësuesve socialistë të saj, që të dëgjojnë apelin e ndërkombëtarëve, lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Duke folur në parlament para deputetëve të mazhorancës, Berisha deklaroi se opozita duhet t’i kushtojë vëmendje thirrjes së përsëritur të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, Zhoao Soares, i cili duke iu referuar raportit përfundimtar mbi zgjedhjet, vlerëson procesin dhe kërkon kthimin e opozitës në vendin e saj, në parlament.
“OSBE vlerëson zgjedhjet si më të mirat e zhvilluara ndonjëherë. I bëhet thirrje opozitës që të rikthehet në parlament. Ka pasur një deklaratë nga Presidenti i OSBE, Soares, i cili ka treguar një interes të veçantë për procesin e zgjedhjeve, për përgatitjet që po bëheshin për zgjedhjet dhe ka bërë vlerësimin e tij objektiv në mbledhjen e Komitetit të përhershëm të Asamblesë Parlamentare të OSBE në Athinë. Soares, i referohet gjerësisht konkluzioneve të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri. I bën thirrje në mënyrë të përsëritur opozitës që t’i japë fund menjëherë bojkotit dhe të zërë vendet në parlament”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë iu referua edhe çështjes së hetimit të zgjedhjeve, me anë të ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar.
“Presidenti Soares, mirëpret vullnetin e mazhorancës dhe opozitës për ngritjen e një komisioni parlamentar për hetimin e plotë të zgjedhjeve në respekt të plotë të Kushtetutës së vendit dhe vendimeve të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese.
Unë, jam këtu për të garantuar Asamblenë Parlamentare të OSBE dhe Presidentin Soares, për vullnetin e plotë të mazhorancës për tu angazhuar në reforma të thella dhe të gjithanshme, me opozitën, për të respektuar plotësisht të drejtën e saj, për komisionin hetimor parlamentar, për të trajtuar jo ato probleme që kanë vendosur gjykatat dhe për të cilat kushtetuta dhe vendimet e gjykatës Kushtetuese nuk autorizojnë as mazhorancën dhe as opozitën. është në interesin më të mirë të vendit, që edhe ky dokument i ri, i lëshuar sot nga kryetari i Asamblesë Parlamentare i OSBE-së, një përfaqësues i shquar socialist, të cilin e vlerësoj për mbështetjen ndaj tryezës, ndaj të cilës mund të dilet me rezultate plotësisht të prekshme, me rezultate me të cilat bëjmë të mundur kthimin e opozitës në Kuvend”, deklaroi kryeministri.
Ndonëse raporti, tha kryeministri, nuk kërkon që mazhoranca t’i japë shumicën pakicës, por unë e kam këtë zotim dhe e mbaj, një komision hetimor parlamentar, e garantoj opozitën se do i krijojmë asaj mundësi reale që në çdo votim të jetë shumicë, si një dëshmi, për të dhënë përgjigjen më të mirë ndaj shqetësimeve të saj.
Kryeministri theksoi se në të gjithë këtë debat që zhvillohet, koncesioni më madhor i vërtetë, është ky që bëhet, për hir të ardhjes së opozitës në parlament.
“Nëse lexoni dokumentet ndërkombëtare, në asnjë rresht nuk thuhet që komisioni parlamentar i kërkuara nga opozita, t’i japë kësaj të fundit shumicën. Jo. Kjo nuk i kërkohet kurrë një shumice të votuar nga shqiptarët me vullnetin e lirë”, tha Berisha.
Shefi i ekzekutivit theksoi se mazhoranca është e gatshme t’i japë opozitës të gjitha garancitë se do të mund të realizojë të plotë të gjithë hetimin e saj. “Edhe ky dokument, duhet të them se shton shanset reale që opozita të dëgjojë thirrjet për të thyer bojkotin”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.
Berisha në “Opinion”: “Kompromisi, vetëm për zgjedhjet, jo këmbime pushtetesh”/Kryeministri Sali Berisha mbrojti edhe njëherë qëndrimin e shumicës parlamentare, përballë kërkesave dhe pretendimeve të pakicës së Edi Ramës, që ende nuk ka hyrë në Kuvend. Gjatë emisionit “Opinon” nën drejtimin e gazetarit Blendi Fevziu, Berisha u shpreh i gatshëm për çfarë do lloj kompromisi, por duke eliminuar që në krye të herës ëndërrat dashakeqe të opozitës për marrëveshje mbi vendimet e gjykatave apo edhe të ndarjes së pushteteve. Në këtë aspekt, kreu i qeverisë theksoi se nëse flasim për vendime të gjykatave kundër një partie, më e dëmtuara është Partia Demokratike, pasi i është marrë një mandat, për një çështje teknike. Por, tha kryeministri, partia në pushtet nuk mund të dalë kundër vendimit të gjykatave dhe as nuk mund të kërkojë kthim mbrapsht të tyre.
“Vendimet janë marrë kundër Partisë Demokratike. Mazhorancës i është marrë një mandat në qarkun Fier, nga një vendim i gjykatës dhe kjo, për një problem tepër teknik që ne e kemi trajtuar. Për pretendimet e opozitës ne i kemi dhënë mundësinë të ketë shumicën në komisionin hetimor. Ndërkombëtarët dhe veçanërisht, Suares, nuk e ka kërkuar një gjë të tillë, por ne e legjitimojmë këtë. Ky është lëshimi, një lëshim shumë i madh. Të deklarohesh se njoh rezultatin, por jo institucionet, është e papranueshme. Deklarata e Suares është në favor të Shqipërisë. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese thonë se nuk ka person të lirë që çështjet gjyqësore të bëhen çështje kombëtare. Ky vend ka patur shumë probleme, por nuk është tentuar kurrë ndërhyrja e politikës në vendimet e gjykatave. Të mendosh të kapësh në dorë çështjet e gjykatave, është njësoj si të kapësh demokracinë”, u shpreh kryeministri.
Berisha u shpreh i bindur se është ai dhe mazhoranca që mund të dalë i fituar nga hapja e kutive, pasi është i bindur për marrjen e mandatit në qarkun Fier, pas një vendimi gjykate.
Lidhur me një kompromis të mundshëm mes mazhorancës dhe opozitës, shefi i ekzekutivit, vuri në dukje se shumica ka bërë dhe do të bëjë lëshime, por përjashtohet në mënyrë kategorike çdo dëshirë e opozitës për ndarje apo kompromise pushtetesh.
“Mazhoranca ka bërë dhe do bëjë lëshime. Jo ndarje pushtetesh, flasim për zgjedhjet. Asgjë të kësaj natyre nuk është në tryezë. Kompromisi është plotësisht i mundshëm. As z.Rama as unë nuk mund të shprehemi se nuk ka rrugë të mesme. E rëndësishme është vullneti. Nuk janë zgjedhjet e parakohshme zgjidhja. Zgjedhjet do të zhvillohen të dielën e fundit të vitit 2013”, - deklaroi Berisha.
Duke u ndalur te pretendimet e opozitës dhe problemet në numërim të propaganduara mediatikisht, por që nuk është bërë evident asnjë dokument, Berisha tha se opozita duhet të lexojë drejt vendimet e gjykatave.
“Gjykata ka vendosur se nuk mund të ketë rinumërim pa patur kundërshtime. Të hetosh listat e votimit është marrëzi, në një kohë kur në Tiranë pjesa dërrmuese e njësive drejtohen nga Rama. Për çështjet që u takojnë gjykatave është gjithçka e mbyllur, për të tjerat mbetemi të hapur. Nëse flasim për një transparencë të vyer, në historinë botërore të zgjedhjeve, numërimi i votave në Shqipëri ka qenë në një transparencë absolute. Këto vota u treguan, u fotografuan, u transmetuan në ekran, në kohë reale në KQZ”, tha Berisha, duke shtuar se votat u aprovuan me firmat e 20 mijë komisionerëve të pozitës dhe opozitës.
“Nëse PS ka qoftë edhe një dokument të vetëm që të faktojë problemet, le ti bëjë publike. Votat janë firmosur, janë transmetuar në kohë reale, si te KQZ dhe te shoqata që bënte monitorimin. Rinumërimi, është një problem dhe kthehet në një precedent të rrezikshëm. Kjo nuk ndodh kurrë në histori. Ka vendos një gjykatë, e cila është konsensuale. Gjykata e Apelit i ka dhënë formën përfundimtare kërkesave të opozitës”, - deklaroi Berisha.
Kreu i qeverisë citoi nenin 116 të Kodit Zgjedhor, i cili është një nen unik, neni që jep sigurinë më absolute në të drejtën e kundërshtimit gjatë procesit të numërimit. “Ky nen përcakton; mjafton një vëzhgues që të ngrejë dorën gjatë numërimit, pas konstatimit të një problemi dhe procesi ndërpritet. Le ti lemë menjanë deklaratat mediatike. Neni 138 i Kodit Zgjedhor, flet qartë se nëse kërkesa për rinumërim bëhet nga 2 anëtarë të KQZ, atëherë procesi rifillon edhe njëherë. Pra, kjo gjithmonë gjatë procesit të numërimit. është e sanksionuar në kod. Kundërshtohen vetëm votat që ende nuk janë miratuar. Ky kod i ka dhënë shumicën opozitës në gjysmën e Shqipërisë dhe qeverisë pjesën dërrmuese në gjysmën tjetër”, theksoi Berisha.
Përsa i takon problemeve në 1/3 e qendrave të numërimi, Berisha tha se nuk ka patur asnjë provë për manipulim, por njëherazi theksoi se në 12 prej tyre, kanë dominuar komisionerët socialistë.
“Si rregull, manipulon qeveria, por nuk ka asnjë numrim të parregullt. 12 prej këtyre 22 qendrave të shpallura si problematike janë të dominuara nga komisionerët socialsitë, të cilët kanë zvarritur procesin”, tha kryeministri.
Duke u ndalur te deklaratat e kryesocialistit, Berisha tha se ato janë kontradiktore; Rama kundër Ramës.
“Unë fitova për një humbje, thotë ai. Ka një moment teknik elektoral. Teknika ime është e ndryshme. Unë jam teknika e koalicionit. Unë bëj dhe qeveris me koalicione. Z.Rama, është një njeri antikoalicion. Nëse unë shkoj vetëm me partine time, padiskutim mbledh vota më shumë, por me grupin dal fitimtar. Unë ndjek linjën e fitores. Fitova në 2005-ën, por në këto zgjedhje kam fituar më shumë se 180 mijë vota në krahasim me zgjedhjet e katër viteve më parë”, deklaroi në vijim, Berisha.
Në përfundim, kryeministri Berisha ritheksoi ngritjen e komisionit hetimor, ku opozita mund të ketë shumicën aty, duke e konsideruar këtë si një moment kyç për rikthimin e saj në parlament.
Kryeministri iu referua edhe proceseve të integrimit, duke u ndalur veçanërisht te liberalizimi i vizave, ku dha garanci të plotë, për të gjithë shqiptarët se hyrja e Shqipërisë në “Schengen” do të bëhet brenda vitit të parë të mandatit të dytë të kësaj qeverie.