E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Po pengohen hetimet për 21 janarin, nuk tolerojmë

Megjithatë, kryeministri shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht me organet e hetimit. “Po bëhet gjithçka për të penguar një proces jetik dhe vendimtar për vendin, hetimin e pavarur të ‘ngjarjes së bulevardit’. Pas ardhjes së prokurorit të SHBA-ve, qeveria ka vendosur bashkëpunim të plotë me institucionin e Prokurorisë së këtij vendi. Natyrisht qeveria mbetet për një hetim të besueshëm, të plotë, të pavarur dhe të gjithanshëm”, tha Berisha.

Kryeministri shtoi se nuk do të lejohet që të pengohen hetimet. “Pengesa ndaj hetimit nuk do të tolerohet. Askush nuk mund ta parandalojë këtë proces jetik”, shtoi kreu i qeverisë.  Sipas tij, çdo ditë në media botohen dosje sekrete të hetimit dhe fabrikohen shpifje, si fshehja e serverit të Gardës së Republikës.

“Ka gjashtë ditë që kjo qeveri i është përgjigjur çdo kërkese të ardhur, kjo edhe në dijeni të ekipit që erdhi për të kontribuar në këtë hetim. Por janë konstatuar shkelje të tjera të rënda të procedurës dhe marrëveshjeve të bëra. Qeveria është e interesuar më shumë se kushdo tjetër për hetim të plotë dhe të gjithanshëm të rrethanave në të cilat humbën jetën katër qytetarë”, vijoioi kryeministri.

Duke folur mbi një lajm të publikuar sot, sipas të cilit një nga demonstruesit u vra nga plumbi rikoshet i Gardës së Republikës, kreu i qeverisë pyeti se nëse njëri nga personat u vra në këtë mënyrë, po të tjerë kush i ka vrarë. “Mirë njeri që ishte nga rikosheti, siç e botojnë vetë në media, po të tjerët?. Kush ishte dora e zezë? Kush ishin rrethanat? Është kjo pjesë e skenarit se unë do kaloja mbi kufoma? Hetimi do të jetë i plotë për çdo gjë. Askush s’mund të pengojë këtë proces jetik dhe nuk mund ta parandalojë atë. Ftoj të gjithë qytetarët të kontribuojnë në hetimin e kësaj ngjarjeje. Shpreh mirënjohjen për qindra dokumente të sjella”, përfundoi Berisha. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-02-07 17:40
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›