E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dërgohet në gjykatë mjeku i akuzuar për korrupsion

Autori i Lajmit: red.
Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim mjekun e akuzuar për korrupsion, Kastriot Dautaj. Pas afro një vit hetimesh, organi i akuzës ka dërguar dosjen në gjykatë dhe shumë prova. Nga burimet pranë organit të akuzës mësohet se deri më sot janë grumbulluar në total 20 padi për ryshfete në ngarkim të mjekut. Zyra e antikrimit ekonomiko-financiar kishte siguruar informacione se Dautaj, i cili ushtronte profesionin e mjekut edhe në disa klinika private, kishte dy llogari bankare të pajustifikueshme. Këto para, rreth 635 mijë dollarë ishin diktuar edhe nga zyra e Pastrimit të Parave, e cila kishte sinjalizuar organet e hetimit. Burime nga policia thanë se fill pas dyshimeve se mjeku Dautaj kryente korrupsion pasiv u kërkua bashkëpunimi i prokurorisë. Kjo e fundit autorizoi përgjimin e komunikimeve telefonike të të dyshuarit Kastriot Dautaj, si dhe përgjimin e komunikimeve ambientale në vende publike si dhe vëzhgimet e filmimet e fshehta policore. Pas hetimeve të policisë, për rreth gjashtë muaj, një grup operacional është zhvendosur në pavijonin ku kryente detyrën mjeku Dautaj. Policia ka nisur vëzhgimet me qëllim kapjen në flagrancë të mjekut. Oficerët e policisë kanë pritur përfundimin e operacionit të parë që ka kryer Dautaj dhe, pasi janë informuar për pacienten dhe babanë e saj, janë vënë në ndjekje të këtij të fundit. Menjëherë pasi Ibrahim Hoxha, babai i pacientes Luljeta Hoxha, ka dalë nga zyra e mjekut urolog, ka ndërhyrë policia. Nuk është dashur ndonjë kontroll i imtësishëm nga ana e policisë për t i gjetur 500 mijë lekët e vjetra në xhepin e përparëses së bardhë të mjekut urolog.
Ky lajm është publikuar: 01/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›