E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Synojmë fitoren e dhjetë deputetëve në Qarkun e Fierit

Kreu i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje gjatë një takimi në Lushnjë dhe Fier se çdo votë për këtë parti do të thotë fitore për dhjetë kandidatët e saj në këtë qark. "Çdo votë e juaja sjell 10 deputetë për PS-në nga Qarku i Fierit", deklaroi ai.

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, nisi nga Fieri zyrtarisht fushatën elektorale. Kreu i PS-së zhvilloi dje një tur takimesh në Lushnjë e Fier. Në qytetin e Lushnjës, Rama u prit nga kreu i bashkisë, Albert Sanxhaku, i cili vetëm tri ditë më parë ju bashkua PS-së pas largimit nga LSI-ja. Në dy takimet elektorale Rama shoqërohej nga 16 kandidatët për deputetë të PS-së në Fier. Kreu i PS-së i dedikoi një mesazh të veçantë kandidatit më të ri të kësaj partie, djalit të deputetit të vrarë në fillim të këtij muaji, Anduel Xhindi. "Sot këtu nuk jemi të gjithë. Sot unë do doja që të ishte këtu edhe dikush që për fat të keq mungon. Me këtë rast unë dua që me një duartrokitje të përshëndes të gjithë atë që bëri i ati dhe njëkohësisht kurajën për të vazhduar të mirëprisni deputetin më të ri të Qarkut të Fierit, Anduel Xhindi", tha ai. Nga ana e tij, Anduel Xhindi ka falënderuar Ramën në emër të të gjithë rinisë, si dhe në emër të kujtimit të të atit. Rama në fillim të fjalës së tij është përqendruar te platforma e PS-së. "Miqtë e mi, më lejoni në radhë të parë t‘ju uroj mirënjohje të gjithë atyre njerëzve të këtij rrethi, të këtij qarku, që na mbështesin ne socialistët. Uroj për mirënjohje gjithashtu të gjithë njerëzit e Shqipërisë, që gjatë gjithë kësaj periudhe rrugëtimi dhe vullneti më bënë pjesë të shpresave dhe vuajtjeve të tyre, në udhëtimin më të jashtëzakonshëm të jetës sime. Ky udhëtim që më çoi në çdo anë dhe në çdo cep të Shqipërisë, më ka dhënë dashuri më të madhe për vendin me një përmasë tjetër, dhe ka ndikuar tërësisht në vendimet dhe zgjedhjet e mia si kryetar i bashkimit më të madh të shqiptarëve dhe shqiptareve", deklaroi ai. Më tej, kreu socialist shpjegoi se ndryshimi i madh nuk mund të ndodhë pa ndryshuar politikën dhe mënyrën e politikës së re, nuk mund të ndryshohet pa shembur muret e politikës së vjetër, e cila ka regjistruar politikën e hasmërive. "Kjo bindje dhe kjo nevojë e domosdoshme për ndryshim duhet kryer për ta çuar më tej të majtën. Ndryshimi nuk mund të ndodhë pa ndryshuar rregullat e lojës së vjetër që mbështetet tek akuzat e shpifjet. Kjo bindje dhe nevojë më ka kthyer këtu për t‘u thënë se dua të bëhem Kryeministri i Shqipërisë, që përmbajtja e politikës së vjetër të shterojë dhe të lindë një politikë e re e juaja, bashkë me ju, për ju dhe me ju", tha Edi Rama.

Gjatë prezantimit të 16 kandidatëve për deputetë, Edi Rama ka shfaqur edhe synimin që bashkimi i së majtës ka për Qarkun e Fierit. Rama ka thënë se "çdo votë e juaja sjell 10 deputetë për PS-në nga Qarku i Fierit". Ndërsa në Lushnjë, kreu i bashkisë, referuar largimit të tij nga LSI-ja, tha se ashtu si dhe në momentin e marrjes së vendimit për t‘u larguar nga LSI-ja, edhe sot premtoj se Lushnja do të pësojë ndryshime si Tirana me Edi Ramën, pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku do të fitojë bindshëm bashkimi i së majtës".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›