E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nën arrest

Që të mos dihet më nëse jam në burg ose jashtë tij sërish ma zëvendësuan paraburgimin me arrest shtëpiak. U arrestua. U lirua. U arrestua. U lirua… Lajmi i vjetër është lajm i ri. Lajmi i ri është lajm i vjetër. Deri atëherë kur nuk ka më lajm. Deri atëherë kur të vlerësohet se është arritur indiferenca (e imponuar) e pranuesve të lajmeve. Ndërkohë, unë s'jam liruar. Jam tërë kohën nën arrest. I izoluar dhe nën mbikëqyrje të rreptë. Që të mos veproj dhe jo aq për atë që kam vepruar. Madje, as për veprimet e ardhshme sa për qëndrimet e tashme dhe konsistencën e tyre. Në aktvendimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës që mban datën e ditës së djeshme, duke iu referuar fjalimit tim 'Arbitrariteti i Drejtësisë Policore' në seancën e konfirmimit të aktakuzës, pikëpajmet e mia politike cilësohen si tepër radikale. Ja se me çfarë merret gjykata! Sido që të jetë, duke qenë se nuk e pranoj atë, sepse e kuptoj karakterin e saj politik dhe funksionimin policor, për vendimet e saj nuk kam respekt, para së gjithash, për shkak se, si gjithnjë, nuk më bëjnë përshtypje.

Mirëpo, situata ime është veçse shprehje e situatës së përgjithshme në të cilën ndodhet populli i Kosovës. I gjithë populli ynë është nën arrest. I izoluar dhe i mbikëqyrur. I privuar nga liria dhe të drejtat. Arresti i vazhdohet pak nga pak dhe pandërprerë. Me premtime që mbulojnë zhgënjimet nga premtimet paraprake. S'ka dyshim se është lojaliteti i pakusht dhe serviliteti i pafund i negociatorëve kosovar ai që e mundëson dhe, sidomos, e lehtëson këtë arrest. Ata fillimisht besuan ose gënjyen që bashkësinë ndërkombëtare e kanë në anën e tyre. Se bashkësia ndërkombëtare do të ndjek qëndrimin kosovar për pavarësi dhe mandej Serbia do të detyrohet disi (sic!) ta ndjek pas bashkësinë ndërkomëtare. Mirëpo, bashkësia ndërkombëtare propozoi kompromisin e pakos së Ahtisaarit dhe ishin negociatorët kosovar ata që e ndoqën bashkësinë ndërkombëtare e jo anasjelltas siç premtohej dikur. As pjesa e dytë e skemës së imagjinuar nuk doli e saktë. Serbia nuk e ndoqi bashkësinë ndërkombëtare dhe e refuzoi edhe pakon e Ahtisaarit mjaft të favorshme për të. Ajo donte më shumë se aq edhe për shkak se e dinte mirë se mundet edhe më shumë. Gjithashtu u mësua se bashkësia ndërkombëtare nuk është bashkësi ndërkombëtare. Se aty është Rusia e nënvlerësuar. Se ajo na qenka faktor aq i rëndësishëm saqë vendimtar për ndryshimin e Rezolutës 1244. Se nuk paska qenë e rastësishme që Rusia atëbotë, para më shumë se tetë vjetësh, e pranoi këtë rezolutë të cilën politikanët kosovar përherë e fusnin nën qilim. Megjithatë, drejtimi i sugjeruar prej skemës iniciale të negociatorëve kosovar është po ai. Kahja doli se është e kundërt. Bashkësia (e riformuluar) ndërkombëtare po e ndjek Serbinë (dhe Rusinë) në qëndrimin e palëkundur të saj ndërsa prej Grupit Negociator të Kosovës po kërkohet që ta ndjek këtë ndjekje ndërkombëtare. Prandaj po kemi negociata të reja. Është më keq sesa varianti jooptimist: kur nuk ka marrëveshje ndërmjet palëve që i kënaq të dyja palët atëherë ka marrëveshje jashtë palëve që i lë të pakënaqura të dyja palët. Përkundrazi, insistohet me çdo kusht në marrëveshje ndërmjet palëve. Kjo do të thotë se kahja e ndjekjes së qëndrimeve e cila medoemos shpie në përqafim me Serbinë është betonuar.

Koha është armiku i aktualitetit të veçantë. Jo edhe për parullën tonë të parë: JO NEGOCIATA – VETËVENDOSJE!. Aktualiteti e me këtë edhe kuptimi i saj sa vie e rritet. Në këtë parullë jemi ne. Ajo është vetë qenia e popullit. Qenia si liri.

Të gjithë ju që jeni të interesuar në ditët në vijim do të mund të më vizitoni, takoni e intervistoni. Banoj në lagjen Dardania me adresë: Kroi i Bardhë, Hyrja 3, Kati 4, Nr.11. Dy policë janë te dera. Ata rrinë 24 orë në ditë dhe për çdo ditë aty. Kujdesen për sigurinë… tonë? Jo. Kujdesen për sigurinë e urdhërave të regjimit.

Prishtinë, 12 korrik 2007
Albin Kurti

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›