Berisha: Presidenti do të vijë nga tre fusha. Tryeza e partive nuk është e fisshme. Do kërkojmë konsensus të gjerë
Kryeministri tha se do vijojnë të kërkojnë konsensus me opozitën për emrin e ri. Berisha shtoi se marrëveshjet më të mëdha me Ramën i ka arritur pa e takuar. Ai deklaroi se nëse dështon votimi i parë, nuk ka problem
Kryeministri Sali Berisha deklaroi pas takimit me kreun e PBDNJ, Vangjel Dule, se është i vendosur për të kërkuar një konsensus të gjerë për presidentin.
Pavarësisht faktit se marrëveshja e 2 shtatorit 2009 përcakton angazhimin e PD dhe LSI për ta zgjedhur me mirëkuptim presidentin e Republikës, ne jemi të vendosur që këtë mirëkuptim ta shtrijmë në të gjithë spektrin politik parlamentar dhe të arrijmë në një kandidaturë që votohet gjerësisht. Do ta ftoj opozitën, sepse gjykoj që është në interesin e saj më të mirë, të investojë në mbështetjen e një personaliteti që do zgjidhet bashkarisht, dhe në 5 vitet që vijnë do mund ti qëndrojë besnik Kushtetutës edhe për detyrimin që ka nga votëbesimi që i bëhet nga i gjithë spektri politik, që nënkupton për të një detyrim madhor, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se Dule po lobon për emrin e Nanos, por ai vetë nuk dha asnjë emër.
Qëndrimet tona i kemi shprehur, zoti Dule i ka shprehur. Unë jam plotësisht dakord që çështja e presidentit është e politikës. Ne kemi rënë dakord me LSI që të konsiderohet edhe drejtësia dhe diplomacia. Dule lobon fuqishëm për zotin Nano dhe unë nuk jam në dijeni të rezultateve të lobimit të zotit Dule. Ne kemi shprehur qëndrimin tonë, tha Berisha.
Sipas kreut të PD, një tryezë e partive për presidentin nuk është e fisshme.
Një tryezë e gjithë partive politike përbën një moment shumë të pafisshëm. Sepse nëse merr dhe heq emra, nuk bën proces të fisshëm. Prandaj të gjejmë mënyrat e komunikimit, e kam fjalën për opozitën, që ta shndërrojmë në një proces dinjitoz. Opozita ka bërë një hap, duke mos i quajtur kushte kërkesat e saj, tha Berisha.
Në fund kryeministri deklaroi sërish se presidenti do dalë nga tre fusha. Emrat do jenë nga tre fusha, diplomacia, politika dhe drejtësia. Të them që nesër mund të arrijmë konsensusin, mundet. Por edhe nëse shtyhet votimi, nuk ka problem. Të gjitha marrëveshjet e mëdha me Ramën i kam arritur pa e takuar. Nuk është normale që të shkojmë në votim pa PS-në.
