Rama: Tryeza e kryetarëve të mblidhet sa më shpejt. Nëse raundi i parë do digjet, procesi hyn në krizë
Pak pasi Sali Berisha e quajti jo të fisshme tryezën e krerëve të partive, Rama i bën thirrje Berishës që të ulen si drejtues partish parlamentare. Ndërkohë Rama tha se vendi mund të hyjë në krizë pas dështimit të raundit të parë të votimit për presidentin.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur përpara deputetëve të partisë së tij, tha se tryeza e kryetarëve të partive duhet të realizohet më shpejt për të diskutuar katër çështjet e ngritura nga PS, të cilat sipas Ramës janë edhe kushtet e Perëndimit.
Unë siguroj publikun dhe sigurova edhe trojkën se nuk do reshtim për të hapur rrugën e dialogut dhe komunikimit me çdo palë. Tryeza mes kryetarëve të partive parlamentare duhet të bëhet sa më parë. Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë se çfarë thonë të tjerët, ballë për ballë, sy më sy. Sipas nesh, raundi i parë digjet pa kandidatë dhe hyjmë në krizë. Por kriza ka dy anë të medaljes. Ajo mund të kthehet edhe në një shans. Unë dua të shpresoj se do të ndodhë kjo, tha Rama.
Kryetari i PS e nisi mbledhjen e grupit duke folur për raportin e Departamentit të Shtetit.
Raporti i DASH për vitin 2011, prezantuar nga sekretarja Klinton, është një pasqyrë ku Shqipëria duket vërtet keq në sytë e mikut dhe aleatit më të madh strategjik. Gjithçka tregon ajo pasqyrë është alarmante, që duhet të vërë në alarm të zgjedhurit, por edhe zgjedhësit e këtij vendi. Është vështirë të gjesh aty një fushë që do e bënte Shqipërinë demokraci funksionale, tha Rama.
Berisha refuzon kokëfortësisht përmbylljen e reformës zgjedhore, edhe pse DASH thotë qartë se në Shqipëri është minuar e drejta më themelore, e drejta e votës. Ajo që raporti e thotë troç për KQZ-në e Arben Ristanit, flet për drejtësinë e kërkesës sonë për ndryshimin e saj. Këmbëngulja e Berishës për ta mbajtur, flet hapur për synimin e tij për të vjedhur zgjedhjet.
Kjo pasqyrë vërteton drejtësinë e shqetësimeve të ngritura nga ne me anë të katër pikave. Dje kryeministri i cilësoi pikat tona si ultimatume për të bllokuar rrugën e sukseseve të tij imagjinare drejt BE. Por ato janë katër kushte parimore dhe themelore të vendosura nga vetë Bashkimi Europian në vigjilje të provimit tonë të vjeshtës. Na ndihmoni, që tu ndihmojmë, na tha presidenti i Bundestagut kur e takuam për ti kërkuar mbështetje për provimin tonë në Bruksel. Na ndihmoni që ti ndihmojmë, u tha parlamentarëve shqiptarë komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle, nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë, vijoi kryetari i PS.
Edi Rama ka bërë më pas një sqarim në lidhje me disa pika, për të cilat foli dje kryeministri Sali Berisha.
Më lejoni të bëj edhe disa sqarime të nevojshme lidhur me këto pika për të shpërndarë hirin që Berisha u hodhi në sy shqiptarëve.
E para, kryeministri tha se PS dashka të imponojë me çdo kusht numërimin elektronik dhe se kjo është arsyeja pse reforma zgjedhore paska ngecur. Jemi shprehur se jemi të gatshëm të negociojmë zgjidhjen e arsyeshme bazuar në rekomandimet e ODIHR.
E dyta, kryeministri tha se PS dashka të imponojë një ndryshim që synon bllokimin e zgjedhjeve me dy anëtarë partiakë në KQZ. Kemi kërkuar të reformojmë një nen që ishte çelësi i konsensusit në vitin 2009, që Berisha e flaku në det. Ne kërkojmë transparencë, në mënyrë që asnjë komisioner të mos jetë i pakapshëm kur falsifikon materialet zgjedhore. Në këtë pikë ODIHR ka mirëkuptim. Madje ne kërkuam që materialet zgjedhore të shërbejnë vetëm për hetim.
E treta, kryeministri shmanget nga ajo që është nyja për të zgjidhur reformën zgjedhore. Kjo nyje është KQZ, e cila është damkosur si më keq si në raportin e ODIHR dhe atë të DASH. Si mund ta imagjinojë Berisha që ne të pranojmë një reformë zgjedhore që nuk garanton largimin e Ristanit dhe zgjedhjen e kryetarit me konsensus ose me ballafaqim kandidaturash. Berisha kërkon që ne të pranojmë kandidaturën e tij. Është e pamundur. Nëse Berisha nuk do të mbajë në majë të KQZ killer-in e zgjedhjeve, zgjidhja është e thjeshtë, tha Rama.
