E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Presidenti është në të drejtën e tij kushtetuese për ligjin e dosjeve”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha e ka cilësuar zgjedhje kushtetuese të presidentit Topi mosshprehjen për ligjin e dosjeve. Ndërsa ka theksuar se lustracioni është një proces i domosdoshëm për Shqipërinë, ai ka bërë të ditur se kreu i shtetit ka zgjedhur një nga alternativat që i jep Kushtetuta për t’u shprehur për një ligj. Këtë deklaratë kryeministri Berisha e ka bërë gjatë një takimi të zhvilluar dje me studentë të universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”. Vetëm një ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit për hapjen e dosjeve ka reaguar dje zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Duke e cilësuar ligjin e lustracionit pjesë të legjislacionit shqiptar, zëdhënësi i Ambasadës Amerikane është shprehur se SHBA-të po e ndjekin më vëmendje procesin.
Komenti
I pyetur se si e shpjegon faktin që presidenti nuk u shpreh për ligjin e dosjeve, Berisha tha se presidenti është në të drejtën e tij kushtetuese. “Nuk kam ndonjë koment të veçantë për qëndrimin e zotit president. Ai ka bërë zgjedhjen e vet, ka ushtruar të drejtat e tij kushtetuese, pasi në Kushtetutë presidenti një ligj e firmos, ia kthen Parlamentit ose nuk shprehet, ndër tre variantet ka përzgjedhur variantin e mosshprehjes”, - është shprehur kryeministri Berisha. Vetëm një ditë më parë Presidenti i Republikës ezauroi kohën që kishte në dispozicion për të firmosur ose jo ligjin për hapjen e dosjeve. Por presidenti Topi zgjodhi të mos shprehej për ligjin, duke e futur atë menjëherë të fuqi. Gjatë fjalës së mbajtur për këtë çështje, Berisha tha se procesi i lustracioni është i domosdoshëm për Shqipërinë, për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga e kaluara. “Më 1995-n bëra këtë ligj, që është absolutisht antihakmarrje. Ka një dallim mes demokracisë dhe diktaturës. Diktatura është urrejtje dhe hakmarrje, demokracia është mirëkuptim, kompromis, pajtim. E vura ligjin në vitin 1995, mora variantin çek, u përkthye dhe u zbatua. Ligji çek ishte miratuar më 1991-shin, ishte vlerësuar kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Çekosllovakisë”, - është shprehur Berisha. Ai tha se ky është një përkufizim i përkohshëm i të drejtave të njeriut për disa kategori. Duke u përqendruar në debatin e fundit, sipas të cilit ligji për hapjen e dosjeve prek disa prokurorë të çështjeve të rëndësishme, Berisha tha se nuk është e drejtë që prokurorët që kanë kryer krime në kohën e regjimit komunist të vazhdojnë të jenë ende në detyrë. “Ky është një kufizim i përkohshëm të drejtash dhe, ç’është e vërteta, nuk ka vend në botë që s`ka bërë kufizime të përkohshme dhe ky është një kufizim minimal i një grupi shumë të vogël. Përse u dashka që Drejtësia shqiptare të mos drejtohet nga 760 prokurorë apo gjykatës që kanë lidhje me të shkuarën aq sa keni ju, por duhet të drejtohet nga ata që varën në sheshet e Shqipërisë në vitin ’88, apo që urdhëruan lidhjen me tela me gjemba dhe zvarritjen në rrugët e Shkodrës? Dhe kjo vetëm se ai njeri, në moshën tuaj, kishte kërkuar të dilte jashtë kufirit”, - është shprehur kryeministri.
Debati
Ligji për hapjen e dosjeve u kundërshtua ashpër jo vetëm nga opozita, por dhe nga faktori ndërkombëtar. Për disa ditë rresht reaguan Ambasada Amerikane në Tiranë, Ambasada Britanike, OSBE-ja, prezenca e KE-së dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Ata i sugjeruan maxhorancës që të mos e miratonte ligjin, pasi shkel Kushtetutën dhe standardet europiane të të drejtave të njeriut dhe kërkuan që ligji të hartohej me ekspertizën ndërkombëtare. Por pavarësisht deklaratave, PD-ja miratoi e vetme ligjin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit gjatë regjimit komunist.
Miratimi i këtij ligji do të sjellë krijimin e një komisioni për verifikimin e figurave të zyrtarëve të lartë dhe në filtrin e verifikimit do të futen personalitete më të larta të shtetit, duke filluar nga Presidenti i Republikës, kryeministri, kryetarja e Kuvendit, prokurorja e Përgjithshme, prokurorët, gjyqtarët e deri tek drejtorët e shkollave. Por jashtë këtij ligji mbeten ish-ministrat e regjimit komunist, mospërfshirja e të cilëve është kundërshtuar nga shoqatat e ish-të përndjekurve politikë.

16 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›