Topalli, seancë për MSA-në me studentët: Brenda 7 viteve bëhemi anëtarë të BE-së
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka nisur sesionin e ri parlamentar me një seancë të veçantë parlamentare me studentë dhe të rinj të kryeqytetit. Gjatë kësaj seance kryetarja e Kuvendit ka folur në veçanti për ratifikimin e MSA-së nga vendet anëtare të BE-së dhe përfitimet e Shqipërisë nga kjo marrëveshje. “Shqipëria përfundoi ratifikimin e MSA-së në një kohë rekord duke faktuar se BE-ja besoi tek Shqipëria europiane. Kjo është një ditë kur ajo që pak vite më parë ishte një ëndërr kaq e largët për prindërit tuaj, sot të jetë në dorën tuaj. Por puna e prindërve tuaj, sakrifica, reformat që ky vend ka bërë, bën të mundur që kjo ëndërr të bëhet realitet", - është shprehur gjatë fjalës së mbajtur përpara studentëve kryetarja Topalli. Ajo ka shprehur bindjen se pas 7 vjetësh Shqipëria do të jetë e pranuar si anëtare me të drejta të plota në BE.
Ministrja e Integrimit vlerëson mbylljen e procesit të ratifikimit të MSA-së
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, vlerësoi dje në një konferencë për shtyp përmbylljen e procesit të ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare të BE-së. Ajo e cilësoi këtë si një hap të sigurt të Shqipërisë në rrugën drejt Europës dhe një tregues të përmbushjes nga qeveria shqiptare të detyrimeve që dikton procesi i integrimit.
“Sigurisht që nuk do të ishte e mundur përmbyllja e kësaj faze dhe hyrja në fuqi e MSA-së nëse qeveria shqiptare nuk do të kishte sjellë rezultate bindëse të realizimit të reformave kyçe para faktorit ndërkombëtar. Ecuria e reformave tona është më e mira në rajon për reformat dhe për anën ligjore krahasuar edhe me vende të cilat kanë aplikuar tashmë për statusin e vendit kandidat. Gjithsesi, duhet të përgatitemi për hapat e mëtejshëm, pasi detyrimet sa vijnë e shtohen”, - është shprehur Bregu.
16 Janar 2009