LSI-ja, diasporës: I turpshëm mohimi i votës së emigrantëve
Degët e LSI-së në vendet e ndryshme të Europës shprehin indinjatën e tyre për konsensusin e dy partive të mëdha, PS e PD, për t’u mohuar të drejtën e votës së emigrantëve në Kodin e ri Zgjedhor. Një reagim i tillë ka ardhur nga dega e LSI-së në Kretë, gjatë një takimi të kësaj dege, ku merrte pjesë anëtari i KDK së LSI-së, Dorian Duçka. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Duçka bashkëbisedoi me anëtarët e këtij Komiteti mbi situatat më të fundit politike në Shqipëri dhe ku tha se LSI-ja është forca e vetme politike serioze në Shqipëri që i ka emigrantët si pjesë prioritare të politikave të saj, dhe se është e para që ka kërkuar të drejtën e votës së emigrantëve.
Anëtarët e Komitetit Drejtues dhe anëtarët e tjerë të degës së LSI-së në Kretë si dhe shumë qytetarë shqiptarë me banim në Kretë, shprehën shqetësimin për mohimin e të drejtës së votës në vendbanimet e tyre jashtë atdheut, që Rama dhe Berisha bënë me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit dhe me amendimet jodemokratike të Kodit Elektoral. Zoti Duçka tha se një gjë e tillë është bërë pasi Rama dhe Berisha frikësohen nga votat dhe mendimi i lirë i qytetarëve shqiptarë. Gjatë vizitës në Athinë, Duçka u takua me zyrtarë të lartë të PASOK-ut në zyrat e tyre në Athinë dhe me deputetin grek të Hanias në Kretë, z.Stelio Nikoforaqis.
16 Janar 2009