E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, të rinjve të FRESH-it: “Edhe 165 ditë na ndajnë nga fundi i Berishës”



Forumi Rinor Eurosocialist Shqiptar ka festuar dje 17-vjetorin e krijimit të tij. Gjatë ceremonisë ishin të pranishëm themelues të këtij forumi, me dhjetëra të rinj, deputetë socialistë. Fjalën hapëse e mori kryetarja e FRESSH-it, Megi Ajtyresa, e cila bëri përshëndetjen e rastit. Më pas, në një mesazh urimi, kryetari i PSSH-së, Edi Rama, ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në formimin e këtij forumi në të gjithë Shqipërinë, duke u kujtuar se nga 28 qershori, dita kur të mbahen zgjedhjet parlamentare, na ndajnë edhe 165 ditë, e për këtë arsye, të gjithë duhet të jemi të bashkuar, për një qëllim të vetëm fitoren. “Duke ju falënderuar dhe ju uruar njëkohësisht në këtë përvjetor, unë dëshiroj po ashtu t'ju nxis që angazhimi juaj të shkojë duke u rritur, në një periudhë kohore që është shumë e rëndësishme për vendin tonë, shoqërinë dhe njerëzit tanë, një periudhë kohore që shtrihet deri në zgjedhjet e ndryshimit të madh dhe të shumë pritur për të gjithë shqiptarët e shqiptaret, më 28 qershor të këtij viti. Nga kjo datë na ndajnë ende dhe 165 ditë, që Shqipëria duhet të mbajë në kurriz këtë qeveri të paaftë, të papërgjegjshme, të korruptuar dhe janë 165 ditë që ne kemi kohë dhe sigurisht edhe detyrim të jashtëzakonshëm për t'i paraprirë atij ndryshimi, që edhe ju jeni këtu sot, për të cilin edhe ju kontribuoni në këtë organizatë, ku të rinj e të reja në të gjithë Shqipërinë morën pjesë drejtpërdrejtë në procesin politik. Kjo është arsyeja pse ky është një përvjetor që ka një veçanti dhe kjo është edhe arsyeja pse në këtë përvjetor është e domosdoshme që ne të shikojmë horizontin e zgjedhjeve të ardhshme, si një objektiv të përbashkët që duhet ta arrijmë në të mirë të Shqipërisë, të qytetarëve dhe qytetareve në të gjithë vendin, në qytet dhe fshat”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.

16 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›