Meta: “Ligji i dosjeve, për të goditur institucionet e Drejtësisë”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se ligji i dosjeve, i miratuar në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca, po jep pasojat e para duke goditur dhe cenuar institucionet e Drejtësisë. Meta tha se ky ligj fsheh prapavija politike për të goditur Prokurorinë lidhur me çështje të rëndësishme që ajo po heton. “Ne jemi të shqetësuar për pasojat që mund të ketë ligji i miratuar me nxitim dhe pa konsensusin e opozitës nga ana e kryeministrit Berisha, një ligj i kontestuar nga institucionet ndërkombëtare. Duket dhe nga pasojat e para që jep hyrja në fuqi e këtij ligji, me sa duket një nga prapavijat e tij politike ka qenë pikërisht qëndrimi për të cenuar institucionet e Drejtësisë, e në radhë të parë Prokurorinë, lidhur me çështje të veçanta e të rëndësishme që ajo po heton”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Veliaj: “Ligji i dosjeve, pengesë për hetimet e Gërdecit”
Drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj, ishte dje në Gërdec, ku u takua me banorë të këtij fshati, të cilët kanë humbur të afërmit e tyre në tragjedinë e ndodhur 10 muaj më parë. Duke shpjeguar se ndodhej në Gërdec me qëllimin për të mos e harruar këtë tragjedi, Veliaj u shpreh i indinjuar për paaftësinë e qeverisë dhe të kryeministrit Sali Berisha për t’u akorduar familjarëve të viktimave pensionet e nevojshme që ata të rritin fëmijët tashmë jetimë të kësaj tragjedie. Veliaj komentoi dhe dorëheqjen e prokurorit të çështjes, zotit Zamir Shtylla, duke dënuar ashpër miratimin e ligjit të dosjeve, që sipas Veliajt, është bërë enkas për të penguar hetimet për tragjedinë e Gërdecit. “Prokurori Shtylla është viktima e parë e ligjit aq të kontestuar nga gjithë komuniteti ndërkombëtar, ligjit të dosjeve. Jam i trishtuar dhe i shqetësuar po si këta banorë që dorëheqja e prokurorit do të jetë një pengesë tjetër, e cila do t’i vonojë këto hetime”, - tha Veliaj.
16 Janar 2009