E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Qeveria të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”



Shaban Sulçe

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka përshëndetur ratifikimin nga Parlamenti i Greqisë së Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, e cila shënon hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje. Meta tha se tashmë Shqipëri hyn në një fazë cilësisht të re në marrëdhëniet e saj më Bashkimin Europian, fazë e cila hap mundësinë e aplikimit të saj për statusin e vendit kandidat. Por kreu i LSI-së i kujtoi qeverisë “Berisha” se duhet të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të pakontestueshme. Meta tha se vetëm zgjedhjet e lira do të mundësojnë integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE, ndërkohë që paralajmëroi pasoja të ashpra, në rast të dështimit dhe manipulimit të procesit zgjedhor.
Aplikimi
Meta tha se tashmë ka ardhur koha që Shqipëria të bëjë aplikimin e saj për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kreu i LSI-së theksoi se aplikimi nuk duhet të shfrytëzohet për interesa të ngushta politike, por me konsensus të gjerë, duke i bërë thirrje Presidentit të Republikës që të organizojë një tryezë të përbashkët me të gjitha partitë politike në lidhje me këtë çështje. “Ky moment tepër i rëndësishëm kërkon seriozitet dhe një përgjegjshmëri të jashtëzakonshme nga institucionet e vendit, nga Parlamenti, por mbi të gjitha nga maxhoranca aktuale, e cila duhet të kuptojë se çdo shfrytëzim politik i këtij momenti nuk bën gjë tjetër veçse vë në pikëpyetje suksesin e këtij aplikimi. Unë mendoj se për të paraqitur aplikimin për statusin e një vendi kandidat për Bashkimin Europian, në radhë të parë duhet një konsensus shumë i gjerë politik brenda vendit, që sipas mendimit tim, do të thotë një tryezë e thirrur nga Presidenti i Republikës me përfaqësuesit kryesorë të maxhorancës dhe të opozitës për të diskutuar këtë fazë të re ku hyjnë marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në dhe procedurat që duhet të ndiqen më tej. Pra nuk duhet kthyer në një lojë politike, por duhet zgjeruar maksimalisht konsensusi politik për procedurat që do të ndiqen në të ardhmen. Mendoj se një konsensus tepër i gjerë do të ishte një faktor i rëndësishëm për t’u mirëpritur një aplikim i tillë nga Bashkimi Europian”, - tha Meta.

Zgjedhjet
Kreu i LSI-së vuri theksin në rëndësinë e mbarëvajtjes së procesit të ardhshëm zgjedhor në Shqipëri. Meta tha se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është kushti kryesor i vendosur nga Bashkimi Europian për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë. “BE-ja ka shprehur qëndrimin e qartë e pa ekuivok se Shqipëria duhet të hedhë një sërë hapash të rëndësishëm për afrimin e mëtejshëm drejt saj, veçanërisht në drejtim të arritjes së standardeve në kriteret politike. Kushti i parë përcaktues janë zgjedhjet e lira e të ndershme të qershorit 2009. Çdo dështim në organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, do të ngarkojë me përgjegjësi direkte Sali Berishën dhe qeverinë e tij, jo vetëm për cenimin e vullnetit të shqiptarëve, por edhe për komprometimin e realizimit të aspiratës së tyre për integrim në BE”, - tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.

16 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›