E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: Berisha, ture nëpër Shqipëri për të lënë në harresë Gërdecin

Tragjedia e Gërdecit dhe greva e punëtorëve të kësaj fabrike kanë qenë sërish objekt debati në sallën e Kuvendit. Opozita, nëpërmjet kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka akuzuar Kryeministrin Berisha dhe mazhorancën se po tallet me banorët e kësaj zone, të cilët kanë 4 ditë që janë futur në greve urie. Leskaj ka theksuar se situata në Gërdec është emergjente ndaj qeveria duhet të ndërhyjë për t‘u dhënë një zgjidhje konkrete këtyre banorëve, të cilët përveç tragjedisë dhe humbjes së njerëzve të dashur dhe pasurisë së tyre, tashmë po përballen edhe me harresën e qeverisë, e cila në vend që të merret me zgjidhjen e halleve të tyre, bën ture qesharake nëpër Shqipëri nën sloganin "Shqipëria në NATO". Këto akuza janë hedhur poshtë nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili është edhe deputet i kësaj zone. Sipas Patozit, situata emergjente në Gërdec ka përfunduar dhe ai tashmë ndodhet në fazën e rindërtimit. "Faza e emergjencës u kalua me sukses dhe Gërdeci ndodhet ne fazën e rindërtimit. Shumica e banorëve të prekur nga tragjedia shprehin mirënjohjen e tyre për angazhimet e qeverisë. I kam takuar banorët disa herë dhe jam i gatshëm të dëgjoj kërkesat e tyre. Por ju po përdorni gjithçka për qëllime politike. Ju po kërkoni të mbani një vatër të ndezur në Gërdec", është shprehur Patozi. Por mbrojtja e Patozit nuk është pranuar nga deputetët e tjerë të opozitës. Deputeti Minxhozi u ka kujtuar deputetëve të mazhorancës se Shqipëria është para një "Gërdeci" tjetër, i cili këtë herë duket se do ta ketë vatrën në minierën e Bulqizës ku çdo javë ka nga një të vdekur, ndërkohë që shteti hesht duke mos vënë para drejtësisë asnjë nga ata "mafiozë", të cilët po përdorin galeritë e kësaj miniere për t‘u pasuruar vetë. Minxhozi ka deklaruar se fajtor për të gjitha këto tragjedi në Bulqizë është mungesa e shtetit dhe korrupsioni i madh që ka kapur të gjitha strukturat e larta të pushtetit vendor. Por ministri Ruli i ka hedhur poshtë akuzat e deputetit të PS-së, duke thënë se shteti po heton dhe po mban gjithë situatën nën kontroll. Incidentet e fundit ka theksuar ai nuk kanë ndodhur në tunelet e minierat, por në sipërfaqe të saj. Gjithashtu, në seancën e djeshme, debate ka shkaktuar edhe turi i Berishës në fundjavën e shkuar në Elbasan. Deputeti Ndriçim Hysa e ka kritikuar këtë tur duke theksuar se Kryeministri po mundohet të mbulojë Gërdecin me turin e tij "Shqipëria në NATO" dhe kjo është e turpshme. Sipas tij, Berisha preu disa shirita rrugësh në Elbasan, por nuk guxoi të flasë për arsimin, shëndetësinë dhe fushat e tjera, pasi në to korrupsioni është ulur këmbëkryq.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›