Berisha: Prioriteti ynë si presidencë e Këshillit të Europës do jetë reforma në gjyqësor
Kryeministri Sali Berisha, duke folur në sallën e Kuvendit, ku ishte i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, e quajti historike marrjen e presidencës së KiE nga Shqipëria.
Dje në Strasburg u zhvillua një nga ceremonitë më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Shqipëria mori kryesimin e radhës të tempullit të demokracisë. Kjo është një arritje historike për ne që festojmë 100 vjetorin e pavarësisë, tha Berisha.
Kryeministri tha se demokracia më e re, Shqipëria, e mori presidencën nga demokracia më e vjetër, Britania. Berisha tha se prioriteti i Shqipërisë do jetë reforma në trupat gjyqësore të Këshillit të Europës.
Sot ky vend kryeson tempullin e demokracisë evropiane. Por ngjarja që ishte më simbolike për këtë institucion ishte se demokracia e re e mori kryesimin nga demokracia më e vjetër, Britania e Madhe. Dje mori kryesinë e Këshillit të Europës vendi që 22 vite më parë kishte të ndaluar me Kushtetutë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ne e morëm kryesimin si vend anëtar i NATO, një vend ku qytetarët lëvizin lirshëm në mbarë Europën. Natyrisht kjo është përgjegjësi e madhe dhe historike. Ne jemi të vendosur të promovojmë axhendën e këtij institucioni, reformat e ndërmarra nga paraardhësit tanë. Ne do bëjmë që ky institucion të ecë drejt reformave të thella, veçanërisht reformën e gjyqësorit, tha Berisha.