“Precedenti Kosovë” ose falsifikimi i historisë
Dr. Islam Lauka
G(r)ushti i sivjetmë solli në skenën e marrëdhë-nieve ndërkombëtare Modelimi rus i “teknologjisë kosovare”
...dy zhvillime të rrezikshme dhe të papritura: agresionin rus kundër Gjeorgjisë dhe njohjen, nga ana e Moskës, të dy autonomive gjeorgjiane, Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë si shtete të pavarura dhe sovrane. Për justifikimin e këtij grushti të rëndë ndaj së drejtës ndërkombëtare, politikanë, analistë e studiues rusë, por jo vetëm ata, i janë rikthyer edhe njëherë, më me forcë, të të ashtuquajturit “precedent Kosovë”. Janë hedhur në qarkullim teza të tilla si, lufta e fundit midis Rusisë dhe Gjeorgjisë nuk mund të kuptohet pa luftën në Kosovë, se gjoja ndërhyrja e armatosur e Perëndimit në ish-Jugosllavi, në pranverë të vitit 1999, çoi në ndërhyrjen e Moskës në Gjeorgji, në verë të vitit 2008. Shkurt, sipas tyre, po të mos ishte “precedenti Kosovë”, nuk do të kishte konflikt të armatosur në Kaukaz dhe se sot bota nuk do të ballafaqohej me këto pasoja kaq të rrezikshme.
Rusia kishte vite që përgatitej për këtë ditë. Për precedentin dhe mundësinë e modelimit të tij në të gjitha pikat e nxehta të globit, por sidomos në “hapësirën post-sovjetike”, Moska ka dhënë “alarmin” që në vitin 1999, për ta ngritur zërin me fillimin e procesit të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës dhe për të kulmuar me shpalljen e pavarësisë së saj, në shkurt 2008.
Në mungesë të pasojave “të natyrshme” apokaliptike që do të duhej të sillte “precedenti Kosovë”, Moska gjykoi se kishte ardhur momenti që, në funksion të interesave të veta gjeostrategjike dhe gjeoekonomike, ta sajonte precedentin në domenin që e konsideron si të vetin - në ish-hapësirën sovjetike dhe konkretisht në “Ballkanin euroaziatik”, siç njihet rajoni i Kaukazit. Për këtë qëllim, fillimisht Moska iu vu punës për parapërgatitjen e opinionit, brenda dhe jashtë vendit, për ta pranuar modelimin rus të “teknologjisë kosovare” në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut si një dukuri të pashmangshme. Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, do të deklaronte se “duam apo nuk duam ne, precedenti do të krijohet dhe jo vetëm në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut”.
Provën e përgjithshme për modelimin e “precedentit Kosovë” në Kaukaz, Rusia e zhvilloi në pranverë të vitit 2008, pikërisht në rajonet e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, kur Moska zyrtare vendosi që të dërgojë atje kontingjente shtesë të trupave të saj dhe të bashkëpunojë me organet e tyre të pushtetit, gjë që u konsiderua si hapi i parë i saj drejt njohjes së pavarësisë së republikave të vetëshpallura. Të kësaj kohe janë edhe deklaratat e hapura për dhënien e grushtit vendimtar që do të sillte në jetë precedentin e porositur: “Nëse Tbilisi ndërmerr veprime ushtarake, Moska do të hakmerret” dhe se “do të mbrojmë bashkatdhetarët me të gjitha mjetet e mundshme që kemi në dispozicion”. Bashkatdhetarët e vet në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut, Moska i kishte “fabrikuar” me kujdes dhe me kohë, duke filluar që në vitet ‘90 të shekullit të kaluar. Shumica dërmuese, rreth 80-90% e popullsisë së këtyre rajoneve u pajis me pasaporta ruse.
Pas përfundimit të fazës së përpunimit teorik dhe marrjes së masave të gjithanshme ushtarake, politike, teknike dhe organizative, e trimëruar edhe nga reagimi i vakët ndërkombëtar, gjatë provës së saj të përgjithshme, Moska filloi me zell punën për përgatitjen e momentit të volitshëm për ekzekutimin e vendimit të sendërtimit të “precedentit Kosovë”, të modeluar qëllimisht për rajonin e Kaukazit. Përvoja në këtë drejtim nuk i mungonte. Kurthi u përgatit me kujdes dhe Tbilisi ra me të dy këmbët në të, natën e 7-8 gushtit, duke ndërhyrë ushtarakisht në Osetinë e Jugut. Prenë e zënë në kurth, Moska e paraqiti si Serbinë dhe Millosheviçin e Kaukazit. Gjeorgjisë “agresore” dhe presidentit të saj “kufomë politike”, Mikail Saakashvili u duhej dhënë një përgjigje e merituar. Ishte radha e “ndërhyrjes perëndimore” për të parandaluar katastrofën humanitare dhe për t’i imponuar paqen agresorit.
Po modelohej “teknologjia kosovare” e vitit 1999, jo më në Ballkan, por në kufijtë fare pranë Rusisë, në hapësirat që ajo i konsideron jetike për interesat e saj të sigurisë. Këtë radhë do të ishte Moska ajo që do të tundte flamurin e vlerave perëndimore të ndërhyrjes humanitare për të mbrojtur “shqiptarët e Kaukazit”, osetinët jugorë, nga dhuna shtetërore e “kasapit gjeorgjian”, Mikail Saakashvili. Ekuacionet u gjetën: Osetia e Jugut = Kosovë, Gjeorgjia e Saakashvilit = Serbia e Millosheviçit, Rusia = SHBA+NATO. Formula e justifikimit të ndërhyrjes ushtarake u zbulua: mbrojtja e pakicave të rrezikuara nga “genocidi shtetëror gjeorgjian”, të drejtat e njeriut mbi interesat shtetërore. Gjithashtu u zbulua edhe formula e njohjes së subjekteve të reja të pavarura: Gjeorgjia ka humbur të drejtën morale të qeverisjes së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Tashmë, atje ka një realitet të ri, i cili, për hir të paqes në rajon e më gjerë, duhet pranuar ashtu siç është.
A nuk janë këto argumentet e përdoruara nga Perëndimi në Kosovë? Se, në fund të fundit, Kosova na solli këtu. Këto janë pasojat për të cilat ne kemi paralajmëruar me kohë, por që askush nuk na e vuri veshin. Ja ku doli fjala jonë. “Precedenti Kosovë” u modelua në Kaukaz. Kështu edhe veprimet e Rusisë në Gjeorgji janë të justifikueshme, njëlloj si ato të Perëndimit në ish-Jugosllavi.
Kjo ishte, në vija të përgjithshme, logjika e përdorur nga Moska për justifikimin e ndërhyrjes së saj ushtarake në Gjeorgji dhe për njohjen e pavarësisë së dy autonomive të saj, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Pyetjet që shtrohen në këto rrethana janë: a ka vërtet lidhje midis rastit të Kosovës dhe atyre të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë dhe a ndikoi “precedenti Kosovë” në Kaukaz?
Analiza e faktorëve historikë, juridikë, gjeopolitikë, ekonomikë, demografikë etj., të çon në konkluzionin se, veç disa ngjashmërive të sipërfaqshme, si ato që kanë të bëjnë me përkatësinë e tyre, para viteve ’90, në ish-federata socialiste shumëkombëshe, me momentin e daljes së tyre si entitete të pavarura, pas përfundimit të luftës së ftohtë, me angazhimin e faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e tyre dhe ndonjë ngjashmëri tjetër të papërfillshme, ato kanë ndryshime të thella që lidhen me thelbin dhe jo thjesht me formën e tyre. Zhvillimet e fundit atje nuk kanë asgjë të përbashkët, siç pretendon Rusia, me ndërhyrjen humanitare të Perëndimit në ish-Jugosllavi, në vitin 1999, për të parandaluar genocidin serb kundër shqiptarëve të Kosovës, as me procesin, relativisht të gjatë, që çoi në pavarësimin e Kosovës. Ballafaqimi i fakteve që ofrojnë zhvillimet aktuale në Kaukaz me ato që tashmë përbëjnë historinë e Kosovës, i pasuron dhe i përforcon argumentet e mëparshme në favor të tezës se rasti i Kosovës është sui generis, se edhe zgjidhja e saj është e tillë dhe se përpjekja për ta paraqitur atë të ngjashëm me rastet e tjera, apo akoma më keq, si model për zgjidhjen e tyre, nuk është gjë tjetër, veç falsifikim i historisë për hir të interesave egoiste, politike, ekonomike etj., të ditës.
Disa nga faktet më domethënëse, të ofruara nga zhvillimet e fundit në Kaukaz, të cilat nxjerrin në pah ndryshimet thelbësore midis ndërhyrjes ushtarake ruse në Kaukaz dhe asaj perëndimore në Kosovë, si dhe në përgjithësi, midis rastit të Kosovës dhe atyre të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut janë këto:
Së pari, Rusia ndërhyri ushtarakisht në Gjeorgji pa asnjë paralajmërim dhe pa iu drejtuar asnjë organizate ndërkombëtare apo rajonale për mbështetje. Në rastin e Kosovës, pas paralajmërimeve periodike që iu bënë Millosheviçit, duke filluar që para 17 vjetësh, me paralajmërimin amerikan (1991) për të mos ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, në momentin e fundit, u shty edhe urdhri për veprim i NATO-s, nga vjeshta e vitit 1998, në pranverë të vitit 1999. U bënë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen me marrëveshje të konfliktit, por për shkak të qëndrimit intransigjent të Millosheviçit dhe mbështetjes së tij nga delegacioni rus, dështuan bisedimet në Rambuje, të konsideruara si një shans tjetër që iu dha Millosheviçit nga komuniteti ndërkombëtar për të shmangur luftën. Nuk dha rezultat as dërgimi në Kosovë i 2000 vëzhguesve të OSBE-së, të cilët shumë shpejt u dëbuan nga ana e autoriteteve të Beogradit. Vetëm pasi u shteruan të gjitha mjetet paqësore dhe pasi u bë e qartë se Rusia do të vinte veton ndaj çdo rezolute të Këshillit të Sigurimit që do të autorizonte ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi, vetëm atëherë, pra në instancën e fundit, u dha urdhër për të sulmuar makinën ushtarako-policore serbe, e cila po kryente spastrim masiv etnik të shqiptarëve të Kosovës. Në thelbin e vet ajo ishte dhe mbeti një ndërhyrje humanitare, e motivuar nga vlera morale dhe jo nga interesat e përfitimeve ekonomike apo politike. Ndërhyrja ushtarake në ish-Jugosllavi nuk u realizua nga një shtet fqinj me të, si në rastin e Rusisë në Gjeorgji, e cila ishte edhe palë e drejtpërdrejtë në konflikt, por nga një aleancë rajonale sigurie, prej 19 anëtarësh, e thirrur për të mbrojtur vlerat e lirisë, demokracisë dhe humanizmit.
Se sa i rrezikshëm ishte përshkallëzimi i situatës në Kosovë, këtë e dëshmon më së miri fakti që Këshilli i Sigurimit të OKB dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Kofi Annan, e klasifikuan atë si kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, vlerësim që, në bazë të kartës së OKB-së e bën të domosdoshme ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar.
Asnjë nga këta elementë nuk është i pranishëm në rastin e ndërhyrjes së Rusisë në Gjeorgji. Asnjë lloj negociate, asnjë lloj konsultimi me komunitetin ndërkombëtar nuk bënë autoritetet e Kremlinit, para se ato të ndërmerrnin aksionin ushtarak kundër fqinjit të vet. Kjo nuk ishte një lajthitje e thjeshtë e Moskës, por një qëndrim konsekuent i saj. Ajo ka qenë dhe është kundër internacionalizimit të konflikteve në ish-hapësirën sovjetike, me synim që t’i zgjidhë e t’i rregullojë siç di ajo vetë. Ekziston bindja se, edhe sikur të përpiqej, ajo nuk do të arrinte të siguronte asnjë lloj konsensusi ndërkombëtar për të sulmuar Gjeorgjinë, për faktin e thjeshtë se situata aktuale në Kaukaz dhe ajo në Kosovë në vitin 1999 nuk kanë asgjë të përbashkët. Osetia e Jugut dhe Abkhazia, ndryshe nga Kosova, nuk janë klasifikuar asnjëherë si kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, çka e bën të pakuptimtë çdo përpjekje të Moskës për t’u dhënë veprimeve të saj legjitimitet ndërkombëtar, me argumentimin se, gjoja, ato ishin të domosdoshme për të parandaluar një katastrofë humanitare. Jo vetëm kaq, por sipas analistit rus A. Ilarjonov, ndërhyrja ushtarake në Gjeorgji u bë duke shkelur edhe kushtetutën ruse, pa u marrë miratimi paraprak, në bazë të procedurës, nga Këshilli i Federatës. Në këtë dritë, sulmi i Moskës ndaj Gjeorgjisë rezulton të jetë në kundërshtim si me të drejtën ndërkombëtare, ashtu edhe me të drejtën e brendshme ruse. Ndërkaq, me Rezolutën 1244 ndërhyrja e NATO-s në ish-Jugosllavi u legalizua dhe forcat e saj (KFOR) ndodhen në Kosovë si garanci për paqen e sigurinë e saj dhe të rajonit.
Së dyti, një dallim thelbësor midis rastit të Kosovës dhe atyre të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut është ai që lidhet me mënyrën dhe momentin e njohjes së pavarësisë së tyre. Moska i njohu të dyja njëkohësisht, menjëherë pas ndërhyrjes së saj të armatosur në Gjeorgji. Me këtë akt ajo zhvlerësoi një sërë rezolutash të OKB-së, të miratuara edhe nga vetë Rusia, si dhe të gjitha marrëveshjet e saj, të nënshkruara me Tbilisin, dokumente këto që njohin tërësinë territoriale të Gjeorgjisë, në kufijtë e trashëguar nga ish-Bashkimi Sovjetik.
Me të drejtën e të fortit, Rusia shkeli sovranitetin e shtetit të vogël fqinj, Gjeorgjisë dhe, brenda territorit të tij, “fabrikoi” dy shtete të reja, të cilëve, pas njohjes de facto, u ofroi edhe njohjen de jure.
As ndërhyrja ushtarake në Gjeorgji, as njohja e njëanshme e pavarësisë së Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut nuk gjetën, as nuk kanë gjasë të gjejnë mbështetje ndërkombëtare. Përkundrazi ndërhyrja e saj u quajt agresion ushtarak, ndërsa njohja de jure e republikave të vetëshpallura të pavarura, si agresion diplomatik.
Natyrë krejt tjetër ka rasti i Kosovës. Pavarësimi i saj nuk është një akt i shkëputur, as i menjëhershëm. Ai përbën një proces kompleks, relativisht të gjatë, të përgatitur me kujdes dhe të koordinuar me komunitetin ndërkombëtar. Është me shumë rëndësi të theksohet fakti që pikërisht një rezolutë e Këshillit të Sigurimit (1244) vuri bazën e pavarësimit të Kosovës, fillimisht, duke e vënë atë, për një periudhë tranzitore, nën administrimin ndërkombëtar (UNMIK), si dhe duke sanksionuar hapjen e procesit politik për përcaktimin e statusit të saj përfundimtar. Referenca në preambulën e Rezolutës 1244, lidhur me integritetin territorial të Jugosllavisë, ka të bëjë vetëm me periudhën tranzitore, por ajo nuk e paragjykon atë poststatus.
Procesi politik i drejtuar nga i dërguari i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Presidenti Marti Ahtisaari, u zhvillua në përshtatje me frymën e kësaj rezolute dhe parimeve të formuluara nga grupi i kontaktit, midis të cilëve edhe ai për marrjen në konsideratë të vullnetit të popullit. Gjatë 9 viteve të administrimit ndërkombëtar, nëpërmjet implementimit të standardeve, Kosova u përgatit për fazën e të qenit si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, për të ardhur në shpalljen e pavarësisë më 17.02.08. Siç dihet, pavarësimi i saj gjeti konsensus të gjerë ndërkombëtar, gjë që edhe është konkretizuar me njohjen e saj nga 46 shtete.
Asnjë nga këta elementë nuk është i pranishëm në rastin e shpalljes së pavarësisë së Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut dhe njohjen e tyre nga ana e Moskës. Ky akt i menjëhershëm u bë i mundur vetëm si rezultat i ndërhyrjes ushtarake i një fuqie të huaj, siç është Rusia, në dëm të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Gjeorgjisë.
Së treti, një dallim thelbësor midis rastit të Kosovës dhe atij të Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë përbën qëndrimi ndaj komuniteteve pakicë. Në Kosovë të drejtat e tyre mbrohen me ligje dhe me institucione. Ky ka qenë njëri ndër kushtet kryesore, të vënë nga komuniteti ndërkombëtar, për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kusht që është pranuar nga Prishtina zyrtare. Rreth ¾ e planit Ahtisaari, mbi bazën e të cilit është hartuar Kushtetuta e shtetit të ri të Kosovës, e zënë çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave dhe realizimin e tyre në praktikë. Objektet e kultit dhe të kulturës së komuniteteve pakicë mbrohen me ligje të veçantë. Në Kosovë ekziston i ashtuquajturi “diskriminim pozitiv” i pakicave.
Krejt tjetër paraqitet situata në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut. Rusia nuk u vuri atyre asnjë kusht për garantimin e të drejtave të komuniteteve pakicë, në këmbim të njohjes së pavarësisë. Kushtet e Moskës kishin të bënin vetëm me garantimin e interesave të saj dhe kjo është arsyeja e njohjes së menjëhershme të pavarësisë së tyre. Për pasojë në Abkhazi dhe në Osetinë e Jugut, jo vetëm që mungon baza e nevojshme ligjore për respektimin e të drejtave të pakicave, por për fat të keq, mungon edhe vullneti politik për ta realizuar një gjë të tillë. Për rivendosjen e hartës demografike të periudhës para konfliktit, as që mund të bëhet fjalë. Përkundrazi, aktualisht po vazhdon me intensitet procesi i spastrimit, nga territoret e tyre, të gjeorgjianëve etnikë. Duke trajtuar disa nga dallimet midis rastit të Kosovës dhe dy rajoneve gjeorgjiane, të spikatura gjatë zhvillimeve të fundit në Kaukaz, nuk mund të mos theksohet se një ndër dallimet kryesore midis tyre lidhet me statusin e mëparshëm juridik. Kosova ka qenë element konstituiv i ish-Federatës Jugosllave, me të drejta pothuaj të barabarta me republikat e federuara. Abkhazia dhe Osetia e Jugut kanë qenë thjesht autonomi të Gjeorgjisë. Gjithashtu, është me rëndësi të theksohet se Kosova paraqet rastin e shpërbërjes me dhunë të ish-Jugosllavisë, mbi gërmadhat e së cilës u ngritën shtetet e reja, përfshirë Kosovën. Në këtë kuptim, Kosova nuk përbën rastin e vetëvendosjes së një pakice kombëtare a të një pjese territori të një shteti të njohur ndërkombëtarisht, por rastin e krijimit të një subjekti të ri të së drejtës ndërkombëtare, pasi ka pushuar së ekzistuari federata e mëparshme, pjesë e së cilës ka qenë edhe ai subjekt. Rasti i Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut është i një natyre tjetër. Pas shpërbërjes konsensuale të Bashkimit Sovjetik ato mbetën në përbërje të Gjeorgjisë. Pavarësia e tyre e vetëshpallur nuk u njoh as nga Rusia, as nga ndonjë shtet tjetër. Gjeorgjia, ndryshe nga ish-Jugosllavia, as më përpara, as tani nuk ka qenë as nuk është në proces shpërbërjeje. Ajo po ballafaqohet me ndërhyrjen ushtarake ruse dhe pasojat e saj.
Ekzistojnë edhe shumë dallime të tjera që kanë të bëjnë me origjinën e konflikteve, dinamikën dhe intensitetin e tyre, me përbërjen etnike etj., për të cilat është shkruar edhe më parë. Tërësia e dallimeve të marra në kompleksin e tyre rikonfirmon konkluzionin se “precedenti Kosovë” ka qenë dhe mbetet një sajesë e propagandës ruso-serbe, në funksion të interesave të Moskës dhe të Beogradit. Zhvillimet e fundit në Kaukaz ilustrojnë pikërisht këtë ide. Rusia po e përdor “precedentin Kosovë” për të justifikuar agresionin e vet në Gjeorgji.
Por arsyetimit të Moskës, lidhur me precedentin, i mungon koherenca. Në konfliktin me Gjeorgjinë, Rusia po mbron të kundërtën e atyre që ka mbrojtur në Kosovë. Mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve sovrane, respektimi i tërësisë territoriale të shteteve të njohura ndërkombëtarisht, mosndryshimi i kufijve me forcë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve me bisedime dhe me pëlqimin e palëve të përfshira në konflikt, ishin parimet që politika dhe diplomacia ruse trumbetonin, sa herë që flitej për Kosovën në Këshillin e Sigurimit në OKB, në OSBE, në AP të KE, e deri në samitet e OKI në kryeqytetet e Azisë dhe Afrikës. Ndërkaq, qëndrimi rus në konfliktin në Gjeorgji frymëzohet nga të tjera parime. Ndërhyrje e armatosur ndaj shteteve sovrane, shkelje e tërësisë territoriale e shteteve të njohura ndërkombëtarisht, ndryshimi i kufijve me dhunë, “respektimi” i të drejtës së popujve për vetëvendosje, njohja e pavarësisë së njëanshme të njësive autonome, në kundërshtim me vullnetin e qendrës, këto janë parimet e “reja”, mbi të cilat po kalëron Rusia në fushëbetejën gjeorgjiane.
Ajo që në Kosovë u konsiderua e paligjshme, në Gjeorgji u bë e ligjshme. E pamoralshmja u bë e moralshme. Absolutizimi i të drejtës ndërkombëtare u transformua në të kundërtën e vet, marrjen e saj nëpër këmbë. “Parimësia”, “ndershmëria”, “vlerat morale”, që aq dendur u përdorën nga Moska në rastin e Kosovës, u zhdukën nga fjalori politik i ditës në rastin e konfliktit me Gjeorgjinë. Deklaratat e shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, se “nuk bëjmë tregti me parimet” mbetën si fosile të “precedentit Kosovë”.
Në këtë kthesë 3600 të saj, Rusia u gjend e vetmuar. As vasalët e saj më të bindur nuk po i shkojnë pas. Vetëm një jurist që, gjatë gjithë krizës së Kosovës, bëri të virgjrin e të drejtës ndërkombëtare, nuk u përmbajt dot pa i dërguar një sinjal putanor bukuranit Putin, duke i vlerësuar si të përshtatshme veprimet e tij në Kaukaz. Ish-kryeministri serb, Vojsllav Koshtunica, ishte ndër të paktët që, si Muça pas daisë, i shkoi pas Moskës dhe e tumiri agresionin e saj kundër Gjeorgjisë. Inkoherenca e Rusisë, e cila, nga njëra anë mbron sovranitetin e Serbisë dhe, nga ana tjetër, i fut shqelmin sovranitetit të Gjeorgjisë, nuk i bën përshtypje Koshtunicës. Për të mjafton garancia e Moskës që në qëndrimin e saj ndaj Kosovës do të marrë si referencë qëndrimin e Beogradit.
Në këtë mori inkoherencash, një çështje mbetet e pa sqaruar. Gjatë gjithë procesit të statusit të Kosovës, një hall i madh e ka pasë kapluar ish-Presidentin Putin: si t‘ua shpjegojë abkhazëve dhe osetinëve jugorë që çfarë është e mirë për shqiptarët e Kosovës, është e keqe për ta. Tani që këtë të “keqe” atyre ua bëri dhuratë, shtrohet pyetja: si do t’ua shpjegojë Putini çeçenëve që ajo çfarë është e mirë për abkhazët dhe osetinët e jugut është e keqe për ta?
Mungesa e koherencës në politikën ruse nuk është një dukuri e re. Ajo shkon përtej konfliktit me Gjeorgjinë. Ky konflikt nuk bëri gjë tjetër veç tregoi përmasat e regresit të Rusisë nga filizat demokratikë në kohën e Jelcinit, në revanshizmin dhe autoritarizmin e Putinit. Le ta konkretizojmë edhe këtë ide me faktet që ofrojnë zhvillimet e fundit në Kaukaz.
Politika millosheviçiane e Serbisë euroaziatike
Analiza e shpërbërjes së ish-federatave socialiste shumëkombëshe, BRSS dhe Jugosllavisë, si dhe e qëndrimit të Rusisë dhe Serbisë ndaj atij procesi kompleks, ka nxjerrë në pah një dallim thelbësor midis tyre, dallim që, përgjithësisht, përcaktoi edhe vektorët e ndryshëm të lëvizjes së Moskës dhe Beogradit, gjatë 10 vjetëshit të fundit të shekullit të kaluar.
Siç dihet, regjimi i Millosheviçit reagoi me dhunë ndaj kërkesave për pavarësi të republikave simotra, duke ua mohuar atyre të drejtën për shkëputje, të sanksionuar me Kushtetutën e vitit 1974. Dy ishin rrugët që përdori Millosheviçi për të penguar pavarësimin e tyre dhe për të bërë të mundur ruajtjen me çdo kusht të federatës: së pari, aktivizimi dhe mbështetja, në mënyrë të gjithanshme, ekonomike, financiare, politike dhe ushtarake e tendencave separatiste në territoret e republikave “rebele”, siç është rasti me Republikën Serbe të Krainës dhe Republikën Serbe të Bosnjës, me justifikimin se askush nuk ka të drejtë t`i detyrojë serbët të shkëputen nga shteti i tyre i përbashkët, se ata që kërkojnë pavarësimin nga Beogradi, mund ta arrijnë atë, por pa serbët dhe territoret ku ata banojnë.
Kur u vërtetua se ky “argument” ishte i pamjaftueshëm për ruajtjen e sundimit serb nën maskën e ruajtjes së federatës, Millosheviçi kaloi në skenarin e dytë, duke ndërmarrë katër luftëra të njëpasnjëshme, që në fund të fundit, çuan në shpërbërjen jokonsensuale, por me dhunë të ish-Jugosllavisë. Luftërat e përgjakshme të Beogradit kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës përbëjnë ndër shkeljet më të rënda të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, pas Luftës së Dytë Botërore. Ishte kjo politikë e Millosheviçit që e çoi vendin e tij në shkatërrim dhe izolim ndërkombëtar dhe vetë atë në bankën e të akuzuarve për krime kundër njerëzimit.
Rusia e re e presidentit Jelcin lëvizi nëpër të tjera koordinata. Ajo iu bashkua republikave simotra ish-sovjetike në luftën për realizimin në praktikë të së drejtës së tyre për shkëputje, të sanksionuar në kushtetutën e BRSS. Ajo u bëri ballë tundimeve për të mbledhur të gjithë rusët, së bashku me territoret ku ata banonin, në një shtet, megjithëse pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik, jashtë Federatës Ruse mbetën rreth 25 milionë rusë. Ndryshe nga Millosheviçi, Jelcini njohu pavarësinë e të gjitha republikave ish-sovjetike, brenda kufijve që ato trashëguan nga federata e mëparshme. Kufijtë ndër-republikanë sovjetikë u njohën si kufij ndërkombëtarë. Ishte pikërisht ky qëndrim që bëri të mundur shpërbërjen pa dhunë, përgjithësisht konsensuale të ish-perandorisë sovjetike, duke shmangur kështu përsëritjen e “skenarit jugosllav në ish-hapësirat e saj”.
Por le të shikojmë çfarë na ofroi g(r)ushti i vitit 2008 në këto hapësira.
Më 8 gusht 2008, Rusia ndërhyri ushtarakisht në Gjeorgji, njërën nga republikat e krijuara pas shpërbërjes “me konsensus” të ish-BS dhe e njohur zyrtarisht nga Moska. Pas kësaj ndërhyrjeje të përgjakshme, Kremlini njohu zyrtarisht dy shtete të reja, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë, brenda territorit gjeorgjian, duke çuar kështu në copëtimin e këtij vendi, fqinj me të. Të dy këto veprime të sjellin në mend qëndrimet e Serbisë së Millosheviçit ndaj republikave simotra në vitet ‘90 të shekullit të kaluar. Justifikimet e Rusisë për këto veprime, gjithashtu, janë të ngjashme me ato të Millosheviçit. Moska po u referohet ligjeve të ish-BS, në bazë të të cilave, sipas saj, pavarësimi i Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë është i argumentuar juridikisht. Sipas Kremlinit, para se Gjeorgjia të bëhej shtet i pavarur, këto dy entitete, me referendum, kanë shprehur vullnetin e tyre që të qëndrojnë në përbërje të ish-Federatës Sovjetike dhe jo të shtetit të ri gjeorgjian. “Argumentet” e Kremlinit përforcohen me faktin që popujt e të dy rajoneve të vetëshpallura të pavarura, në shumicën e tyre, përbëhen nga shtetas rusë, të cilët duhen mbrojtur nga dhuna e Tbilisit dhe duhen mbështetur në aspiratën e tyre për të mos qëndruar në përbërje të Gjeorgjisë. E njëjta logjikë millosheviçiane e përdorur për serbët në rastin e shpërbërjes me dhunë të ish-Jugosllavisë, vetëm se Moska shkon përtej kësaj logjike, sepse sulmin ndaj njërës nga ish-republikat simotra, Gjeorgjisë, ajo e ndërmori pasi e kishte njohur më parë si shtet të pavarur e sovran, brenda kufijve të trashëguar nga ish-Federata Sovjetike, duke i konsideruar si pjesë të pandashme të territorit të saj edhe rajonet e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Ngjarjet e fundit në Kaukaz të çojnë në konkluzionin që kemi të bëjmë me millosheviçizimin e politikës ruse, me heqjen dorë nga vlerat e Rusisë së Jelcinit. Agresioni i Moskës kundër Gjeorgjisë, në fakt, shënon vdekjen e vërtetë të presidentit Jelcin dhe të Rusisë së re që ai krijoi. Nisur nga ky këndvështrim, nëse mund të bëhet fjalë për ndikimin e ndonjë precedenti për ngjarjet e fundit në Kaukaz, atëherë është precedenti millosheviçian i ndërhyrjes me dhunë në shtetet fqinje, ai që ka ndikuar në këto zhvillime. Në këtë kontekst, ka gjasë të jetë i vërtetë jo ekuacioni Rusi=NATO+SHBA, por ai Rusi=Serbi e Millosheviçit. Vetëm se Serbia millosheviçiane euroaziatike ka të tjera përvoja e të tjera potenciale, për pasojë edhe orekse të tjera. Të gjitha këto specifika kushtëzojnë edhe përmasa të tjera të rreziqeve që ajo paraqet për paqen e sigurinë, jo vetëm rajonale, por edhe ato globale. Në përshtatje me përvojat potencialet dhe orekset e saj, aktualisht Rusia po orvatet të imponojë rregullat e saj të lojës.
“Rregullat e reja” të lojës së vjetër ruse
Shumica e studiuesve dhe analistëve ndërkombëtarë i janë përmbajtur pikëpamjes se, pavarësisht situatës së acaruar në Kaukaz, Rusia do të rezervohej në ndërmarrjen e hapave të tillë radikalë si ndërhyrja e armatosur në Gjeorgji dhe njohja e pavarësisë së dy autonomive të saj, Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë. Në favor të kësaj teze janë dhënë argumente të shumtë që lidhen, si me kompleksitetin e “brezit të destabilitetit” në Kaukaz, ashtu edhe me pleksjen aty të interesave gjeopolitike dhe gjeoekonomike të faktorëve rajonalë dhe jashtërajonalë, interesa që, përgjithësisht, divergojnë. Janë bërë vlerësime, sipas të cilave, ndërmarrja e veprimeve të tilla të njëanshme dhe kaq radikale do të kishte pasoja negative afatgjata për vetë interesat e Rusisë. Historia, tashmë dha verdiktin e saj. Pyetjet që aktualisht shtrohen me të drejtë janë këto: pse u arrit deri këtu nga ana e Moskës dhe pse pikërisht tani? Çfarë e detyroi atë të heqë maskën e mbrojtëses së moralit dhe ligjit ndërkombëtar?
Mendimi i përgjithshëm është që, sipas kalkulimeve të Moskës, Gjeorgjia kishte shkuar shumë larg në rrugën e realizimit të aspiratës së saj për integrim në NATO, zhvillim që do të rrezikonte seriozisht interesat ruse të sigurisë në një zonë kaq delikate si Kaukazi. Vazhdimi në këtë rrugë, gjithnjë sipas vlerësimeve të Moskës, do t‘i hiqte asaj mundësinë për të mbajtur nën kontroll hapësirën ajrore dhe detare gjeorgjiane, pa folur për atë territoriale, hapësira këto që konsiderohen si të rëndësishme për Rusinë. Nëse nuk do të rivendoste shpejt kontrollin mbi to, nesër do të ishte vonë. Presidenti i Akademisë Diplomatike të Moskës, gjenerali Leonid Ivashov, vë në dukje frikën e Kremlinit se mos nga fundi i dhjetorit të këtij viti, atij do t’i duhej të ballafaqohej me NATO-n dhe, jo si tani, me Gjeorgjinë e vogël dhe të brishtë. Edhe momenti i ndërhyrjes ushtarake nuk ishte “i paqëlluar”: SHBA në një vit elektoral, të zëna me “hallet” e veta, brenda dhe jashtë vendit, dhe BE, gjithashtu pa e marrë ende veten nga dështimi i referendumit në Irlandë.
Hapi tjetër radikal, ai për njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, u mor, gjithashtu, i diktuar nga logjika e interesave ruse. E befasuar nga kundërshtimi i menjëhershëm dhe i njëzëshëm i komunitetit ndërkombëtar ndaj ndërhyrjes së armatosur në Gjeorgji, Moska gjykoi se, në fazën aktuale, realizimi i interesave të saj në këtë zonë, kalon nëpërmjet njohjes së pavarësisë së dy rajoneve gjeorgjiane. Me këtë akt, Rusia fiksoi politikisht atë që “fitoi” ushtarakisht, duke u siguruar që të mos ketë kthim prapa.
Në një shikim më të gjerë, veprimet e fundit të Rusisë në Gjeorgji janë thjesht një katalizator i proceseve të filluara që në fundin e viteve ‘90, me ardhjen e Putinit në fuqi. Në njërën nga intervistat e tij të këtyre ditëve, Kryeministri Putin deklaroi qartë dhe prerë: “Ne na duhet të biem dakord me rregullat e lojës. Ka ardhur koha që të vendosim përfundimisht për këtë gjë”. Ndërsa Presidenti D. Medvedev, ende pa iu tharë mirë boja firmës së tij në vendimin e datës 12 korrik 2008, për miratimin e “Konceptit të politikës së jashtme ruse”, në fund të muajit gusht, shpalli pesë rregullat e reja të kësaj loje, me theks të veçantë mbrojtjen e qytetarëve të Federatës Ruse “kudo që ndodhen” (rregulli katër) dhe njohjen e zonës së “interesave të privilegjuara” të Rusisë (rregulli pesë). Sipas këtyre rregullave, për Rusinë nuk është më aksiomë miratimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së i ndërhyrjes në territorin e një shteti tjetër sovran. Ajo e ndjen veten “të çliruar”, tashmë, nga parime të tilla të së drejtës ndërkombëtare si mospërdorimi i forcës në zgjidhjen e konflikteve, respektimi i kufijve të njohur ndërkombëtarisht, respektimi i tërësisë territoriale etj. Nga ana tjetër, zonat e “interesave të privilegjuara” ruse nuk kufizohen vetëm me ish-hapësirën sovjetike.
Pasi ka ndrequr me petrodollarë dhëmbët e prishur sovjetikë, Rusisë, gjithnjë e më shumë po i ngjallet oreksi për të kafshuar, ndërkohë që vështrimi i saj grabitqar po hidhet gjithnjë e më larg. Ajo po kërkon rikrijimin e zonave amortizuese dhe po kërcënon se për realizimin e këtij objektivi nuk kursen asnjë mjet, përfshirë luftën. Ajo po deklaron se është gati për një “luftë të ftohtë” të re dhe se nuk e tremb prishja e marrëdhënieve me NATO-n dhe Perëndimin. Moska është e bindur se, siç shprehet shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, epokës së dominimit të civilizimit evropian i ka ardhur fundi dhe se në botën e sotme objekt i konkurencës janë bërë orientuesit e vlerave. Nuk janë të paktë zërat që pohojnë hapur se janë pikërisht vlerat ato që i ndajnë Rusinë dhe Evropën. A mos nga konkurrente, Rusia po kthehet në kundërshtare të Perëndimit. Studiuesi rus D. Trenin, konstaton se vendi i tij e ka konsideruar veten si Plutonin në sistemin diellor perëndimor, pra larg qendrës, por gjithsesi pjesë përbërëse e këtij sistemi. Tani ajo ka kaluar në një orbitë tjetër. Dhe si e tillë lëviz në të tjera koordinata. Me veprimet e saj të fundit në Kaukaz, ajo po dëshmon se vërtet e ka braktisur orbitën perëndimore. Autoritarizmi, nacionalizmi i fuqisë së madhe dhe revanshizmi s’kanë të bëjnë me vlerat perëndimore. As konsolidimi i “linjave të kuqe” s’ka të bëjë me këto vlera. Se ku të çojnë linjat dhe muret ndarëse, Rusia e provoi në kurrizin e saj, gjatë “luftës së ftohtë”. Ashtu siç e ka provuar se ku e çon politika e saj e konfrontimit me Evropën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Lufta e Krimesë (1856) dhe Traktati i Shën Stefanit (1878), nga pikëpamja historike, nuk janë shumë larg.
Në fund të shekullit XIX, cari Aleksandër III, pati deklaruar se Rusia ka vetëm dy aleatë të sigurt - ushtrinë dhe flotën e saj. Sot atyre u është shtuar edhe një i tretë - arma energjetike. Sado peshë që të kenë të tre këta aleatë së bashku, ata janë të pafuqishëm për t‘i siguruar Rusisë përfshirjen në klubin e vendeve të zhvilluara e të civilizuara, si dhe një rol aq të dëshiruar prej saj në udhëheqjen globale. Sepse anëtarësimi në klubin e elitës dhe përfshirja në ekipin e udhëheqjes globale kërkojnë mbështetje dhe legjitimim ndërkombëtar. Millosheviçizimi i politikës së jashtme çon në izolim. Përdorimi i forcës ushtarake për realizimin e qëllimeve politike, gjithashtu çon në izolim. Mbështetja e veprimeve të fundit të Moskës në Gjeorgji nga lëvizjet “Hamas” dhe “Hezbollah” apo përkrahja potenciale nga shtete të tilla si Bjellorusia, Kuba dhe Venezuela shkojnë në drejtim të kundërt me legjitimimin ndërkombëtar. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e zbatimit të “rregullave të reja” në politikën e jashtme ruse që, në thelb, s’janë gjë tjetër, veç ato të vjetrat, por me ambalazh të ri. Është e qartë se me “rregullat e reja” të lojës së vjetër të shekullit të XIX, nuk mund të operohet në epokën globale të shekullit XXI. Nëse Rusia do të vazhdojë të frymëzohet nga rregullat e lojës të së “kaluarës së paparashikueshme”, e ardhmja e saj, me gjasë, do të jetë e parashikueshme - kthim prapa, në të kaluarën e errët, me të gjitha pasojat e veta negative, në radhë të parë për vetë Rusinë dhe popullin e saj, por jo vetëm për ta.
*Ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Të gjitha pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk implikojnë asnjë institucion tjetër.