E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Procesi i ligjit të lustracionit, i pandalshëm dhe i pakthyeshëm

Kryeministri akuzon Partinë Socialiste si përkrahëse të krimeve të komunizmit
Ditën e djeshme në aktivitetin e organizuar për nder të 20 shkurtit ditës së përmbysjes së simboleve të komunizmit kryeministri Berisha tha se, në këtë ditë të gjithë së bashku nderojmë atë qëndresë të pamposhtur të dhjetëra e mijëra shqiptarëve, të cilët mbajtën të gjalla në qelitë e burgjeve, në varret pa mbishkrime, flakët e lirisë dhe shpresën e saj. Jo rastësisht,- u shpreh Kryeministri,- u zgjodh 20 shkurti për ti nderuar ata, sepse 20 shkurti ishte dita e ngadhënjimit të tyre, ishte kurorëzimi i fitores së qëndresës së tyre jo vetëm mbi bronxet, por dhe mbi bustet e gjalla. Gjatë fjalës së tij Berisha theksoi procesi i ligjit të lustracionit është i pandalshëm, është i pakthyeshëm, ai do të ecë gjithnjë brenda rregullave të shtetit ligjor. Ai vijoi se kjo betejë do të vazhdojë me durim dhe vendosmëri për tu ndarë njëherë e mirë nga ky kapitull më tragjiku në historinë tonë kombëtare. Kryeministri Berisha tha se jo rastësisht është zgjedhur 20 shkurti për ti nderuar ata, sepse 20 shkurti ishte dita e ngadhënjimit të tyre, ishte kurorëzimi i fitores së qëndresës së tyre jo mbi bronxet, por mbi bustet e gjalla. Në 20 shkurt në sheshin e Tiranës, në një akt trimërie dhe heroizmi të paparë, u shpreh Berisha qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë përmbysën statujën e Enver Hoxhës, Hitlerit të pasluftës, por në të vërtetë ata përmbysën bronxet e gjalla. Nuk janë të paktë ata që mendojnë se Ramiz Alia atë ditë nuk e përgjaku Shqipërinë. Por ata gabojnë. Mendoni pak dhjetëra e qindra djem e vajza të vrarë në kufijtë e Shqipërisë në vitin 1990. Frikacaku nuk guxoi, sepse populli rumun u kishte dhënë një leksion të shkëlqyer diktatorëve dhe ai e dinte mirë këtë. Pra, ai nuk e bëri këtë për të kursyer qytetarët e Tiranës, sepse ai nuk i kurseu të rinjtë që deshën të largoheshin nga Shqipëria, pasi u hoq neni i tradhtisë së lartë për largim nga vendi. Ai kurseu lëkurën e tij dhe të busteve të tjera të gjalla që u përmbysën në 20 shkurt, u shpreh Berisha.  Kryeministri theksoi se ne jemi vetëm në fillimin e një procesi të dënimit të krimeve kundër njerëzimit, proces jetik dhe i domosdoshëm për paqen sociale të këtij kombi, për fisnikërimin, për virtytet, për moralin e tij. Sot, sërish, pas 18 vitesh, ata të cilët shërbyen si hanxhar të diktaturës, që urdhëruar dhe firmosën varje dhe zvarritje, janë në segmente të caktuara të pushtetit.  Sipas tij, ata të cilët dëmshpërblyen autorët e krimeve monstruoze kundër njerëzimit, ata që firmosën ekzekutimin pa gjyq të dhjetëra e qindra intelektualëve shqiptarë, ata që firmosën dëbimin dhe internimin e dhjetëra e mijëra shqiptarëve dhe që u ndëshkuan në mënyrë simbolike nga ligji i dënimit të krimeve kundër njerëzimit, u dëmshpërblyen për ato pak vite që bënë, po nga ata të cilët shërbyen si hanxhar të krimeve kundër njerëzimit, u dëmshpërblyen nga Partia Socialiste, e cila në dëmin më të madh të saj, në dëmin më të madh të paqes sociale të vendit, nuk merr përsipër të kërkojë të falur dhe të distancohet nga kjo e shkuar tmerrësisht e rëndë dhe e hidhur për kombin dhe vendin. Në mbyllje të fjalimit të tij, Berisha tha të nderojmë të gjithë së  bashku ata qindra e mijëra burra e gra që ranë për tu bërë të pavdekshëm, për tu prehur në altarin e lirisë së kombit. Gjithashtu, të nderojmë ata qindra e mijëra qytetarë të Tiranës që në 20 shkurt përmbysën shtatoren e Enver Hoxhës, Hitlerit të pasluftës dhe statujat e gjalla që mbretëronin në Tiranë. Nder veprës së tyre, nder kujtimit të tyre, nder qëndresës së tyre.     
Aktiviteti
Me rastin e çeljes së ekspozitës ditën e djeshme në kujtim dhe nderim të viktimave të shkaktuara nga diktatura komuniste në Shqipëri, organizuar në Muzeun Historik Kombëtar ishte i pranishëm kryeministri Sali Berisha. Kjo ekspozitë, ishte një iniciativë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe solli dokumente dhe foto tronditëse që dëshmojnë përndjekjet, gjyqet e manipuluara, ekzekutimet barbare dhe vuajtjet e pafundme të ish-të burgosurve dhe të të përndjekurve politikë. Dokumentet historike dhe materialet filmike janë hulumtuar dhe nxjerrë nga fondi arkivor i Muzeut Historik Kombëtar, Galerisë Kombëtare të Arteve, Arkivit Qendror i Filmit, Komitetit të Kulteve,  Institutit të Historisë, Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, Arkivit të Shtetit, Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Arkivit të Ministrisë së Brendshme dhe Arkivit e RTSH-së. Të pranishëm në çeljen e ekspozitës ishin Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, përfaqësues të komuniteteve fetare në vend, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango dhe ministra të tjerë, deputetë dhe të tjerë personalitete të fushave të ndryshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›