E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dhe Berisha të përçarë ditën e rrëzimit të simboleve të komunizmit

Thellohet konflikti midis ekzekutivit dhe presidencës
Ditën e djeshme u konfirmua hapur kriza institucionale që ka mbërthyer mazhorancën me institucionin e Presidencës. Ka qenë dita e rrëzimit të simboleve të komunizmit që është festuar në dy pjesë me ceremoni të ndryshme. Nëse kryeministri Berisha kishte organizuar ditën e rrëzimit të simboleve të komunizmit në muzeun kombëtar, ku nëpërmjet një aktiviteti që pasqyronte fotografi nga krimet komunizmit kishte mbledhur rreth vetes gjithë qeverinë dhe kryetaren e parlamentit. Në këtë aktivitet nuk mungonin ish të persekutuarit të cilët kishin mbushur sallën e Muzeut historik kombëtar. Në të njëjtën ditë presidenti i Republikës Bamir Topi organizoi  një tjetër aktivitet me personazhe të cilët kanë qenë prezent në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit duke shpërndarë dekorata për 14 personazhe të spikatur të asaj kohe. Nëse nga një anë kryeministri Berisha kishte mbledhur rreth vetes të persekutuar dhe lëshonte sinjale kundër regjimit komunist që persekutoi shqiptarët, në ambientet e dekoratave, presidenti Topi i referohej ditëve të rrëzimit të simboleve të komunizmit, ku pjesëmarrës të ndryshëm  rikthyen sekuenca të ndryshme të regjistruara në memorien e pjesëmarrësve. Dita e djeshme përpos faktit që solli një festim ndryshe  të një date të shënuar për demokracinë shqiptare, rikonfirmoi faktin e një ndarje përfundimtare midis institucionit të presidentit dhe mazhorancës aktuale. Tashmë midis Presidencës dhe ekzekutivit është krijuar një hendek i madh, i cili po shndërrohet në luftë personale ku palët po përdorin të gjitha forcat që ju lejojnë institucionet përkatëse për të luftuar njëri-tjetrin. Nëse kryeministri Berisha nëpërmjet lojërave të tij politike në bashkëpunim me opozitën krasiti kompetencat e presidentit duke fuqizuar institucionin e kryeministrit, mori ligjin për prokurorinë dhe shumë ligje të tjera të cilat i dobësuan rolin e presidentit, ky i fundit nëpërmjet kompetencave që ka mbi drejtësinë ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë e tij për  të sulmuar Sali Berishën. Tashmë pozicionimi i prokurorisë evidentohet qartë pro presidentit Topi duke i shërbyer këtij të fundit në sulmet kundër kryeministrit Berisha, i cili nga kryetar i tij në forcën politike që e solli në krye të presidencës është shndërruar në armik të Presidentit.  Prokuroria tashmë është shndërruar në institucionin vegël të Bamir Topit, Edi Ramës dhe ambasadorit amerikan Uithers. Të gjitha sulmet kundrejt Berishës janë të orkestruara së fundmi nga kjo treshe, e cila nëpërmjet uzurpimit të prokurorisë me elementë në dispozicion të tyre kanë shndërruar misionin e tyre të akuzës në mision linçimi të armikut të tyre politik Sali Berisha. Në fakt Sali Berisha ka jo pak  gjynahe në ngjarjen e Gërdecit, por kjo ngjarje mesa duket nuk lë jashtë përgjegjësisë presidentin Topi, i cili ka qenë në dijeni të ligjeve të hartuara dhe aktivitetit që zhvillohej në Gërdec. Rasti më flagrant i instrumentalizimit të Prokurorisë ka qenë momenti i skandalit Fazlliç, moment ku prokuroria tregoi se mjaftonin urdhrat e treshes Topi-Rama-Uidhers për të nisur arrestin telefonik në drejtim të boshnjakut. Ndërkohë që nëse vëmë re reagimi i prokurorisë në drejtim të korrupsionit Rama, apo dhe raste të tjera skandaloze të krimit ekonomik të lidhura me politikën e majtë apo me presidentin Topi siç është rasti i Soros me fondacionin Besa, kemi një heshtje të plotë.  Pra gjatë ditës së djeshme  Presidenti i Republikës, Bamir Topi riktheu në qendër të vëmendjes konfliktin që ekziston midis mazhorancës dhe institucionit të tij ku aktivitetet për rrëzimin e simboleve të komunizmit, u kthyen në simbol të përçarjes së presidencës me ekzekutivin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›