E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron personalitete dhe institucione që kanë ndihmuar në rrëzimin e simboleve të komunizmit

Personalitete dhe institucione me kontribut të veçantë në rrëzimin e simboleve të komunizmit në Shqipëri janë dekoruar dje nga Presidenti Topi. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në Pallatin e Brigadave ishin të pranishëm, përfaqësues të Trupit Diplomatik në vendin tonë, Zëvendësambasadori amerikan  Stiven Kristina, Ambasadorja franceze Mariz Davje, Ambasadori gjerman Bernd Borhard, ambasadori danez  Karsten Ankjer Jensen, Shefi i Departamentit ligjor të Prezencës së OSBE, Frank Dalton, Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vasilika Hysi përfaqësues nga Këshilli i Evropës, drejtues të komuniteteve fetare, të  shoqatave të  persekutuarve dhe të dënuarve politikë, familjarë të personaliteteve të dekoruara si dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës i dorëzoi Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë Medaljen e Artë të Shqiponjës me motivacionin: Për kontribut të çmuar në Lëvizjen Demokratike dhe veçanërisht, në protestën e qytetarëve të Tiranës të 20 Shkurtit 1991 për përmbysjen e simboleve komuniste, si moment i rëndësishëm në ndryshimet progresive në vend.
Me Medaljen e Mirënjohjes, Kryetari i Shtetit dekoroi Qendrën Shqiptare për Rehabilitimin e Viktimave të Traumës dhe të Torturës me motivacionin: Për kontribut të vyer, në rehabilitimin e ish të përndjekurve politikë të mbijetuar nga traumat dhe torturat e regjimit komunist, të pjesëmarrësve në protestën e 20 shkurtit 1991 dhe mijëra refugjatë kosovarë gjatë krizës humanitare të Kosovës.Ndërkohë që me motivacionin Për kurajon dhe guximin qytetar të treguar, si pjesëtar aktiv i protestës së popullit të Tiranës, të 20 shkurtit 1991, për përmbysjen e simboleve komuniste, si moment i rëndësishëm në Lëvizjen Demokratike, Presidenti Topi i akordoi Saimir Reshit Malokun Medaljen e Artë të Shqiponjës.Në këtë ceremoni dekorimi, Presidenti i Republikës nderoi me Medaljen Pishtar i Demokracisëkëta emra: Hyget Murat Borova,  Lida Dhori Bezhani, Liliana Lame Llapaj, Lindita Muharrem Hamiti, z. Astrit Gjolek Hatellari, znj. Sanije Ibrahim Vojka, z. Albert Dino Risilia, si dhe Vera Hasan Rada me motivacionin: Për kurajon dhe guximin qytetar të treguar në rrëzimin e simboleve komuniste më 20 Shkurt 1991 dhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri.Gjithashtu, me Medaljen e Mirënjohjes u dekoruan nga Presidenti Topi  Ardian Besnik Heta, Xhovalin Nazmi Çokani dhe Hajredin Rauf Fratari me motivacionin: Për kontributin e dhënë në rrëzimin e simboleve komuniste më 20 shkurt 1991 dhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri.Në emër të personaliteteve të dekoruara përshëndeti Saimir Reshit Maloku, i cili në fjalën e tij e cilësuar një nder të madh dekorimin e protagonistëve të 20 shkurtit 1991. Kjo gjë po ndodh në të njëjtën orë kur 18 vjet më parë, ne, unë dhe këto protagonistë këtu i bëmë thirrje popullit protestues tek Radiotelevizioni që të marshonim drejt sheshit Skënderbej në mënyrë që të rrëzonim monumentin e diktatorit komunist. Ne shpëtuam një gjakderdhje të mundshme që mund të ndodhte atë ditë kur turma protestuese insistonte të shkonte tek blloku qeveritar. Ne realizuam idealin që i kishim vënë vetes tonë, rrëzimin e simboleve komuniste, të cilin e realizuam me sukses, u shpreh Maloku. Ai tha se duke i dekoruar  Presidenti i Republikës,  ka dekoruar popullin demokrat të Tiranës, shtresat e të përndjekurve politikë, sepse shumica e këtyre protagonistëve janë të përndjekur politikë. Maloku ka falënderuar në emër të protagonistëve, edhe 40 shoqata, institucione, komunitete fetare, gjithashtu dhe 210 personalitete të rëndësishme dhe ish-protestues, të cilët propozuan dekorimin tonë. Ato propozuan që kjo ditë të quhet Dita e rrëzimit të simboleve komuniste nga qeveria dhe e nderimit të viktimave të regjimit komunist".

Last Updated on Saturday, 21 February 2009 12:02

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›