E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Me 28 qershor do te hapim epokën e kapitalizmit ne fshat

Në vijim të turit elektoral, kryesocialisti, Edi Rama është ndalur në qytetin e Elbasanit. Gjatë fjalimit të tij, Rama është ndalur tek problemet e pronësisë. Nga Elbasani  Rama ka bërë premtim për regjistrimin e tokës bujqësore dhe dhënien e certifikatës së pronësisë bujqve e fermerëve duke hedhur bazën e tregut të tokës. Sepse, vijoi Rama  nuk mund të ketë një Shqipëri të mirëushqyer me një fshat të kthyer në epokën e mesjetës dhe s'mund të ketë një Shqipëri Evropiane të zhvilluar ekonomikisht pa hapur epokën e kapitalizmit në fshat. Kreu i PS, Rama deklaroi se ne do ta hapim këtë epokë më 28 qershor duke mbyllur procesin e certifikimit të pronësisë mbi tokën bujqësore mbi bazën e ligji 7501, duke i kthyer bujqit dhe fermerët shqiptarë nga bujkrobër që mbijetojnë pa pronë e mbështetje nga shteti në zotër të tokës që bashkëpunojnë me njëri tjetrin e me shtetin për të nxjerrë nga varfëria familjen e tyre, fshatin e tyre, atdheun e tyre. Duke iu drejtuar qytetarëve elbasanas, Rama tha se do të shkruajmë bashkë me bujqit e fermerët shqiptarë, të majtë e të djathtë të bashkuar për të ardhmen e familjeve të tyre e të atdheut tonë të përbashkët, një faqe të re në historinë e fshatit shqiptar duke i dhënë jetë një aleance historike me çdo qytetar që jeton në fshat. Sepse për ne, theksoi Rama  nuk ka një Shqipëri qytetarësh të respektuar që jetojnë në qytetet dhe një Shqipëri fshatarësh të harruar që mbijetojnë në fshat, por një Shqipëri qytetarësh të Republikës së Shqipërisë me liri e të drejta të barabarta kudo ku lindin, rriten e jetojnë në territorin e atdheut tonë." Sipas kryesocialistit Rama, epoka e re e kapitalizmit në fshat do të nisë më 28 qershor dhe do të marrë jetë nga programi i ri i PS.  Rama gjithashtu ka premtuar rikthimin e Normales së Elbasanit në një vatër edukimi për fëmijët, duke i kthyer prestigjin e 100 vjetëve më parë. "Më lejoni t'ju them, se ne, as do ta mbyllim dhe as do ta shndërrojmë Normalen e Elbasanit në një gjimnaz si gjithë të tjerët, por do ta rikthejmë atë në një vatër të edukimit të edukatorëve të fëmijëve tanë, duke i kthyer prestigjin e një historie të nisur 100 vjet më parë. Vëmendja e qeverisë sonë, që do të jetë e palëkundur në rrugën e rimëkëmbjes së arsimit shqiptar. Ne kemi bindjen se arsimimi është politika më e mirë ekonomike dhe në 4 vjet do të bëjmë për arsimimin e fëmijëve dhe të të rinjve, aq sa politika e vjetër nuk ka bërë në 18 vjet të mbledhura së bashku, përfundoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›