Dervishaj: Pas kthimit nga prefekti, p/buxheti do rikthehet në këshillin bashkiak
Një ditë pas kthimit te projektbuxhetit të bashkisë për vitin 2009, nga prefekti, tashmë drafti rikthehet sërish me debate në këshillin bashkiak. Do të jetë kryetari i këshillit Sokol Dervishaj, i cili do të thërrasë këshillin. Sipas Dervishaj, procedurat për projektbuxhetin do të vazhdojnë sërish në drejtimin e tij, pasi kontestimet që ai i kishte bërë draftit u vërtetuan dhe nga prefekti.
"Unë jam tërhequr nga ai proces në një moment kur me akuzuan si i politizuar, nderkohe qe vendimi i prefektit verifikoi saktësisht të gjithë kontestimet apo vërejtjet që unë kisha në lidhje me këtë proces, të cilat nuk ishin aspak politike, por ishin të gjitha kontestime që kanë të bëjnë me ligjin dhe me procedurën", bëri te ditur Dervishaj. Brenda javës që vjen kryetari i këshillit bashkiak do të mbledhë kryetarët e grupeve. Ndërkohë që Dervishaj, thotë se në baze të ligjit, këshilli bashkiak duhet të mblidhet. "Këshilli ka detyrimin ligjor për tu mbledhur kështu që unë nuk besoj që këshilli nuk do të mblidhet", vijoi Dervishaj. Për tu miratuar drafti i buxhetit duhen 28 vota pro, ndërkohë që këshilli bashkiak ka 55 anëtarë, 21 këshilltarë të PS, 17 të PD, 6 LSI dhe nga një këshilltar partitë e tjera.