E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Procesi per zgjedhjen e Presidentit konform Kushtetutes

Zgjedhja e presidenti dhe realizimi i reformave të nevojshme për integrimin evropian ishin temë e takimit mes kryeministrit Berisha dhe Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian zotin Stefano Sannino. Pasi i uroi mirëseardhjen zotit Sannino Kryeministri Berisha vlerësoi angazhimin e Komisionit dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në ndihmën që i jep Shqipërisë për çuarjen përpara të reformave të nevojshme për integrimin evropian. Në përgjigje të interesit të zotit Sannino për vazhdimësinë e këtyre reformave, kryeministri Berisha e siguroi atë për angazhimin e plotë të mazhorancës për përmbylljen e tyre sa më shpejt në përputhje me rekomandimet dhe prioritetet që Shqipëria ka në procesin e integrimit. Në takim u bisedua edhe për procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kryeministri Berisha theksoi, se në respekt të angazhimit të tij të bërë publik prej kohësh, procesi që po zhvillohet është në përputhje të plotë me gërmën dhe frymën e Kushtetutës, i bazuar në negociata dhe konsultime. Shefi i qeverisë shprehu besimin se procesi që po zhvillohet në Parlament dhe kandidatura e ofruar nga mazhoranca, përmbush më së miri kushtet dhe kriteret që ky proces të përmbyllet me zgjedhjen e një Presidenti të Republikës që siguron konsensus dhe mbështetje të gjerë të forcave politike dhe opinionit publik. Në këtë takim Sannino shoqërohej nga Kreu i Delegacionit të BE-së Ambasadori Ettore Sequi.
Pas takimit me kryeministrin Berisha, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian Stefano Sannino, ka zhvilluar në selinë një takim të veçantë edhe me kryesocilaistin Edi Rama. Biseda është përqendruar mbi procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit shqiptar. Komisioni Europian, Gjithashtu, gjatë takimit është diskutuar edhe në lidhje me reformat ligjislative, në mënyrë të veçantë ndryshimet në ligjin zgjedhor dhe rishikimin e Rregullores së Parlamentit. Pas takimit, i cili zgjati për rreth 75 minuta, zoti Rama dhe zyrtari i lartë europian nuk dhanë asnjë prononcim për mediat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›