Nano:Politizimi që po i bëhet garës, rrezik për integrimin

Lëvizja “Nano për President” ka deklaruar sot se politizimi i tepruar që po I bëhet procesit të përzgjedhjes së kreut të ri të shtetit është rrezik për integrimin e vendit. Në një deklaratë për shtyp, lëvizja “Nano” thekson se në vitin e 100-të Pavarësisë së shtetit shqiptar kjo festë rrezikohet të festohet mes krizash, ngërçesh, mosmarrëveshjesh, papjekurie politike si edhe bjerje të shpresës.
“Jemi në prag të provimit të tretë për të marë statusin e vendit kandidat për në BE por politizimi i tepruar, mungesa e mirëbesimit mes palëve, mbytja e garës dhe konkurrencës së lirë, nxitja e konfliktualitetit, e llogorizimit, e militantizmit shterpë, apo e klientelizmit privat te kryetareve, po e lëvizin Shqipërinë jashtë aksit të meritës për ta kaluar me sukses këtë provim. Rrezikojmë seriozisht të bëhemi vendi i vetëm, 3 herë i rrëzuar nga BE, ndërkohë që rekordin e kemi thyer duke i humbur dy vitet pararendëse” thuhet në deklaratë.
Nano gjithashtu falënderon dhe i shpreh mirënjohjen të dërguarit të Komisionerit Stefan Fule në Shqipëri, Stefano Sannino për misionin e tij të sotem moderator në vendin tonë e për përpjekjet dhe inkurajimin që ai ka bërë për të zgjidhur ngërçin e zgjedhjes së Presidentit. “Ndihma dhe mbështetja e institucioneve europiane dhe e të gjithë partnerëve euroatlantikë është e shumëçmuar dhe tejet e rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve në vendin tonë” theskon lëvizja.
Nano gjithashtu u bën thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, Kryetarit të Grupit Kuvendor të PS Gramoz Ruçi, dhe drejtpërdrejtë të gjithë deputetëve të Gurpit Kuvendor të PS që të marrin vendime të drejta në tejkalimin e këtij ngërçi politik të stërzgjatur, duke i dhënë Shqipërisë Presidentin më të mirë, i cili do të jetë mbi palët, garant i kushtetutës, mbrojtës i institucioneve të pavarura, simbol i unitetit kombëtar, jo noter partish, do të garantojë realizimin e reformave që do të përshpejtojnë proçesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por edhe do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme në vitin 2013.
Ai ka theksuar më tej se prej javësh PS nëpërmjet Kryetarit Rama, ka adoptuar qëndrimin për një proçes amorf, nëpërmjet të cilit do të shkohet tek një kandidat konsensual. “Prej javësh është vënë re këmbëngulja e paarsyetur e zyrës së Ramës, se kjo parti nuk ka emër për të propozuar ngase PS është pakicë, nuk ka numrat për ta zgjedhur Presidentin, se PS synon vetëm konsensusin me kandidatet e maxhorancës, e të tjera deklarata të tilla vetëpërjashtuese të opozitës nga vendimmarrja parlamentare” shton Nano.
Gjithashtu, Nano i bën thirrje PS-së që ta mbështesë për President në mënyrë që kjo forcë politike të rritet duke e lartësuar Presidentin. Nano i fton gjithashtu deputetët e PS që të bëhen dalëzotsa, duke i dalë për zot dinjitetit të tyre, integritetit të tyre, Partisë Socialiste, demokracisë shqiptare, lirisë e drejtësisë, si edhe mbarëvajtjes së punëve në Shqipëri në mënyrë që të gjithë së bashku ta festojmë 100 vjetorin e Pavarësisë edhe me Statusin Kandidat në BE të fituar.