E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Programi i PD-së, në BE në 2013-ën

Programi bazohet sërish në luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjes me duar të pastra

Kryeministri Berisha prezantoi programin e Partisë Demokratike për katër vitet e ardhshme


Partia Demokratike publikoi dje programin elektoral dhe të qeverisjes në katër vitet e ardhshme, në rast të marrjes së një mandati të dytë. Programi i prezantuar nga kryetari i PD-së dhe kryeministri Berisha në Kuvendin e 9-të përqendrua në sektorët më të rëndësishëm të vendit. Kryeministri Berisha tha se dy zotimet kryesore të PD-së në katër vitet e ardhshme janë lëvizja e lirë e qytetarëve brenda vitit 2010 dhe plotësimi i të gjitha kushteve që Shqipëria të jetë gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2013.


Ai e quajti Shqipëria Evropiane dhe tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të arritur këtë. Kuvendi i PD-së i zhvilluar në ambientet e Pallatit të Kongreseve u hap nga nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli. Në punimet e tij e morën fjalën katër nga drejtuesit kryesorë të kësaj force politike, si Bode, Basha dhe Olldashi, të cilët drejtojnë fushatën elektorale në katër qarqet kryesore të vendit.

Programi


Kryeministri deklaroi se për t'u bërë vend i BE-së nevojitet thellimi i reformave të nisura në mandatin e parë. "Le të punojmë për të siguruar balancën dhe kontrollin e pushteteve, për të siguruar pavarësinë e tyre, për reformimin e thellë të gjyqësorit, ligjeve, kodeve, institucioneve të riedukimit, përmbarimit. Shteti ligjor duhet të njohë një nivel të ri në Shqipërinë evropiane",- deklaroi ai para të pranishmëve. Ai theksoi se liria do të mbetet prioritet i Partisë Demokratike.


Duke folur për të drejtat e minoriteteve, ai tha se ata do të kenë përfaqësimin më dinjitizoz në legjislaturën e ardhshme pavarësisht makinacioneve para-elektorale. Kryeministri Berisha iu rikthye sërish motos së katër viteve të shkuara të "Qeverisjes me duar të pastra", duke thënë që lufta kundër korrupsionit do të jetë prioritet i qeverisë së djathtë. "Objektiv i qeverisë tonë do jetë lënia pas e disa vendeve të BE-së për nga niveli i korrupsionit. Nga qeveria e babëzisë kaluam tek qeveria e vogël dhe do të kalojmë tek një qeveri edhe më e vogël.


Do të kemi një qeveri të dietës",- tha Berisha duke ripërsëritur shkurtimin e portofoleve ministrore. Sipas tij, katër vitet e ardhshme do të jepen me koncesion të gjitha shërbimet për pronat, hipotekat, etj, për të minimizuar korrupsionin, si dhe do të hiqet imuniteti për të gjithë zyrtarët. Shqipëria, krahas vlerësimeve për reformat është përballur me kritika nga komuniteti ndërkombëtar kryesisht rreth ndërhyrjes së qeverisë në punën e institucioneve të pavarura dhe në nivelin e korrupsionit. Ai përmendi disa arritje të qeverisë në këto katër vite si anëtarësimi në NATO, firmosja dhe ratifikimi i MSA-së, aplikimi për vend kandidat, vizita e presidentit Bush, rruga Durrë-Kukës, etj.

Ish-pronarët


Kryeministri shqiptar pranoi dje se qeveria nuk kishte mbajtur premtimin për dy shtresat e shoqërisë, ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit, por tha se ajo do të trajtojë këto çështje me seriozitetin më të madh. "I ftoj të mos humbasin durimin, pasi së bashku do të qëmtojmë të vërtetën dhe do të bëjmë çdo gjë për zgjidhjen finale",- tha Berisha për ish-pronarët. Sipas tij, gjatë këtij mandati janë evaduar 85% e dosjeve dhe do të zgjidhen edhe më të vështirat, si dhe çdo ish-pronar do të kompensohet me vlerën e tregut. Ndërsa për ish-të përndjekurit, ai deklaroi se Shqipëria nuk do të jetë e drejtë dhe e ndershme pa i dëmshpërblyer plotësisht.


Sektorët

Fiskalë
-Heqja e TVSH-së për sektorin privat në arsim dhe shëndetësi
-Heqja e taksës së dividentit
-Reformë në skemën e sigurimeve shoqërore

Arsimi
-Buxheti i arsimit 6% e PBB-së
-3-fishim i kontributit të arsimit privat pas lehtësirave fiskale

Punësimi
-Punësim për 160 mijë qytetarë në katër vitet e ardhshme, nëpërmjet investimeve të huaja
-Shteti do të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore për punonjësit e ri
-Investimet në zonat malore do të përjashtohen nga taksat për 5 vjet

Bujqësia
Rritje me 50% të prodhimit bujqësor
6-fishim i granteve dhe kredive për fermerët
Financim i çdo projekti të fermerëve në zonat Jug dhe Veri Lindore

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›