E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një invalid në garë për deputet

Abdulla Omuri ka paraqitur 770 deklarata mbështetëse, të noterizuara në mënyrë individuale, para noterit


Përveç katër koalicioneve të regjistruara, tashmë, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në garën e ardhshme elektorale do të marrë pjesë edhe një kandidat i pavarur. Bëhet fjalë për Abdulla Omurin, i cili ka paraqitur në këtë komision konform të gjitha kërkesave ligjore kërkesën për të garuar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në zonën zgjedhore të Qarkut të Tiranës. Ai nuk është si gjithë kandidatët e tjerë, pasi vjen në këtë konkurrim si kandidat i pavarur nga asnjë forcë politike dhe si përfaqësues i shoqatës së Invalidëve të Punës dhe shoqatave homologe të personave me aftësi të kufizuar.


Por, për të arritur deri këtu, ai ka mundur që të kalojë të gjitha pengesat ligjore, që me qëllim krijuan dy partitë e mëdha, duke mbledhur më shumë se 7 mijë deklarata të noterizuara në mënyrë individuale, duke përballuar njëkohësisht dhe barrën e madhe ekonomike që ka shkaktuar procesi i noterizimit për secilin prej tyre. Për këtë, ai, konform të gjitha detyrimeve dhe afateve ligjore, ka ngritur dhe Komitetin Nismëtar për Regjistrimin e Kandidatëve të Pavarur, i përbërë nga 9 persona, të gjithë banues të Qarkut Tiranë.


Pavarësisht se kishte arritur që të paraqiste një dokumentacion të saktë që do ta kishte patur zili dhe një forcë e tërë politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përsëri ka gjetur një shkak për të penguar edhe për disa ditë regjistrimin e tij si kandidat zyrtar për zgjedhjet parlamentare të qershorit në zonën zgjedhore të Qarkut Tiranë. Kështu, KQZ-ja i ka kërkuar atij që për lehtësi të verifikimit, nëse firmëtarët e këtij propozimi ishin banues të Qarkut të Tiranës ose jo, i kanë kërkuar që listën e tyre ta paraqesë edhe në mënyrë elektronike.


Pavarësisht kësaj pengese, vet kandidati Abdulla Omuri, i shoqëruar dhe nga disa anëtarë të shoqatës së të verbërve, ka premtuar se brenda tri ditëve të ardhshme do të vërë në dispozicion të këtij komisioni edhe listën e mbështetësve në versionin elektronik.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›