Berisha: Programi i Ramës, i dështuar – propozon rritjen e taksave për qytetarët shqiptarë

Kreu i qeverisë: Mazhoranca do refuzojë çdo tentativë të opozitës për të rënduar xhepat e qytetarëve
Kryeministri Sali Berisha, vizitoi sot Panairin agro-biznes-turizëm i organizuar nga disa komuna kufitare të Tiranës. Qëllimi i organizimit të këtij panairi nga Komunat Farkë, Petrelë, Baldushk, Bërzhitë është promovimi i prodhimeve tradicionale të zonave të tyre si dhe për të promovuar ketë zonë piktoreske në periferi të kryeqytetit, e cila është bërë me e prekshme dhe më e afërt për turistët vendas dhe të huaj, për shkak të kompletimit të infrastrukturës me rrugët kombëtare dhe dytësore. Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kryetarët e komunave, ministri i Kulturës dhe Turizmit Bumçi, ministri i Bujqësisë Ruli dhe deputetë të zonës vizitoi nga afër stendat e të katër komunave, ku reklamoheshin produktet karakteristike të secilës prej tyre. “Ndryshimet e mëdha që keni arritur, që paraqiten sot kaq bukur me këtë panair, që kur e viziton mendon se jo disa komuna, por Shqipëria e tërë ndodhet e përfaqësuar këtu. Fjalët janë të tepërta, me asgjë nuk mund të përshkruhen shijet, paraqitja e prodhimeve tuaja të mrekullueshme, e gatimeve tuaja të shkëlqyera, ndaj dhe mbetet vetëm t’ju përgëzoj përzemërsisht. T’ju garantoj ju, se ne do të bëjmë gjithçka që në çdo fshat të këtyre komunave, që në çdo fshat të këtij vendi, ju njerëzit e punës, njerëzit e tokës, të prodhimit, të keni infrastrukturën e njëjtë me lagjet e qyteteve tona, të keni infrastrukturë të njëjtë me fshatra dhe komunat e vendeve të zhvilluara Evropiane. Ndërkohë, ne do të bëjmë gjithçka, të mbështesim traditat tuaja të shkëlqyera. Tirana ka fat të madh që ka komuna nga më piktoresket dhe me potencial të jashtëzakonshëm turistik”- u shpreh kryeministri Berisha. Duke vlerësuar fermerët për investimin e tyre, Berisha i garantoi ata se qeveria s’do pranojë propozimin e Partisë Socialiste për rritjen e taksave. Sipas Berishës, kreu i PS-së, Rama ka ndërtuar një program që synon kryq e tërthorë shkatërrimin e vendeve të punës dhe mjerimin e xhepave të qytetarëve shqiptarë. “Dua t’i garantoj se qeveria, jo vetëm që nuk do të rrisë taksat siç kërkon zoti Rama, me një urrejtje arkaike ndaj të pasurve. Unë i them atij se problemet e varfërisë në sistemin e lirisë nuk zgjidhen kurrë duke luftuar të mëkëmburit, por zgjidhen duke bërë çdo gjë që edhe të varfrit të bëhen të mëkëmbur dhe në qoftë se ti rrit taksat siç thua, për të shkatërruar me një të rënë të lapsit qindra-mijëra vende pune, nuk bën gjë tjetër veçse thellon varfërinë dhe mjerimin në vendin tënd, por kjo kohë ka perënduar dhe nuk kthehet më”- deklaroi Berisha. Duke ironizuar librin e kryesocialistit, Berisha iu drejtua atij duke i dhënë një mesazh konkret politik, që të merret me kujtimet. “Më mirë merru me kujtimet e tua”. Kreu i qeverisë u ndal te projekti i ekzekutivit për kultivimin e drurëve frutorë, duke theksuar se qeveria do mbështesë fermerët për 100-fishimin e tyre. Sipas kryeministrit përmes prodhimeve vendase furnizohet tregu dhe rriten të ardhurat e qytetarëve. “Këtu në panair, janë të gjitha frutat që prodhon ky vend, të cilësisë më të lartë. Nga ullinjtë tuaj që janë të famshëm për shijen dhe vajin e tyre, vaj që ka marrë certifikata dhe çmime ndërkombëtare, tek rrushi, arrat, lajthitë, shegët, fiqtë dhe të gjitha prodhimet e tjera. Çfarë kërkojmë ne, në mënyrën më njerëzore nga ju? Ne kërkojmë të dashur fermerë të komunave, Farkë, Petrelë, Baldushk, Bërzhitë dhe të gjitha komunave të Shqipërisë vetëm një gjë, të vendosim të dhjetëfishojmë, të qindfishojmë, drurët frutorë në këtë vend. Kjo është një rrugë e sigurt, e begatimit të familjeve tuaja. Kjo është një rrugë e sigurt, e begatimit të komunave tuaja, e begatimit të vendit tonë. Duke vizituar panairin, u ndala tek stendat e Vrapit, pashë aty arrat e mrekullueshme dhe pyeta njërin nga fermerët. Cili është potenciali juaj për arrat? Mu përgjigj, - se ato mund të dhjetëfishoheshin, qindfishoheshin. Sot, ne jemi në kushte krejtësisht të tjera me ato që ishin vite me parë, sot ne jemi në zemër të tregun më të madh të botës, që është tregu i Bashkimit Evropian. Ndaj dhe ne, duhet të bëjmë gjithçka, për të rritur sa më shpejt prodhimet tona të mrekullueshme. Unë ju garantoj ju, se nuk ka askund prodhime më të shijshme sesa prodhimet e kësaj toke. Ullinj prodhohen në shumë vende, por ullinj të shijshme si të Tiranës, Mallakastrës, Bregut, Beratit, Elbasanit, nuk gjenden dhe nuk prodhohen askund, ndaj dhe ne kemi tregun e garantuar. Ne jemi një vend i shkëlqyer për fruti-kulturën, sepse ne vetëm 20 përqind të sipërfaqes sonë tokë, e kemi tokë ara dhe bimë arash. Por kemi 80 përqind tjetër, të cilat deri në lartësinë 800 metra, mund ta shndërrojmë në kopshtin më të madh, më prodhues, më të bukur të Europës. Ndaj dhe së bashku, le të punojmë në këtë projekt të madh të ri, le të vendosim ne së bashku për të qindfishuar rrënjët e drurëve frutorë. Aty ku ka një shelg, le të mbjellim një arrë, çdo gardh që kemi le t’i mbjellim hardhi e lajthi, le të mbjellim ullinj në zonat që bëhet ulliri, le të shohim ne si do të rritet të ardhurat gjithsecilit brenda një kohe shumë të shkurtër”- tha Berisha. Për një administrim më të mirë të procesit të kultivimit të drurëve frutorë, kryeministri Berisha tha se qeveria do t’i lëshojë më shumë kompetenca njësive vendore, të cilat do të kenë tagrin të mbjellin çdo pëllëmbë të tokave të tyre, për t’i shndërruar komunat në prodhuesit më të fuqishëm, duke furnizuar kështu tregun me prodhimet vendase. “Me ministrin e bujqësisë dhe një grup të veçantë, ne po punojmë që tu japim ju, ato kompetenca që as qeveria nuk i ka sot, por i ka vetëm parlamenti, dhe do t’jua japim ju që të mbillni çdo pëllëmbë të tokës në komunat tuaja, në interesin më të mirë, të çdo familjeje në këtë vend. Ne po shtrijmë infrastrukturën, ne do ju garantojmë ju, rrugë të asfaltuara kudo që jeni, shkolla të njëjta me qytetet kudo që jeni, kanalizime ujësjellësa vaditje kudo që jeni. Por, jeni ju zotër të tokës dhe ju takon ju, t’i shndërroni komunat tuaja në prodhimin më të fuqishëm të prodhimit në rrethin e Tiranës dhe në Shqipëri”. Një pikë e rëndësishme për kryeministrin Berisha, ishte zhvillimi i potencialeve turistike të zonave malore. Kreu i qeverisë shprehu mbështetje për zhvillimin e turizmit në këto zona, ndërsa premtoi përjashtimin e tyre nga sistemi i taksave për 8 vjet. “Komunat tuaja dhe komunat në mbarë Shqipërinë kanë një potencial të madh turistik për tu zbuluar. Deri më sot në marrim rreth 3.5 milion turistë dhe vizitorë, që normalisht drejtohen drejt detit, se nuk kemi pasur infrastrukturë, por ju garantoj se një fluks po kaq i madh, do të drejtohen drejt komunave, fshatrave, kodrave dhe maleve tona. Ndaj dhe le të përpiqemi ne të zhvillojmë potencialet turistike të zonave tona. Në këtë luginë, në këtë zonë, në këto kodra, janë dhe funksionojnë nga lokalet më të mira të kryeqytetit, të bëra të famshme për gatimin e tyre, për shërbimin e tyre, për të gjithë kënaqësinë që ju krijojnë klientëve të tyre”- tha kryeministri.
Ky promovim nisi me turin e një grupi motoristësh shqiptarë, të cilët me Harley Davidson-ët e tyre, përshkruan rrugët dytësore, që lidhin këto 4 komuna me njëra-tjetrën, por që janë ende të pazbuluara nga qytetarët e Tiranës dhe turistët. Është hera e parë, që në Shqipëri zhvillohet një tur i tillë për të promovuar bukuritë natyrore dhe infrastrukturën rrugore, që ofrojnë këto zona, tur i cili përfundoi me panairin në sheshin e komunës së Petrelës.