Berisha: Prokuroria, peng i “Hakmarrjes"
TIRANE- Vdekja e mistershme e biznesmenit Kosta Trebicka, denoncuesit të aferës shtetërore të armëve, është rikthyer sërish dje në qendër të debateve parlamentare. Kryeministri Sali Berisha, nga tribuna e Kuvendit sulmoi ashpër Prokurorinë e Përgjithshme duke e akuzuar se caktoi një ekspert për zbardhjen e ngjarjes të lidhur sipas tij me organizatën kriminale, “Hakmarrja për Drejtësi”. Ky “element i papërgjegjshëm”, sipas Berishës, u përdor nga opozita për të manipuluar vdekjen e Trebickës duke e servirur atë si vrasje dhe jo si aksident automobilistik. “Në momentin kur pritej ekspertiza, me elementë të papërgjegjshëm në Prokurori, ju u përpoqët të manipulonit mediat dhe u thatë që ne nuk do të njohim ekspertizën e krye-ekspertit amerikan, sepse ne kemi ekspertin tonë që i përket ‘Hakmarrjes për Drejtësi, mik i të atit të tyre”, - pretendoi kryeministri. Brenda të njëjtit kontekst shefi i qeverisë akuzoi socialistët se kanë shkelur kodin e shenjtë të vdekjes, duke manipuluar me humbjen e jetës së Trebickës. “Keni shkelur një kod, kodin e vdekjes që askush s’e shkel, para tij ka vetëm heshtje, kurse ju mitingje. E bëtë vetëm dhe vetëm për të errësuar dhe zhurmuar aktin madhor historik të kongresit të SHBA që ratifikoi protokollin e anëtarësimit në NATO të Shqipërisë”, - vuri në dukje Berisha. Mandej duke e ricilësuar biznesmenin Trebicka “një qytetar të përgjegjshëm”, kryeministri ngriti pretendimin se opozita është përpjekur ta korruptojë atë për të thënë të kundërtën e asaj që ai dinte. “Por ai nuk u korruptua nga ju, pasi ju hodhi poshtë joshjen me gjysmë milioni euro dhe premtimin për t’u futur në listat e deputetëve”, - akuzoi ai. Nga ana tjetër, kryeministri e ka vënë theksin tek ratifikimi i protokollit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO duke fajësuar opozitën për manipulim të ngjarjeve. “Ju gjej në një krizë të thellë. Ju nuk dini të bëni vlerësime. Në prill, ndërkohë që krerët e shtetit ishin thirrur në Kroaci nga presidenti Bush për të festuar anëtarësimin në NATO, Rama thirri mitingun e turpit duke ngritur posterat e Enverit dhe flamujt e rreckosur të internacionales, por jo ato të NATO-s. Më 9 korrik, përfaqësues të 26 vendeve anëtare të NATO-s firmosën protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë. Kurse ju u morët me llomotitje, me misra e kallamboqe dhe nuk e përshëndetët. Në shtator ju manipulonit të vdekurit dhe thërrisnit mitingje makabre”, - është shprehur Berisha. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj pas akuzave të rënda të kryeministri Berisha. “Partia Socialiste nuk është kundër marrjes së ftesës, pasi PS-ja ndërtoi rezolutën për në NATO”, - tha Leskaj duke deklaruar se opozita ka kontributin e saj në hapat që Shqipëria ka ndjekur për anëtarësim në NATO, por nuk ka faj për aferat korruptive të qeverisë, ku janë përfshirë sipas saj të gjithë ministrat “nga ata më të vjetrit, deri tek ata në moshën e internetit”, - sikundër u shpreh ajo.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)