Kryepeshkopi Janullatos ngre Kishën e Delvinës
Të krishterë e myslimanë marin pjesë në ceremoninë e përurimit të kambanores së Shën Mërisë. Në 1967, në vendin e saj u ndërtuan varrezat e dëshmorëve. Kambanorja e re ngrihet tani 22.5 metra e lartë.
DELVINË Dikur kambana e saj dëgjohej deri në Sarandë. Komunizmi e zhduku atë si shumë objekte të tjera të kultit. Vetëm 12 vjet më parë, me ndihmën dhe mbështetjen e Kryepeshkopit Janullatos ajo u rindërtua. Ndërkohë që këtë të diel, për herë të parë është vendosur kambanorja, e shoqëruar kjo me një meshë të veçantë.
Në këtë kishë historike në lagjen Llakë, Mitropoliti i Gjirokastrës, At Dhimitri, ka drejtuar meshën e të dielës dhe gjithë komuniteti i ardhur, edhe nga Saranda e Gjirokastrës kanë ridëgjuar kambanat në të. Kambanorja e re ngrihet tani 22.5 metra e lartë dhe në krye të saj janë tri kambana. Por në këtë ceremoni morën pjesë edhe mjaft qytetarë të besimit mysliman. Pas meshës, Mitropoliti At Dhimitri ka bekuar kambanoren e re, në prani të qindra besimtarëve dhe qytetarëve, mes të cilëve ndodhej edhe kryetari i bashkisë së Delvinës, Dhurim Alinani.
Historia
Delvinjotët thonë se Kisha e Shën Mërisë është më e vjetra e 9 kishave që ka pasur Delvina. Ajo ngrihet në zemër të lagjes Llakë, më tradicionalja e qytetit të njohur për qytetarinë 500-vjeçare. Asgjë në anën e saj ndërtimore nuk ka gjurmë të krishterimit të hershëm, pasi projekti dhe ndërtimi është i ri. Besimtari Spiro Zaharo, studiues i pasionuar i lashtësisë së qytetit të vet, na thotë se ajo ka vetëm 12 vjet jetë, pasi është bërë e re nga themelet dhe është inauguruar më 1996. Spiro na tregon me dorë nga kodra përballë, ku tani ngrihen varrezat e dëshmorëve. "Ja, atje ishte Kisha që dikur quhej e Panajasë, ndërtim i shekullit të 17-të", - kujton Spiro Zaharo e Jorgo Papa, një piktor që Delvinën e vjetër e ka hedhur në telajo me teknikën e grafikës. Të dy delvinjotët kujtojnë atë që kanë përjetuar kur kishën e dikurshme, të njohur në gjithë Jugun, e rrafshoi kazma komuniste më 1967. Lëvizja komuniste mbi fenë e nxori atë në themele dhe vetëm pas gati 30 vjetësh u zëvendësua ky objekt kulti, nga më të pasurit.
FINANCIMI
Kisha e Shën Mërisë u financua nga vetë Kryepeshkopi Anastas Jonullatos, i cili jo vetëm e vlerësoi, por edhe nxiti projektimin dhe rindërtimin e saj nga e para. Ndërkaq, familja Cimiu, nga më autoktonet në Delvinë, u kujdes dhe përballoi shpenzimet për ngritjen e altarit të kësaj kishe.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)