E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet TVSH-ja për makineritë

 

Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka diskutuar dje disa ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Sipas skemës së vjetër, investitorët kishin 12 muaj afat për të shlyer TVSH-në. Por tashmë ky afat ka ndryshuar. Sipas draftit të ri do të jetë Ministria e Financave ajo që do të përcaktojë aftin kohor të shtyrjes së TVSH-së për importuesit e makinerive. Sipas draftit të ri personat që tregtojnë revista, gazeta të huaja nuk do të paguajnë TVSH-në. Gjithashtu edhe organizatat jofitimprurëse janë përjashtuar nga skema e pagesës së TVSH-së. Gjatë diskutimeve të ndjeshme në kuvend deputetët e opozitës, por edhe vetë kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho kanë paraqitur kundërshtitë e tyre. “Si e ngarkoni me TVSH dhe si e rimbursoni një OJF, këtë nuk arrij ta kuptoj. Nëse ju keni kaq administratë të sofistikuar, që arrin ta bëjë këtë punë, hallall. Megjithatë e keni zgjidhur, shyqyr që reflektoni pak nga pak, ju do të reflektoni edhe për të tjerat, por jo sot”, tha Edmond Spaho. “Projektligji që po ju paraqitet ka të bëjë vetëm me një grup të caktuar të OJF-ve. Dhe riformulimi që është bërë në projektligj është për OJF-të me status të përfitimit publik. Pra, pavarësisht fushës së ku ata operojnë ne e kemi vetëm për ato me përfitim publik”, tha Arjana Dyrmishi, përfaqësuese e Ministrisë së Financave. Sipas deputetëve të PS-së, ndryshimet e shpeshta në ligjet e politikës fiskale dëmtojnë biznesin. “Këto ndryshimet fiskale janë bërë çdo dy javë, çdo tre javë kalojmë nga një pjesë. Më mirë sillini të gjitha në bllok”, tha Arben Isaraj, anëtar i Komisionit të Ekonomisë. “Ndryshimet fiskale nga institucionet që merren me politikat e fiskut po vijnë shumë të shpeshta, duke krijuar një paqëndrueshmëri në të gjithë sistemin, dhe natyrisht pastaj edhe problematikë për biznesin që merret çdo ditë me këtë punë dhe që normalisht duhet të azhurnojë ligjet pothuajse çdo dy-tre muaj për veprimtarinë e tij, kur dihet që ato operojnë me plane biznesi 1-vjeçare”, tha Erjon Braçe. Opozita kërkoi që ndryshimet në legjislacionin fiskal Ministria e Financave t’i përfshijë në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, që pritet të kalojë së shpejti për miratim në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›