E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re, negociata pas 15 gushtit

 

ADI SHKEMBI

Ndonëse prej katër ditësh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin zyrtar të procesit të 28 qershorit dhe tashmë dihet pesha e secilës parti, negociatat mes Partisë Demokratike dhe aleatëve nuk do të fillojnë përpara 15 gushtit. Burime pranë forcave të koalicionit të djathtë bëjnë të ditur se megjithë dëshirën e tyre për të mbyllur shpejt bisedimet, ka qenë vetë kreu i qeverisë që ka vendosur si afat mesin e këtij muaji për t’i thirrur aleatët. Si argument është përdorur pikërisht fakti që kjo qeveri e ka mandatin deri në fillim të muajit shtator dhe ndarja e posteve që tani do të ndikonte negativisht në punën e administratës.
Bisedimet
Përveç Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partia Demokratike duhet të mbyllë llogaritë edhe me disa forca të tjera, të cilat i kanë dhënë një numër të konsiderueshëm votash në zgjedhjet e fundit. Kështu të parët që pritet të thirren në bisedime janë republikanët e Fatmir Mediut. Me përjashtim të një periudhe disa mujore, pas tragjedisë së Gërdecit, kjo forcë politike ka mbajtur gjithmonë një post ministror (Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas Ministrinë e Shëndetësisë), dy poste zv. ministrash dhe një numër të madh drejtorësh të niveleve të ndryshme. Pas zgjedhjeve PR deklaroi menjëherë se përveçse ka fituar vetë një mandat parlamentar, ka ndihmuar Partinë Demokratike në marrjen e të paktën katër mandateve në të 12 qarqet e vendit. Ndonëse nuk janë shprehur qartësisht për postet që kërkojnë republikanët kanë artikuluar qartë se duan një post ministror, pavarësisht se cili është ai. Kjo forcë mori në total 31.990 vota, duke u konfirmuar si partia e dytë e koalicionit të djathtë. Një tjetër forcë politike, të cilën duhet ta marrë në konsideratë Kryeministri Berisha është Partia për Drejtësi dhe Integrim. Partia e komunitetit çam fitoi një mandat parlamentar në qarkun e Vlorës dhe ishte fare pranë një tjetër mandati në Fier. Por diferenca e vogël mes koalicionit të PD-së dhe opozitës, bën që edhe një mandat i PDI të konsiderohet i çmuar, ndërsa kryeministri Berisha duket se do të pranojë kërkesat e kësaj partie, e cila për herë të parë është kthyer në një forcë parlamentare. Një tjetër forcë, e cila do të kërkojë përfaqësim në nivelet e larta, por ndoshta jo ministrore, do të jetë PAA. E bashkuar me PD-në menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2005, Partia e Lufter Xhuvelit ka mbajtur gjatë gjithë mandatit Ministrinë e Mjedisit, por përfaqësimi sërish me një post ministror duket se është i pamundur. PAA fitoi më 28 qershor rreth 13 mijë vota, një mijë vota më pak se Partia për Drejtësi dhe Integrim. Gjithashtu në bisedime kryeministri Sali Berisha pritet të përfshijë edhe forcat e tjera politike, të cilat ndonëse nuk arritën ndonjë rezultat të përkthyer në mandate, i dhanë koalicionit të djathtë një numër të konsiderueshëm votash. Kreu i qeverisë është shprehur se në zgjedhjet e ardhshme lokale do të dalë në koalicionin me 17 forca politike, çka detyron atë që të paktën për dy vitet e ardhshme t’u japë poste të niveleve të ulëta të gjitha partive me të cilat fitoi më 28 qershor.

“Negociatat me LSI, në fund të këtij muaji”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një deklaratë për mediat tha se negociatat për qeverinë do të nisin në 10-ditëshin e fundit të gushtit. Topalli i bëri këto komente pas pjesëmarrjes në disa inaugurime në Komunën Bushat të Shkodrës. “Kryeministri Berisha ka thënë që në 10-ditëshin e fundit do nisin negociatat me LSI për qeverinë ‘Berisha 2’”, tha Topalli. Në lidhje me pyetjen e gazetarëve se, a do të jetë edhe për 4 vitet e ardhshme Kryetare e Parlamentit, Topalli është përgjigjur se kjo çështje nuk varet nga ajo. Ndërsa në lidhje me mundësinë e bashkëpunimit të deputetëve të opozitës kur kërkohen me shumë se 74 vota, të cilat mazhoranca aktuale nuk i ka,  Topalli ka pohuar se natyrisht që edhe deputetët e opozitës do t’i votojnë nismat apo reformat që kanë për qëllim interesin e të gjithë shqiptarëve të atyre që u kanë besuar votën dhe se ato nuk do të nisen nga interesa të një politike të ngushtë partiake. “Janë 96 % e shqiptarëve të orientuar drejt BE, drejt proceseve integruese. Kjo do të thotë se sa herë që do të ketë nevojë që në parlament të kalohen ligje që kanë të bëjnë me procesin e integrimit, padyshim që ne do të bashkëpunojmë me opozitën dhe anasjelltas, në qoftë se opozita ndjehet përfaqësuese edhe e atyre votave që vijnë nga e majta dhe që shprehin përmes kësaj vote vullnetin e tyre në lidhje me proceset integruese të vendit”, tha Topalli. E pyetur në lidhje me Edi Ramën, në mos respektimin e rezultatit zgjedhor, Topalli u shpreh se komenti më i mirë për kryesocialistin janë zgjedhjet e fundit për kreun e komunës. “Ballagati ashtu si edhe Kashari, më parë, janë përgjigja ndaj arrogancës dhe papërgjegjshmërinë e tij, i cili problemet personale kërkon t’i ngatërrojë me ato të shoqërisë”, theksoi Topalli.

Vasili: Rama të harrojë zgjedhjet e parakohshme

Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet se lideri i kësaj partie, Ilir Meta, nuk ka zhvilluar asnjë negociatë me kreun e PD-së, Berisha. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili në konferencën e djeshme për shtyp theksoi se “Sigurisht që ne i kemi ndjekur dhe i kemi përcjellë  fantazitë e disa mediave që janë stabilizuar në standardin e tyre të mashtrimit sistematik mediatik. Është një e drejtë e tyre ta bëjnë këtë sepse ne kemi dështuar në tentativën tonë për t’i sjellë në parametrat e standardeve të së vërtetës, kështu që le t’i lëmë të përkunden dhe ata në ëndrrat e tyre të mashtrimit veror”. Zyrtari i lartë i LSI-së ka reaguar edhe për qëndrimin e PS-së për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. “Duke i mirëkuptuar gjithmonë fantazitë ekscentrike të z.Rama, dhe duke e konsideruar këtë dhe si një ëndërr, besoj se duhet të ëndërrojë katër vjet të plota, dhe më pas i duhet ta ripërsërisë këtë ëndërr dhe për 4-vjeçarin në vijim, tha Vasili. Ai theksoi se “LSI-ja ka shumë të qartë programin e saj elektoral, ndaj ajo do të synojë që përfshirja e këtij programi ne programin e qeverisë së re, të arrihet forcimi i dimensionit social i kësaj qeverisje”. “Gjithashtu është evidente që marrëveshje PD-LSI, që do të përvijohet në javët që vijojnë do të garantojë një qeverisje solide, por dhe tërësisht të suksesshme sepse ajo nuk është e ndërtuar në interesat e vogla të partive, por është e ndërtuar mbi interesat madhore të vendit që i impononin një zgjedhje të tillë politike”, tha sekretari i Përgjithshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›