E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Protesta e Ramës, e pandershme, përpjekje për të bllokuar vizat”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar protestën e sotme të Partisë Socialiste të pandershme për situatën politike në të cilën ndodhet vendi dhe për vendimin e marrë nga ministrat e Jashtëm të BE-së për të shqyrtuar kërkesën e qeverisë shqiptare për përcaktimin e statusit të vendit kandidat. Berisha u shpreh për mediat se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nëpërmjet qëndrimit politik që ka zgjedhur të ndjekë, po pengon proceset integruese të vendit në BE, si dhe liberalizimin e vizave për shqiptarët. Kryeministri Berisha e bëri një deklaratë të tillë nga qyteza e Vorës, ku përuroi ndërtimin e një ujësjellësi të ri. Gjatë fjalës së tij Berisha vlerësoi zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa shtoi se mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve solli marrjen e vendimeve pozitive për Shqipërinë nga ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian.
Deklarata
“Me këto zgjedhje edhe ne i faktuam Europës dhe botës se në vlerat themelore kemi të njëjtin përkushtim me kombet e zhvilluara dhe të qytetëruara. Këto zgjedhje bënë që, pa asnjë hezitim, të firmoset kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian. Këto zgjedhje bënë që të bihet dakord që brenda gjashtëmujorit të parë të vitit që vjen të vendoset për heqjen e vizave. Këto zgjedhje i kanë dhënë dinjitet të madh çdo shqiptari, por në vend të që festojmë bashkërisht këto vendime të mëdha për projektin ëndërr të çdo shqiptari, për fat të keq, një grup në krye të Partisë Socialiste, i drejtuar nga Edi Rama, ka zgjedhur rrugën e protestës. Kjo është një rrugë normale, por nuk mund të mos theksoj këtu se përpjekja për t’i bllokuar këto procese me qëndrimin jashtë Parlamentit; përpjekja për t’i dëshmuar Europës se Shqipëria nuk meriton heqjen e vizave; se Shqipëria nuk meriton statusin e vendit kandidat, sepse unë jam në rrugë, dhe jo në Parlament, është jashtëzakonisht e pandershme”, - është shprehur Berisha, ndërsa shtoi se Rama e ka marrë përgjigjen nga BE-ja. “Përgjigjen nuk ta dha Sali Berisha, por e more nga qytetarët shqiptarë, të cilët votuan me dinjitetin më të madh më 28 qershor. Përgjigjen e more nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat, mbi bazën e vlerësimit të reformave dhe veçanërisht të zgjedhjeve të lira, i hapën dyert Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian. Përgjigjen ta dhanë 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian, të cilat, mbi bazën e vlerësimit të përpjekjeve të ndershme dhe serioze të shqiptarëve, vendosën që të procedohet me shpejtësi për heqjen e vizave për shqiptarët”, - është shprehur kryeministri Berisha. Ai u shpreh se liberalizimi i vizave dhe integrimi janë çështje kombëtare mbipartiake dhe shumë herë më të mëdha sesa interesat vetjake të një apo një grupi liderësh.
Premtimi
Më tej Berisha premtoi se regjimi i vizave për shqiptarët do të hiqet brenda vitit të parë të këtij mandati qeverisës. “Kam kënaqësinë t’ju pohoj ju se tri ditët e fundit, po në Bruksel, janë marrë vendimet më të rëndësishme për lëvizjen tuaj të lirë, pa viza, në mbarë Europën. Ashtu sikurse ju premtuam, se gjatë vitit të parë të mandatit tonë të dytë ne do të heqim vizat për shqiptarët, ne po realizojmë pikë për pikë premtimin tonë. Ne këtë e realizojnë si një detyrim ndaj jush, si interesi juaj më i mirë, sepse lëvizje pa viza do të thotë mundësi të jashtëzakonshme shkollimi dhe punësimi për shqiptarët. Lëvizje pa viza do të thotë bashkim familjar; do të thotë vajtje e ardhje e lirë për qindra e mijëra emigrantë, për vajza e djem shqiptarë që kanë emigruar në vendet përreth për të siguruar një jetë më të mirë për familjet e tyre. Lëvizje pa viza do të thotë që fëmijët tuaj të mund të përzgjedhin shkollën dhe universitetin që duan për të vazhduar në Europë, do të thotë punësim dinjitoz, sezonal ose i vazhdueshëm. Pra, me heqjen e vizave, secili qytetar shqiptar fiton një status të ri dinjitoz, një status të vërtetë europian”, - është shprehur Berisha.

PD: Rama, protestë kundër liberalizimit të vizave

Partia Demokratike e cilëson protestën e opozitës si një lëvizje kundër liberalizimit të vizave. Deputeti i kësaj partie, Aldo Bumçi, deklaroi dje gjatë një deklarate për mediat se Rama po përpiqet me çdo kusht të bllokojë heqjen e vizave për shqiptarët, ndërsa ai lëviz me pasaportë diplomatike. “Edi Rama po shpërndan trakte për të organizuar protestën antivizë në një vend që ka në kujtesën e tij izolimin më të thellë në regjimin antikomunist, në një kohë që 1/4 e popullsisë shqiptare jeton në vendet e Bashkimit Europian. Edi Rama është angazhuar në një fushatë intensive kundër heqjes së vizave dhe organizimi i protestave është në kuadër të kësaj beteje. Edi Rama, me kryeneçësi dhe në mënyrë të pashpirt, po përpiqet me çdo kusht të pengojë heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë kur ai dhe kolegët e tij lëvizin me pasaporta diplomatike. Protesta e tij kundër heqjes së vizave është një protestë që bie në kundërshtim me shpresat dhe ëndrrat e çdo qytetari shqiptar”, - është shprehur Bumçi në emër të PD-së.

20 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›